MASh duhet të bëhet gati, “PISA 2025” do të jetë ndryshe

    Testi Global i arritjeve mësimore “PISA”, vitin e ardhshëm do të ndryshojë fokusin e testimit të deritanishëm, nga matematika dhe leximi tek njohuritë shkencore, tek të mësuarit në botën digjitale dhe do të ketë një vlerësim të ri për gjuhët e huaja. Shkenca dhe lidhja e saj më mjedisin do të jetë në fokus të testit 2025. OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik ) ka shpallur kornizën e testimit PISA 2025, ku do të përfshihet domeni inovativ, të mësuarit në botën digjitale, i cili synon të masë aftësinë e studentëve për t’u përfshirë në të mësuarin e vetë-rregulluar gjatë përdorimit të mjeteve digjitale. Maqedonia e Veriut në testimin e fundit u rendit nga fundi i listës sa i takon njohurive gjuhësore, matematikore dhe shkencore te nxënësit e moshës 15 vjeç.

    Nga gjithsej 81 vende që ishin pjesë e testimit, me 389 pikë, vendi ynë është në vendin e 61-të sipas rezultateve të matematikës. Me 359 pikët e arritura në matjen e shkrim-leximit gjuhësor, pra të leximit të të kuptuarit, renditemi në vendin e 71-të, ndërsa në shkencat natyrore nxënësit tanë shënuan 380 pikë, gjë që e renditi vendin të 68-in në Evropë. Kjo ishte pjesëmarrja e katërt e vendit në PISA, që përfshiu 6610 nxënës nga 111 shkolla të mesme.

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës në reagim ndër të tjera shprehej se “rezultatet do të jenë të një rëndësie të jashtëzakonshme për rishikimin e politikave ekzistuese dhe krijimin e politikave arsimore në të ardhmen”. Por si do të reflektohen ndryshimet në PISA 2025, do të përkeqësojnë apo jo renditjen e deritanishme? Sidomos kur edukimi digjital e kërkimi shkencor janë kanë mangësi në arsimin para universitar.

    Vlerësimi PISA 2025 do të masë se sa mirë vendet po i përgatisin studentët e tyre me shkencën dhe se si shkenca prodhon njohuri të besueshme.

    “Është veçanërisht e rëndësishme në shekullin e 21-të kur njerëzimi përballet me një të ardhme të pasigurt, një epokë në të cilën ndikimi njerëzor po ndryshon ndjeshëm sistemet e Tokës”, shprehet OECD në lidhje me PISA 2025.

    Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) që punon për të ndërtuar politika për një jetë më të mirë prej më shumë se dy dekadash zhvillon një test global për të vlerësuar njohuritë mesatare të nxënësve në moshën 15 vjeç në rreth 80 vende të botës. PISA konsiderohet si një nga testet ndërkombëtare më të besueshme që mat shkrim-leximin, ose njohuritë e aplikueshme që i nevojiten një nxënësi për të vazhduar shkollimin dhe për të pasur sukses në jetën e tij personale dhe profesionale. Detyrat në teste lidhen me situata reale në të cilat mund të gjenden nxënësit dhe përgjigjet nuk matin njohuritë riprodhuese, por funksionale, të rëndësishme për lidhjen, kuptimin dhe zgjidhjen e problemeve. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Pse një fëmijë bullizon bashkëmoshatarët?

    Lajmi i rradhës

    Është gjetur plumb në hyrje të shtëpisë së Taravarit në Gostivar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë