Pse një fëmijë bullizon bashkëmoshatarët?

    *Fotografi ilustruese

    Studimet e fundit psikologjike theksojnë se për dallim nga vajzat të cilat janë të prirura ndaj bullizmit verbal, djemtë më shumë janë të prirur ndaj atij fizik, ndërsa shkaku për këtë shpesh është dëshira për të fituar pushtet dhe kontroll mbi viktimat e tyre dhe mënyra më e thjeshtë për ta bërë këtë është krijimi i një pasigurie tek viktima e tij.

    Psikologja Arbëresha Alimi vlerëson se bullizmi është një fenomen me të cilin po përballen si fëmijët ashtu edhe prindërit, edukatorët dhe mësimdhënësit, ndërsa faktorët që ndikojnë në sjelljen bullizuese të një fëmije mund të jenë shumë, përfshirë këtu edhe mjedisin social, stresin, apo mungesën e aftësive sociale.

    “Prindërit dhe edukatorët kanë një rol kyç në parandalimin e këtyre rasteve duke i ofruar fëmijës një ambient të sigurt dhe duke zhvilluar aftësi ndër-personale”, tha ajo për gazetën Koha duke treguar edhe hapat se si të veprohet me një fëmijë që shfaq sjellje bullizuese.

    Sipas saj biseda me fëmijën dhe dëgjimi pa gjykuar për sjelljet e tij, reagimi i menjëhershëm në rastet e bullizmit që të sigurojmë mirëqenien e fëmijëve të përfshirë, të ndihmohet në zhvillimin e aftësive të mira ndër-personale dhe respektin për tjetrin, konsultimi me profesionistë.

    “Shfrytëzimi i programeve shkollore dhe aktivitetet e edukimit ndaj bullizmit për të sensibilizuar fëmijët janë gjithashtu të rëndësishme. Hap i rëndësishmëm është edhe përfshirja e prindërve, bashkëpunimi me prindërit e atij fëmije, inkurajimi i ndërhyrjes së grupit në raste bullizmi përfshirë miqtë dhe shokët e fëmijës, si dhe ndërtimi i vetëvlerësimit dhe ndjenjës së përgjegjësisë të ndihmohet fëmija të kuptojë që sjellja e tij ndikon tek të tjerët”, sqaroi Alimi duke shtuar se ndërhyrja e përbashkët dhe e zgjuar mes prindërve dhe edukatorëve mund të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe të sigurt për fëmijët.

    Mirjeta Bakiu nga SH.F. “Istikball” në Tetovë në një prononcim për gazetën Koha theksoi nevojën e bisedës me fëmijët në klasa mbi atë se të gjithë janë të barabartë. Sipas saj, një fëmijë që bullizon zakonisht zgjedh një person të cilin ai e mendon më të dobët vetëm sepse është më i vogël me trup apo edhe më i tërhequr.

    “Prindërit duhet të bisedojnë me fëmijët për përditshmërinë e tyre në shkolla dhe ti sigurojnë ata se nuk do ta përballojnë të vetëm këtë situatë, por me mbështetjen e tyre, mësuesve, shokëve dhe shoqeve të tjera”, theksoi ajo për gazetën tonë. Nga ana tjetër, siç thotë ajo, edhe mësuesi në rast se vëren ngacmime të këtij lloji duhet të ndërhyjë menjëherë për ta ndaluar atë, dhe në rast nevoje të kërkoj edhe ndihmën e psikologut.

    “Vizita tek psikologu rekomandohet edhe për nxënësin që bullizon njëjtë si edhe për atë që është pre e bullizmit, që në të ardhmen mos të vuajnë nga çrregullime të ndryshme psikologjike”, u shpreh Bakiu.

    Ndërkaq, profesori Lulzim Murtezani vlerëson se një fëmijë që bullizon shpesh tregon mungesë aftësie për t’u përshtatur me normat e shoqërisë dhe mundësi të larta për sjellje destruktive në të ardhmen.

    “Edukatorët dhe prindërit duhet të ndjehen të shqetësuar për këtë dhe të marrin hapa për të adresuar shkaqet e mundshme të bullizmit, përfshirë mungesën e ndërgjegjësimit për dëmin që i shkakton të tjerëve”, tha Murtezani.

    Ai u shpreh gjithashtu se trajtimi i kësaj sjellje kërkon komunikim të hapur dhe të ndërgjegjshëm me fëmijën për të identifikuar shkaqet dhe për të përmirësuar gjendjen emocionale të tyre.

    Lajmi Paraprak

    REAGIME NGA PARLAMENTET STUDENTORE: Pritet rritja e çmimit të participimit

    Lajmi i rradhës

    MASh duhet të bëhet gati, “PISA 2025” do të jetë ndryshe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë