Qendra moderne për autizëm në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës, drejt funksionalizimit

    Në rajonin e Pollogut mungon një qendër e specializuar për trajtimin e fëmijëve me autizëm, ADHD dhe sindromën Asperger. Hapja e një qendre të tillë do të ishte një lehtësim i madh për prindërit, të cilët aktualisht detyrohen t’i dërgojnë fëmijët e tyre në qytete të tjera për të marrë shërbimet e nevojshme profesionale. Së fundmi, kjo temë u ngrit nga drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, gjatë një takimi me ambasadorin e Bullgarisë në vend, i cili vizitoi këtë institucion shëndetësor. Sipas Elezit, në fokus të bisedimeve ishte iniciativa për hapjen e një Qendre moderne për autizëm në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës, një projekt me rëndësi të veçantë për rajonin e Pollogut dhe më gjerë.

    Gjatë takimit u theksua gatishmëria e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe sigurimin e mbështetjes për realizimin e këtij projekti, i cili pritet të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe në rritjen e cilësisë së jetës së fëmijëve dhe personave me autizëm.

    “Duke pasur parasysh se në Tetovë dhe rajon aktualisht nuk ekziston një qendër e specializuar e këtij lloji, qendra e planifikuar do të mundësojë zbulim të hershëm, ndërhyrje të hershme, vlerësim profesional dhe trajtim të specializuar për fëmijët me spektrin autik, përmes një qasjeje multidisiplinare dhe metodave bashkëkohore të punës. Njëkohësisht, qendra do të përfaqësojë mbështetje të rëndësishme edhe për familjet, përmes këshillimit, edukimit dhe ndihmës së vazhdueshme profesionale”, ka deklaruar drejtori Elezi. Sipas autoriteteve të Spitalit Klinik të Tetovës, projekti për themelimin e Qendrës Multietnike për trajtimin e fëmijëve me autizëm, ADHD dhe sindromën Asperger është iniciuar që në vitin 2019, kur janë siguruar edhe mjetet financiare për rikonstruktimin e objektit dhe pajisjen e qendrës.

    “Megjithatë, pavarësisht se pajisjet janë blerë dhe një pjesë e punimeve janë realizuar, qendra nuk ka arritur të vihet në funksion deri më sot. Gjatë viteve të kaluara, projekti është përballur me pengesa dhe zvarritje të shumta administrative, procedura të papërfunduara lidhur me objektin dhe ndryshime institucionale, gjë që ka bërë që një iniciativë me rëndësi të madhe për fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre të mbetet e bllokuar për një periudhë të gjatë kohore. Sot, pas disa vitesh pritjeje, procesi po riaktivizohet”, thotë Elezi për gazetën Koha.

    Ai është shprehur i gatshëm ta çojë përpara këtë iniciativë dhe të bashkëpunojë me institucionet kompetente në mënyrë që të përmbyllen procedurat e nevojshme dhe të nisë realizimi i projektit.

    “Qendra e planifikuar do të ofrojë terapi senzoriale dhe trajtim profesional nga staf i licencuar, duke përfshirë psikologë, edukatorë specialë dhe logopedë. Hapja e saj do të përmbushë një nevojë të kahershme të familjeve në Tetovë dhe rajonin e Pollogut, të cilat prej vitesh kërkojnë shërbime të specializuara për fëmijët me çrregullime të spektrit autik”, deklaroi drejtori Elezi. Rifillimi i këtij projekti përfaqëson një hap konkret drejt vënies në funksion të një investimi që prej vitesh ka mbetur në pritje dhe që ka potencial të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për dhjetëra familje dhe për komunitetin në tërësi, theksuan nga Spitali Klinik i Tetovës. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Bashkimi Europian po e shtrëngon politikën e migracionit

    Lajmi i rradhës

    Burgimi i përjetshëm, a po e ndal krimin? 

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë