Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë kundër një personi për shkak të dyshimeve se ka kryer vepër penale – vjedhje e rëndë nga neni 236 paragrafi 1 pika 1 e Kodit Penal. Siç njoftoi Prokuroria, dyshimet tregojnë se krimin e ka kryer në bashkëpunim me një person tjetër, i cili është identifikuar dhe është në kërkim.
“Më 23 korrik, nga ora 12:00 deri në ora 13:00, të dy kanë hyrë në banesë në bulevardin “Brigada e Tretë Maqedonase” dhe kanë marrë një kompjuter portativ, ora dore dhe sende të tjera në vlerë të përgjithshme prej 38.000 denarë”, thonë nga Prokuroria Publike e Shkupit.
I dyshuari është një 35 vjeçar nga Prilepi të cilit tashmë i është hequr liria, ndërsa prokurori publik kompetent në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për shkak se, sipas Prokurorisë, ka rrethana që tregojnë qartë rrezikun e arratisjes.
Ka nisur hetimi për vrasjen në Baticë, policia është në kërkim të autorëve
PThP Shkup gjithashtu njofton se është lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy personave të cilët dyshohet se kanë kryer bashkërisht vepër penale vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 3 si dhe prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese sipas nenit 396 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal.
“Më 1 korrik, dy banorët e Batincës, në një veturë me targa të huaja, kanë mbajtur në mënyrë të paligjshme tre pushkë automatike, mbajtja e të cilave është plotësisht e ndaluar për qytetarët. Me mjetin kanë kaluar rrugën e një makine tjetër me dy persona, kanë dalë dhe kanë nisur menjëherë të qëllojnë. Njërit prej viktimave i është marrë jeta, ndërsa tjetri është vënë në rrezik dhe i ka shkaktuar lëndime fizike, pas së cilës të dyshuarit i kanë djegur veturën në afërsi të fshatit Draçevicë dhe kanë ikur”, thonë nga Prokuroria Publike e Shkupit.
Prokuroria bën me dije se dy të dyshuarit janë në arrati dhe nuk kanë qenë në dispozicion të organeve të rendit që nga koha e kryerjes së krimeve.
“Duke pasur parasysh këtë, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit, i cili do të fillojë të zbatohet nga zbulimi dhe privimi i lirisë së tyre. Ministrisë së Punëve të Brendshme i janë lëshuar urdhra përkatës për gjetjen e personave të dyshuar”, informojnë nga PThP Shkup.