Ikja vjen nga qeverisja e keqe!

    Emigracioni në vendet e Ballkanit Perëndimor është në nivele të larta, dhe ka një fluks të madh të të larguarve në raport me popullsinë. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në një analizë që publikoi së fundmi se si mund të konvergojë apo afrohet Ballkani Perëndimor drejt standardeve të jetesës në BE vuri në dukje se emigracioni i lartë ka si shtysë kryesore qeverisjen e keqe.

    “Qeverisja e dobët është një shtytës kryesor i emigrimit. Përvoja aktuale dhe e kaluar e emigracionit në Ballkanin Perëndimor ka treguar se korrupsioni ose paqëndrueshmëria politike është arsyeja më e rëndësishme për emigracionin”, vë në dukje analiza e BERZH.

    Nga 13 arsyet e ofruara për emigracionin, 66.7 për qind e të anketuarve në Ballkan vlerësuan korrupsionin ose paqëndrueshmërinë politike në vendin e tyre si shumë të rëndësishëm, ndërsa 19.2 për qind e konsideruan të rëndësishëm. Përqindja e të anketuarve që kanë zgjedhur këto dy opsione është më e lartë në mesin e atyre që emigruan në pesë vitet e fundit sesa ata që emigruan më herët. Mundësi më të mira punësimi renditen si arsyeja e dytë më e rëndësishme e emigrimit, e ndjekur nga pagat më të larta.

    Analizat e BERZH tregojnë se gjatë migrimit nga shtetet po ikin punonjës më të kualifikuar sesa punonjës me njohuri dhe aftësi mesatare. Nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, thonë se migrimi i punëtorëve të kualifikuar ndikon negativisht në produktivitet, por edhe largimi i punëtorëve me aftësi të ulëta mund të ketë efekte negative në rritje.

    “Emigrimi, veçanërisht i personeli të ri dhe të trajnuar, është një problem serioz për Ballkanin Perëndimor. Migrimet motivohen nga diferencat e të ardhurave në krahasim me vendet evropiane, që është rajoni kryesor i synuar. Por migrimi ndikohet edhe nga pakënaqësia me kushtet e brendshme politike dhe ekonomike”, thonë nga BERZH. Gjithashtu vlerësojnë se zgjidhja e problemit të migracionit është komplekse.

    Shtojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për rritjen e nivelit të të ardhurave, që është një pyetje e vështirë në vetvete, por edhe për krijimin e kushteve më të mira të jetesës në nivel lokal dhe kombëtar. Kjo nënkupton një funksionim më të mirë të institucioneve publike, të cilat u shërbejnë njerëzve në vend që të ndërlikojnë jetën e tyre, ofrojnë kujdes shëndetësor dhe arsim cilësor, por edhe një sistem gjyqësor në të cilin proceset gjyqësore do të jenë të drejta dhe nuk do të zgjasin me vite.

    BERZH vë në dukje se, grupi i ardhshëm i ekspertëve dhe profesionistëve në Ballkan dhe Maqedoninë e Veriut mund të kufizohet nga rënia e vazhdueshme e popullsisë për shkak të tendencave negative demografike veçanërisht, pasi një pjesë më e madhe e atyre me aftësi dixhitale kanë më shumë gjasa të emigrojnë.

    Ka tashmë shumë të dhëna nga të gjithë rajonet e BERZH-it, përfshirë Ballkanin Perëndimor, për të sugjeruar se punëtorët me aftësi shumë të kërkuara, si Teknologjia informatike, po migrojnë drejt ekonomive të përparuara me një nivel më të lartë page.

    Mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit po bëhet gjithnjë e më akute dhe duhet të adresohet me praktika gjithëpërfshirëse të punësimit që rrisin nivelet e pjesëmarrjes dhe aftësitë e grupeve të nën-përfaqësuara (për shembull, të rinjtë, gratë dhe pakicat), si dhe duke rritur formalizimin e punësimit sugjeron BERZH. Pagat po rriten me shpejtësi në sektorin e Teknologjisë informatike (midis 5 dhe 10 për qind në vit nga 2012 – 2020 kundrejt më pak se 1 për qind në BE-27), duke ulur konkurrencën e pagave në Ballkanin Perëndimor.

    Standardi i jetesës në Ballkanin Perëndimor është ende dukshëm më i ulët se ai në Bashkimin Evropian dhe mund të duhen deri në shtatë dekada që rajoni të arrijë nivelin evropian nëse trendet aktuale vazhdojnë, sipas një raporti të publikuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

    Raporti thekson sfidën e vazhdueshme të produktivitetit të ulët që rezulton nga investimet e pamjaftueshme historike, institucionet e dobëta, demografia e pafavorshme dhe një mjedis sfidues biznesi. Njerëzit në Ballkanin Perëndimor janë zakonisht shumë më të varfër se ata në BE, thuhet në raport.

    Sipas analizës së BERZH-it, produkti i brendshëm bruto (GDP) për frymë në Ballkanin Perëndimor, i përshtatur për barazinë e fuqisë blerëse, është më pak se gjysma e mesatares së BE-së, me një GDP mesatare për frymë prej 18.131 dollarë (16.827 euro). në vitin 2021 ka edhe dallime të rëndësishme në rajon, me GDP-në mesatare për frymë në vitin 2021 që varion nga 13.240 dollarë në Kosovë në 22.787 dollarë në Mal të Zi.

    Pavarësisht disa përparimeve në mbylljen e hendekut gjatë dy dekadave të fundit, ritmi i konvergjencës apo afrimit është ngadalësuar ndjeshëm që nga kriza financiare globale e viteve 2008-2009.

    “Rajoni ka bërë një rrugë të gjatë në dekadat e fundit, por ka ende një hendek të madh me BE-në”, tha presidenti i BERZH-it Odile Renaud-Basso në samitin vjetor të bankës së zhvillimit për Ballkanin Perëndimor në Londër. Ajo i përshkroi raportet si “shqetësuese”.

    Raporti thekson se arritja e konvergjencës së plotë me standardin e jetesës së BE-së do të kërkonte një përshpejtim të konsiderueshëm të ritmit të rritjes, me skenarë të ndryshëm që sugjerojnë afate kohore që variojnë nga dy deri në tre dekada në kushte optimiste deri në rreth 70 vjet nën parashikime më pesimiste. Sipas skenarit më optimist të zhvilluar nga banka, kjo mund të shkurtohet në 40 vjet.

    Problemi kryesor me të cilin përballen ekonomitë e Ballkanit Perëndimor është produktiviteti i ulët.

    “Rajoni ka pasur investime të pamjaftueshme për dekada të tëra, veçanërisht në infrastrukturë dhe në sektorin e energjisë. Bizneset përballen me probleme të përditshme, si korrupsioni, informaliteti dhe mungesa e kapaciteteve administrative të sektorit publik, të cilat janë të rrënjosura thellë dhe për rrjedhojë të vështira për t’u reformuar. Shumica e vendeve të këtij rajoni kanë regjistruar gjithashtu një rënie të popullsisë që nga vitet 1990 si pasojë e rënies së lindjeve dhe emigrimit të madh”, thuhet në raportin e BERZH-it.

    Raporti i Bankës detajon reformat që duhet të ndërmarrë rajoni i Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në fushat e qeverisjes, konkurrencës dhe qëndrueshmërisë mjedisore, nëse duan të arrijnë BE-në. Propozohet një qasje me tre drejtime që fokusohet në qeverisje më të mirë, rritje të hapjes ndaj tregtisë dhe investimeve dhe zhvillimit të gjelbër si mënyra kryesore për të promovuar rritjen e qëndrueshme dhe për të ngushtuar hendekun ekonomik me BE-në.

    Plani i ri i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i paraqitur në nëntor 2023, konsiderohet si një shtytës potencial për reformat shumë të nevojshme, të kushtëzuara me qasjen në financimin e përmirësuar të parashikuar në plan. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    DYFISHOHET ÇMIMI I BANESAVE NË SHKUP

    Lajmi i rradhës

    Qasja në edukim të hershëm për fëmijët në RMV, sfidë për vendin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë