PUSHTETI DO DORËHEQJE OSE SHKARKIM! / Vazhdojnë reagimet për Këshillin Gjyqësor

    Partitë politike në vend në përpjekje për të “departizuar” gjyqësorin përmes mekanizmave politikë. Në këtë drejtim edhe debatet për reformën në sistemin gjyqësor në vend po intensifikohen, me parashtrimin e iniciativave nga më të ndryshmet që po shtynë përpara shumica parlamentare, por dhe opozita. Kështu, shumica parlamentare e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM edhe zyrtarisht e kanë dorëzuar interpelancën për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor që janë zgjedhur nga Parlamenti, njoftoi koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

    Interpelanca, siç tha Micevski, vjen edhe për shkak të asaj që deputetët e VMRO-së votuan kundër Raportit vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor, ndërsa Raporti për punën e Këshillit nuk u miratua nga Parlamenti. Micevski vlerëson se reformat në gjyqësor duhet filluar nga Këshilli Gjyqësor.

    “BE-ja dhe opinioni publik në vend vazhdimisht theksojnë mangësitë në punën e Këshillit Gjyqësor. Këto vërejtje janë të rëndësishme për reformat. Zgjidhja e këtyre sfidave është e domosdoshme për kthimin e besimit në sistemin gjyqësor. Këshilli Gjyqësor, që është një institucion kyç për shtetin e së drejtës dhe për këtë arsye çdo hije mbi punën e tij duhet të analizohet në mënyrë të hollësishme, ndërsa opinioni duhet të jetë i bindur se Këshilli punon në mënyrë të ndershme dhe profesionale. Qëllimi ynë është të japim kontribut dhe të mundësojmë një sistem gjyqësor më të mirë, më efikas dhe të pavarur. Duam të dërgojmë një mesazh se ka ardhur koha të vendoset rregull në sistemin gjyqësor të shkatërruar, përmes reformave serioze. Maqedonia duhet më në fund të ketë një sistem gjyqësor të pavarur dhe efikas”, tha koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Micevski, i cili nga press qendra e Parlamentit kërkoi mbështetje nga të gjitha partitë dhe deputetët opozitarë në Parlament.

    I pyetur se çfarë zgjidhje mund të ofrojë interpelanca, duke e ditur se në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk mund të shkarkohen anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Micevski tha se “prej diku duhet të fillojmë”.

    “Ne kemi pritur deri tani, Këshilli Gjyqësor vet do të ndërmarrë iniciativë dhe do të shqyrtojë raportin. Neni 100, pika 8 e Ligjit për Këshillin Gjyqësor ka paraparë se, në qoftë se Parlamenti nuk e miraton Raportin për punën e Këshillit Gjyqësor, ajo do të jetë bazë për thirrjen e debatit para organeve, të cilat i kanë zgjedhur anëtarët e Këshillit Gjyqësor, për vlerësimin e punës së tyre në këshill. Ne e kemi të lejuar të diskutojmë për punën e tyre, pasi janë të zgjedhur nga ne, ashtu që pas votimit të interpelancës, do ti shohim hapat e ardhshme nga ana e Këshillit Gjyqësor”, tha Miceski.

    Kjo iniciativë e VMRO-së për momentin nuk gjen përkrahje te LSDM-së opozitare. Këtë e ka njoftuar vet kryetari i Socialdemokratëve, Venko Filipçe, i cili ka kërkuar që për reforma në gjyqësi të ndërtohet një konsensus i të gjitha partive politike në vend. “Është e nevojshme një qasje kombëtare, mbipartiake, e cila do të sigurojë reforma në përputhje me rekomandimet evropiane. Për këtë, është e domosdoshme krijimi i një grupi të përbashkët pune në Parlament, i cili do t’i përcaktojë, kontrollojë dhe zbatojë bashkërisht reformat në këtë segment të ndjeshëm”, tha Filipçe.

    Duke komentuar deklaratat e kreut të LSDM-së Filipçe në lidhje me çështjen e Këshillit Gjyqësor, kryeministri Mickoski u shpreh se ka pritur që LSDM të ishte më racionale në deklaratat e saj. “Ajo që lexova ishte vërtet e papritur për mua. Mendoja se më në fund do të qëndronim bashkë për të siguruar një konsensus kombëtar dhe për të punuar së bashku për ndryshimet”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, i cili edhe njëherë u bëri apel të gjitha partive politike në vend të punojnë së bashku në procesin e reformave në gjyqësor.

    “Që të mos jetë e njëanshme, që të mos akuzohemi ne se po bëjmë diçka që është pjesë e koalicionit në Qeveri. Unë i ftoj të gjitha partitë politike parlamentare që ta punojmë këtë proces së bashku, të jetë gjithëpërfshirës, të krijojmë një praktikë të re. Të sigurojmë një konsensus shoqëror se na duhen ndryshime dhe ato ndryshime të ndodhin. Nuk mundet kurrsesi që shkaku të bëhet zgjidhje. Arsyeja për këtë gjendje në gjyqësor është pikërisht Qeveria që për 7 vite ishte aty ku ishte dhe pas vendimeve të saj ka shumë polemika dhe skandale, veçanërisht në gjyqësor. Nuk dua t’ju kujtoj ligjin e miratuar në mënyrë kontrabandë për ndryshimet në Kodin Penal me flamur evropian. Tani ata nga njëra anë po e paraqesin veten si zgjidhje”, theksoi kryeministri Mickoski.

    Ndërkohë, partia E Majta nismën e pushtetit për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, e konsiderojnë si ide për “mbushjen e gjyqësorit me gjyqtarë të përshtatshëm për ta dhe gjyqtarë nga blloku i tyre”. Nga kjo parti kanë dorëzuar në Parlament një projektligj për plotësimin e Kodit Penal, me të cilin propozojnë futjen e përgjegjësisë penale për gjyqtarët. Sipas zëdhënësit të kësaj partie, Amar Mecinoviq, opinioni publik e pret prej kohësh këtë projekt-ligj për shkak të mosbesimit të përgjithshëm në gjyqësor dhe pasigurisë juridike aktuale.

    “Propozohet që në Kodin Penal, pas nenit 353-v, të shtohet një titull dhe një nen i ri që ka të bëjë me shkeljen e ligjit nga gjyqtarët. Sipas Kushtetutës, secili është i detyruar t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën, përfshirë edhe bartësit e tre pushteteve. Pushteti gjyqësor ka një rol kyç në sigurimin e sundimit të ligjit. Ky zgjidhje është e nevojshme, sepse për një kohë të gjatë në Maqedoni askush nuk mban përgjegjësi për atë që qytetarët mendojnë dhe për atë që çon në rezultate shkatërruese. Ky ligj nuk është kundër gjyqësorit, por kundër korrupsionit në gjyqësor”, tha Mecinoviq në konferencën për shtyp në Parlament.

    Përndryshe, gjyqësori është një nga fushat më fragjile në vend, i cili sipas anketave dhe analizave karakterizohet si sektor ku qytetarët kanë besimin më të ulët, apo konkretisht vetëm 2% e qytetarëve të vendit i besojnë sistemit gjyqësor. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Shenjat që tregojnë se fëmija juaj po kalon shumë kohë në internet

    Lajmi i rradhës

    EKSPORTI DHE IMPORTI ME RËNIE / Këmbimi më i madh me Greqinë dhe Serbinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë