PSE VV NË MAQEDONINË E VERIUT?!

    Vetëvendosja e kryeministrit Albin Kurti, do të jetë pjesë e procesit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut në maj të vitit të ardhshëm. Lëvizja u prezantua si shtylla e katërt në koalicionin opozitar të Izet Mexhitit (Lëvizja Demokratike), Bilall Kasamit (Lëvizja BESA) dhe Afrim Gashit (Alternativa). Kjo u bë e ditur pas hapjes së selisë së përbashkët të bllokut opozitar shqiptar Lidhjes Evropiane për Ndryshim në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, por mbeti e paqartë nëse partia do të jetë pjesëmarrëse formale në zgjedhje apo do të mbështesë vetëm publikisht opozitën. Deri më tani kjo parti nuk është regjistruar në vend. Cili është plani dhe a do të regjistrohet, Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për Maqedoninë e Veriut, nuk ka dhënë detaje më të hollësishme. Më 24 dhjetor ishte një nga folësit në hapjen e selisë së Lidhjes Evropiane për Ndryshim, ka nënshtetësi maqedonase dhe është i njohur në opinion si anëtar i PDSH-së, pastaj Aleancës për Shqiptarët. Ai ishte edhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë, ku në vitin 2013 zuri vendin e Ziadin Selës, i cili më pas u largua nga parlamenti për të marrë postin e kryetarit të Komunës së Strugës.

    Sipas asaj që po flitet në kuluaret e opozitës shqiptare, Vetëvendosja nuk do të regjistrohet por do të jetë një mbështetje për opozitën vendase. Në listat e saj, megjithatë, pritet të gjenden persona që janë shtetas të Maqedonisë, përkatësisht i plotësojnë kushtet për kandidatë dhe konsiderohen si përkrahës të Vetëvendosjes.

    PËR KRYEMINISTRIN MBËSHTETJA NUK ËSHTË E KONTESTUESHME

    Bashkëpunimi i paralajmëruar i Vetëvendosjes me opozitën Lidhjen Evropiane për Ndryshim, për kryeministrin dhe liderin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, nuk kontestohet nëse vjen si mbështetje nga partia simotër. “Nuk është e panjohur që partitë simotra të marrin pjesë në mbështetje politike të partive në shtetet tjera. Megjithatë, deri më tani nuk kam parë parti nga vende të tjera që të marrin pjesë në një proces zgjedhor në një vend tjetër”, thotë Kovaçevski. Ai thekson se duhet parë se çfarë kanë dashur konkretisht liderët e opozitës shqiptare me deklaratat e tyre, por thekson se duhet të kontrollohen edhe dispozitat ligjore.

    “Nëse partitë politike nga fqinjësia fillojnë të marrin pjesë në zgjedhje në vendin tonë, atëherë mund të ndodhë që edhe vende të tjera të dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, që do të përfaqësonte një lloj dinamike jo aq të dëshirueshme. Megjithatë, duhet të kontrollohet se në çfarë mënyre do të merrnin pjesë, si do të merrnin pjesë, çfarë saktësisht nënkuptohet dhe natyrisht të kontrollohet Kodi Zgjedhor dhe regjistrimi i partive etj”, shtoi kryeministri.

    Sipas Kodit Zgjedhor, për të marrë pjesë formalisht në procesin zgjedhor – jo si mbështetje, por edhe për të qenë organizatore e fushatës, një parti duhet të regjistrohet në vend. “Personat e huaj juridikë dhe fizikë nuk mund të organizojnë fushatë zgjedhore”, thuhet në paragrafin 3 të nenit 70 të Kodit Zgjedhor. Procedura e regjistrimit sipas Ligjit për Partitë Politike, nga ana tjetër, parashikon se themelimi kërkon nënshkrimin e së paku 1000 qytetarëve që kanë të drejtë vote në vend, si dhe themelimin e Kuvendit të Themeluesve, i cili duhet të miratojë një vendim, program, statut dhe të formojë organet e partisë, e më pas të regjistrohet në regjistrin gjyqësor.

    PËR MICKOSKIN KJO ËSHTË FOLKLOR PARAZGJEDHORË

    Edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se është folklor parazgjedhor dhe referencë për gazetarët që të kërkojnë shpjegim nga ata që kanë dhënë deklarata për pjesëmarrjen në zgjedhje të Vetëvendosjes. “Është pjesë e atij folklori që ai ndjek në këtë periudhë parazgjedhore, është vendim i atyre që i kanë zgjedhur ata njerëz. Unë supozoj se për të qenë pjesë e listave duhet të jenë shtetas të Maqedonisë, të plotësojnë normat ligjore dhe kushtetuese, kështu që ndoshta ata që i përfshijnë ata persona duhet t’i pyesin se kush dhe cili ishte qëllimi. Mendoj se gara politike duhet të jetë garë në të cilën do të kryqëzohet vizioni dhe strategjia për zhvillimin e Maqedonisë, tani nëse dikush ka ide të ndryshme, është ndryshe, atëherë duhet të përgjigjet”, tha Mickoski.

    Për të, njoftime të tilla nuk e ndryshojnë qëndrimin e VMRO-DPMNE-së dhe mendon se nëse platforma e partive opozitare fiton, ajo duhet të jetë pjesë përbërëse e qeverisë së ardhshme.

    Ndërkaq, një pjesë e njohësve të rrethanave politike besojnë se votuesi shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili mendon në mënyrë opozitare dhe që në shumë cikle është më i madh në numër se partia fituese BDI, ëndërron ardhjen e një “shpëtimtari” dhe një ideologjie si ajo e Vetëvendosjes.

    “Partitë politike në opozitë dhe sigurisht Aleanca për Shqiptarët nuk arritën të bindin votuesit se janë gati t’i paraqesin në dritën më të mirë, duke pasur parasysh manovrat e shumta hyrje-dalje ku hyjnë me oreks të madh dhe largohen me përçarje të brendshme, ndaj egos së individëve të caktuar në radhët e tyre për një periudhë më të gjatë në pushtet dhe përfitime”, thotë Enver Salihi, analist.

    Si rezultat i kësaj, thotë ai, elektorati do të pranojë më së miri një ide të pritshme për ta, por ende ka rezerva se pse kjo lëvizje bashkohet për të qenë partner i barabartë në koalicionin opozitar kur dihet se nëse organizohet në mënyrën më të mirë që mund të jetë dhe partia e dytë mes shqiptarëve për momentin, dhe fituese e zgjedhjeve të ardhshme.

    “Vetëvendosje është përgatitur prej kohësh për të hyrë në skenën politike dhe muajt e fundit ka pasur një sërë takimesh të intelektualëve të shquar shqiptarë që do t’i bashkoheshin kësaj partie. Mirëpo, vlerësimi duket se nëse dalin vetë, elektorati do të përçahej dhe formimi i partisë do të lihet pas zgjedhjeve dhe me hapa të ngadaltë dhe të sigurt”, vlerëson Salihi. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Gjysma e qytetarëve në RMV me dokumente të vjetra

    Lajmi i rradhës

    Rekord riparimesh e ndërtimesh, autostrada për Ohër askund!  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë