Psikologët të shqetësuar se lojërat e fatiti po shndërrohen në varësi për të rinjtë në RMV

    Psikologët dhe sociologët në Maqedoninë e Veriut theksojnë se përderisa kazinotë, bastoret dhe klubet me aparate të lojërave të fatit, shfaqen gjithandej e të cilat frekuentohen kryesisht nga të rinjtë, bën që shumë lehtë lojërat e fatit nga argëtimi, të shndërrohen në varësi.

    Me ligjin e ri Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i cili u miratua më 7 shkurt në Kuvend, parashihet që lokalet afariste, në të cilat organizohen lojëra fati, bastoret dhe në klubin e automateve, lotaritë në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit, duhet të zhvendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe ata të mesme.

    Por, ky ligj nuk ka hyrë në fuqi pasi ai nuk është dekretuar nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski.

    Vendimi, siç informojnë nga kabineti i presidentit Pendarovski, është marrë në bazë të analizës së hollësishme të tekstit të Ligjit dhe procedurës me të cilën është miratuar ky ligj, si dhe pas konsultimeve me delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup, si partneri më i rëndësishëm në procesin e negociatave.

    Ndërkohë, në praktikë funksionojnë shumë kazino dhe bastore shumë pranë shkollave fillore dhe atyre të mesme.

    Në afërsi të gjimnazit “Zef Lush Marku” dhe shkollës fillore “Ismail Qemali” në Çair të Shkupit, në më pak se 100 metra largësi gjenden dy lokale me lojëra fati. Madje, ato janë edhe më afër sesa pikat ku mund të blejnë diçka për të ngrënë nxënësit e këtyre dy shkollave gjatë pushimit.

    Naser Miftari, profesor në shkollën e mesme “Zef Lush Marku”, thotë për Radion Evropa e Lirë se nxënësit, nga kureshtja, mund t’i frekuentojnë ato pa qenë të vetëdijshëm se mund të bien në kurth të varësisë.

    “Ndaj bindjen se ato nxisin dembelizmin dhe jo objektivin për të bërë punë që të nxisin kreativitetin dhe në këtë mënyrë të arrihet drejt suksesit”, shprehet Miftari duke shtuar se nxënësit nuk janë të përgatitur që t’u bëjnë ballë këtyre kurtheve.

    Pavlina Vaskova, psikiatre, e cila punon me personat e varur nga lojërat e fatit, thotë se prindërit e kuptojnë se sa thellë kanë hyrë fëmijët e tyre vetëm kur ata gjenden në një rrugë pa krye nga kërcënimet që marrin nga borxhlinjtë.

    Vaskova thotë se prindërit kanë sjellë një djalë 20-vjeçar për trajtim të problemeve me shëndetin mendor, pasi ai ishte kërcënuar në mënyrë sistematike nga borxhlinjtë.

    “Nëna e tij mendonte se fëmija i saj ishte shembullor, sepse ai ishte gjithmonë në shtëpi, nuk dilte me miqtë e tij. Por, ai në fakt luante në telefon, merrte para hua në internet dhe nuk dilte fare nga dhoma e tij. Kështu ishte zhytur probleme”, thotë Vaskova.

    Vaskovska është një nga profesionistët shëndetësor, psikologë dhe psikiatër, që Lotaria Shtetërore ka vënë në shërbim për personat e varur nga lojërat e fatit, shërbime këto që janë pa pagesë.

    Për të arritur deri te këto shërbime do t’u duhen të paktën 15 minuta të plotësohet pyetësori që është vendosur në ueb-faqen zyrtare të Lotarisë Shtetërore.

    Nëse shumica e përgjigjeve të pyetjeve janë “po”, atëherë Lotaria këshillon lojtarët të kërkojnë ndihmë, domethënë ofron terapi anonime falas me psikologë dhe psikiatër, me të cilët terapitë mund të planifikohen në numrin e telefonit të shpallur në ueb-faqen e Lotarisë Shtetërore.

    Simptoma më e shpeshtë, me të cilën paraqiten personat e varur, është ajo e “impulsit të çrregulluar, shpjegon për Radion Evropa e Lirë, Faton Murseli, sociolog.

    “Faktikisht, tendenca që kazinotë dhe bastoret sportive në pjesën më të banuar të qyteteve është një akt negativ dhe shumë i dëmshëm, sidomos për gjeneratën më të re. Ata [të rinjtë] lojërat e fatit i marrin si diçka të mirëqenë pasi kazinotë dhe bastoret duke qenë fare pranë tyre, thënë kushtimisht, në prag të shtëpisë dhe shkollave, nuk e llogarisin dot se mund të krijojnë varësi nga to edhe se kanë hyrë nga kureshtja”, thotë Murseli, ligjërues në Fakultetin e Sociologjisë në Universitetin e Tetovës.

    Në mungesë të të dhënave zyrtare Radio MOF në shkurt 2023 ka realizuar një sondazh në Instagram ku ishin anketuar të rinjtë e moshës nga 15 deri në 18 vjeç dhe ata të moshës 18 deri në 24 vjeç me ç’rast 58 për qind e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht në pyetjen “A keni hyrë ndonjëherë në një lokal kumari”?

    Sipas të dhënave të fundit të vitit 2020, industria e lojërave të fatit ka marrë pjesë me 253 milionë euro në buxhetin vjetor, përkatësisht katër për qind të bruto-produktit vendor.

    Nga Ministria e Financave deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm të dhënat e reja se me sa mjete kontribuon industria e lojërave në buxhetin e shtetit, teksa numri i bastoreve dhe kazinove është rritur krahasuar me vitin 2020.

    Lajmi Paraprak

    Maqedoni, pacientët nevojë për transplantim të zemrës

    Lajmi i rradhës

    Hirra është kura e duhur shëruese për mëlçinë dhe pastrimin e gjakut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë