Pushuesit të pasigurt, rojet bregdetare mungojnë në plazhet shqiptare!

    Sezoni turistik ka nisur zyrtarisht në mes të majit dhe gjatë këtyre muajve ka pasur disa raste të humbjes së jetës në plazhet shqiptare. Fiks Fare kreu një vëzhgim për kullat e vrojtimit dhe vrojtuesit e plazhit në Durrës, Velipojë, Golem e Divjakë.

    Sipas rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit thuhet se “Të gjitha stacionet e plazhit duhet të garantojnë shërbimin me Vrojtues Plazhi, për çdo 80 m vijë lineare bregdetare dhe pajisjen me pika vrojtimi për çdo fraksion 80 m linear”.

    Pas vëzhgimit të Fiks Fare në Durrës, Golem, Divjakë e Velipojë vumë re se distanca prej 80 m mes pikave të vrojtimit nuk ishte respektuar e po ashtu mungonin edhe rojet bregdetare. Fiks Fare rastisi vetëm një roje bregdetare në Durrës e një tjetër në Velipojë.

    “Deri në 80% e kushteve plotësohen, ndërsa një 20% nuk plotësohet. Uniformën për shembull nuk mund ta mbajmë për shkak të vapës. Ndërsa megafonët na janë prishur më parë dhe nuk i kemi marrë më”, u shpreh vrojtuesi i plazhit në Durrës.

    “Ka disa mjete të tjera që kushtojnë me shifra mijëra euro, që nuk i sigurojmë dot dhe duhet të na ndihmojë shteti. Janë kanoet, skafet e shpëtimit, që i gjen në plazhet e Europës, se me një baywatch nëse janë 10 vetë çfarë do bëj një njeri i vetëm”, tha Sokol Kodrinaj, roje bregdetare në Velipojë.

    Por çfarë ndodh me institucionet?

    Fiks Fare u interesua në Prefekturën e Durrësit, e cila ka ngritur një taskë forcë prej muajit qershor për inspektimin e kullave të vrojtimit dhe rojeve bregdetare. Në një ditë Fiks Fare arriti të inspektonte një zonë prej 2 kilometrash në plazhin e Durrësit, ndërkohë taskforcës së ngritur nga prefektura i ishin dashur rreth12 ditë për të inspektuar një vijë bregdetrae prej gati5 kilometrash.

    Nga ana tjetër Bashkia e Divjakës në një përgjigje zyrtare u shpreh se ka vendosur 3 kulla vrojtimi dhe ka 3 roje bregdetare në zonën e plazhit publik. Bashkia Divjakë në përgjigjen e saj pranoi se janë marrë masa ndaj një vrojtuesi plazhi, që nuk është gjetur në vendin e tij të punës.

    Ndërkohë Agjencia Kombëtare e Bregdetit sqaroi në një përgjigje zyrtare se pikat e vrojtimit në plazhe nuk nënkupton prezencën e një kulle në aspektin ndërtimor, por thekson se subjektet e licencuara e kanë si detyrim ligjor që çdo 80 m vijë lineare bregdetare të kenë nga një vrojtues plazhi. Agjencia Kombëtare e Bregdetit thotë se aktualisht ka 801 vrojtues plazhi për gjithë Shqipërinë, por nga vëzhgimi disa ditor që kreu kamera e Fiks Fare në disa prej këtyre plazheve, vrojtuesit mungonin në terren. /tch/

    Lajmi Paraprak

    Rama pesimist për blerjen e energjisë elektrike

    Lajmi i rradhës

    Një 100 vjetor historik pa historinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë