Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë dhe ka propozuar masën e paraburgimit për autorin e dyshuar të krimit në Karposh të Shkupit, ndaj të cilit ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprat penale “nxitje për vetëvrasje” dhe “ndihmë për vetëvrasje”.
Sipas Prokurorisë, nga kallëzimi penal dhe nga provat e siguruara shtesë rezulton se në periudhën nga viti 2019 deri më 2 mars, kur e dëmtuara – tashmë e ndjera Ivana Jovanovski – mori vendimin për t’i dhënë fund jetës, i dyshuari, bashkëshorti i saj me të cilin ishte në procedurë divorci, e kishte keqtrajtuar vazhdimisht fizikisht dhe psikologjikisht. Ai e kishte fyer, rrahur dhe poshtëruar vazhdimisht, duke i shkaktuar edhe lëndime të dukshme në të gjithë trupin.
Sipas Prokurorisë, këto ngjarje ishin raportuar në institucionet kompetente si nga e ndjera, ashtu edhe nga dëshmitarë okularë dhe persona të tjerë. Një trajtim i tillë mizor dhe çnjerëzor nga bashkëshorti i saj u intensifikua gjatë viteve 2025 dhe 2026. Si pasojë, e ndjera u gjend në një situatë të pashpresë dhe vendosi t’i japë fund jetës së saj. Ajo mori në krahë vajzën gjashtëvjeçare dhe u hodh nga ballkoni i katit të gjashtë të apartamentit ku jetonin. Të dy ranë në sipërfaqen e betonit para ndërtesës dhe humbën jetën në vend.
“Ditës kritike i paraprinë disa ngjarje. I dyshuari fillimisht e kërcënoi dhe filloi ta godiste të dëmtuarën pranë vendit të saj të punës. Më pas, gjatë rrugës për në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në një automjet të drejtuar nga një person i tretë, ai vazhdoi ta kërcënonte se do ta vriste, duke i shkaktuar ndjenjë frike dhe pasigurie. Pranë gjykatës ai e sulmoi fizikisht dhe i shkaktoi lëndime trupore – hematoma në kokë dhe në trup. Pasi e mori vajzën gjashtëvjeçare nga shkolla, dëshmitari i dërgoi në shtëpi që e dëmtuara të merrte valixhet dhe të shkonte te nëna e saj. Ndërsa dëshmitari dhe i dyshuari ndodheshin para ndërtesës, e dëmtuara u mbyll në apartament me fëmijën dhe nga aty kreu vetëvrasje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Prokuroria vazhdon të mbledhë prova për këtë ngjarje komplekse. Sipas vlerësimit të prokurorit kompetent, paraburgimi është i nevojshëm për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së ndikimit mbi dëshmitarët dhe ekspertët, si dhe rrezikut që i dyshuari të përsërisë veprën penale.






