Pas heqjes së Balancuesit si mekanizëm për mbrojtjen e përfaqësimit të drejtë, si dhe tentimeve për eliminimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në vend, tashmë Qeveria po mendohet të eliminojë edhe mekanizmin e votimit të dyfishtë, të quajtur ndryshime si votimi me Badenter. Është ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kuadër i partisë ZNAM, Igor Filkov, ai që ka paralajmëruar se “është koha të mendohet për revidim të mekanizmit të Badenterit”. Në intervistë për të përjavshmen “Focus”, duke folur për mundësinë e dështimit të miratimit të Kodit Zgjedhor në Parlament, pasi shumica parlamentare nuk e ka siguruar shumicën e votave të deputetëve shqiptarë, ka akuzuar se ’votimi i dyfishtë’ – Badenteri po abuzohet.
“Shpresoj që deri në kohën kur të publikohet kjo intervistë, Parlamenti do ta ketë përfunduar tashmë punën e tij të brendshme dhe nuk do të lejojë që të krijohet një boshllëk ligjor. Por nëse kjo nuk ndodh, atëherë po abuzohet përdorimi i shumicës Badenterit. Nëse po, atëherë ndoshta është koha të mendohet për nevojën e rishikimit të saj. Maqedonia duhet të ecë përpara”, ka thënë ministri Filkov, ndërsa nuk ka treguar se çfarë do të ndodhë me sistemin parlamentar mbrojtës të pakicave nëse eliminohet mekanizmi i Badenterit. Tashmë dihet se shumica qeveritare nuk i ka votat e deputetëve që votojnë me Badenter, në këtë rast votat shumicë të deputetëve shqiptarë, ndërsa kjo u pa për të satën herë edhe kur u tentua të miratohet ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Tetëmbëdhjetë deputetët e Frontit Evropian votuan “kundër” kundrejt 11 deputetëve të VLEN-it që votuan “për”. Badinter nuk kishte dhe votimi dështoi.
Nënkryetari i BDI-së dhe kandidati aktual për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, reagoi në profilin e tij në Facebook dhe shkroi se “kjo konfirmon se plani për të çmontuar Marrëveshjen e Ohrit po zbatohet hap pas hapi”. “Kjo konfirmon se plani për shpërbërjen e Marrëveshjes së Ohrit po zbatohet hap pas hapi”, shkruan Osmani.
Ashpër ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga. “Pasi kontestuan çdo gjë që ka të bëjë me shqiptarët – dygjuhësinë, Balancuesin, regjistrimin e popullsisë, ofendimet e përditshme, zeroizimin e punësimeve funksionarë minimalë ose pa asnjë peshë – shkuan aq larg, sa edhe vetë pushteti kriminal i Millosheviqit do t’ua kishte zili. Tash duan të rishqyrtojnë edhe votimin e dyfishtë, gjegjësisht të ashtuquajturin ‘Badinter’”, ka thënë ish-ministri Lloga, ndërsa akuzon se që në fillimet e veta, gjuha e kësaj qeverie ka qenë “destabilizimi”.
“U përpoqën të provokojnë në çdo fushë, por falë pjekurisë së faktorit politik shqiptar, dhe jo vetëm, u shmangën provokimet e përditshme. Konflikti i vitit 2001 u ndal falë përpjekjeve edhe të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët sollën pakon minimale të të drejtave të shqiptarëve. Këto për më shumë se dy dekada u zvarritën, u çvendosën, u minuan e shpeshherë u mohuan. Të kesh iluzionin fashist se je i zgjedhur për të ridefinuar shtetin sipas shijeve subjektive është naivitet dhe amoralitet në variantin më të mirë, e dashakeqësi në variantin më të keq – që në përkthim do të thotë ndarje e vendit dhe copën më të madhe (Juzhna Banovina) t’ia dhurosh Republikës Federale të ‘srpski svet’-it, duke gjetur fajtorin e përhershëm – shqiptarët”, akuzon Lloga, ndërsa shton se Maqedonia e Veriut është shtëpia e të gjithëve ne dhe jo e ca oligarkëve apo udbashëve të djeshëm të maskuar si politikanë apo biznesmenë.
“Të gjitha veprimet e një viti të kësaj qeverie antimaqedonase dhe antishqiptare janë një koleksion i qartë për mendjet e kthjella maqedonase se dikush dëshiron t’ua përçajë e ndajë shtetin, por janë edhe një koleksion i jashtëzakonshëm faktesh për faktorin ndërkombëtar, veçanërisht për nënshkruesit dhe garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit. Ministri i paaftë e dembel, që nuk ka lëvizur asgjë për një vit, edhe pse ka pasur gati dhjetëra projektligje të trashiguara për t’i procesuar me kohë, urgjentisht duhet të tërheqë këto fjalë dhe të kërkojë falje. Ndryshe, ai është lajmëtar ogurzi për popullin dhe shtetin tonë. Ky ministër duhet thirrur në Prokurori, sepse po sfidon rendin kushtetues dhe ligjor të shtetit që aksidentalisht e ka bërë – jo pak, por – ministër të Drejtësisë”.
Ndryshe, shumë ligje janë bllokuar në Parlament, pasi shumica qeveritare nuk ka arritur të sigurojë votimin e dyfishtë, konkretisht mekanizmin e Badenterit. Opozita shqiptare ka 18 deputetë si pjesë të Frontit Evropian, ndërkohë që VLEN-i vetëm 11. Kësaj të fundit nuk i kryejnë punë as tri votat e VMRO-së dhe dy të LSDM-së që hyjnë në grupin e deputetëve që votojnë me Badenter. Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, “reformat” në drejtësi”, Ligji i Kulturës…. janë vetëm disa nga Ligjet që duhet miratuar me Badenter e që shumica nuk e ka.
Megjithatë, është ZNAM-i, si partner në Qeveri, që në kontinuitet ngacmohet me marrëdhëniet ndëretnike. Ministri i Administratës i kësaj partie, Goran Minçev që ditën e parë kur e mori mandatin, ndërpreu komunikatat në gjuhën shqipe për mediat, ndërsa nuk e azhurnon faqen zyrtare të ministrisë me lajme dhe aktivitetet edhe në shqip. Veç kësaj, uli numrin e përqindjes së përfaqësimit të drejtë, duke hequr si numër “shqiptarët jorezidentë” dhe, nga 29.5 për qind, shqiptarët ranë në 24.5 për qind. Veç kësaj, Minçevi në disa raste ka qenë i ashpër edhe me partnerët e tij në Qeveri që vijnë nga koalicioni VLEN. Në një rast, duke demantuar zëvendëskryeministrin e parë, Minçevi e quajti Izet Mexhitin “Liza në Botën e çudirave”.
BDI: IDE JANË TË RREZIKSHME JO VETËM PËR VENDIN
Ndaj këtyre deklaratave reagojnë ashpër nga BDI. Nënkryetari I BDI-së Arbër Ademi tha se këto ide janë të rrezikshme jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin. Maqedonia e Veriut, sipas Ademit, është shtet multietnik dhe si e tillë duhet të vazhdojë të funksionojë.
“Për fat të keq, çdo ditë e më shumë po i jepet hapësirë partive politike apo politikanëve, të cilët kanë ide të rrezikshme dhe të cilët mendojnë se shtetet multietnike nuk janë funksionale, të cilët janë luftëtarë të shteteve të pastra etnike. Ide të tilla dhe ideolog të tillë janë tejet të rrezikshëm, për shkak se me atë acarohen dhe cenohen marrëdhëniet ndëretnike. Ne jemi dëshmitarë se kjo qeveri ka agjendë që në mënyrë sistematike ta sulmojë Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa kjo u dëshmua me një sërë veprimesh, me anulimin e Balancuesit, me mosrespektimin e përfaqësimit të drejtë, me mosrespektimin e gjuhës shqipe dhe ligjit për gjuhën shqipe, me atë që VMRO-DPMNE kërkoi që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë nene të ligjit për gjuhën shqipe. Në këto momente edhe pse kemi ligj për përdorimin e gjuhëve, mbi 100 institucione, flasin vetëm në një gjuhë”, theksoi Ademi. Më tej, nënkryetari i BDI-së Ademi ka akuzuar qeverinë se padrejtësisht po ul numrin e këshilltarëve në komuna.
“Qeveria po cenon përfaqësimin e drejtë nëpër komuna duke e ul numrin e këshilltarëve, në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim me ligjin. BDI shpreh shqetësim të thellë për vendosmërinë e qeverisë në zbatimin e vendimit të marrë në qershor për uljen e këshilltarëve”, tha Ademi. Ai thotë se ky vendim bie ndesh edhe me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale ku thotë se numri i këshilltarëve përcaktohet nga numri i banorëve pa bërë dallim në rezidentë dhe jorezidentë. Ademi tha se edhe Gjykata Kushtetuese mori vendim që banorët nuk mund të ndahen në rezidentë dhe jorezidentë.
ASH: DEKLARATA E FILKOVIT RREZIKON PËRFAQËSIMIN E SHQIPTARËVE
Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësim të thellë për deklaratën e Igor Filkov, ministrit të Drejtësisë, për mundësinë e rishikimit të shumicës së Badenterit. Ky mekanizëm, sipas ASH-së, është themelor për garantimin e përfaqësimit të komunitetit shqiptar në institucionet e Maqedonisë së Veriut. “Deklarata e ministrit është e papranueshme dhe përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për të drejtat dhe përfaqësimin e shqiptarëve. Pas heqjes së Balancuesit, tani kërkohet edhe heqja e Badenterit, duke vënë në rrezik barazinë etnike dhe parimet demokratike”, thekson Aleanca për Shqiptarët.
Aleanca gjithashtu akuzon koalicionin qeverisës VLEN. “VLEN vazhdon të jetë mbështetës i çdo nisme antishqiptare të qeverisë jolegjitime. Me heshtjen dhe pranimin e veprimeve të tilla, VLEN po rrezikon interesat dhe të drejtat e shqiptarëve, duke e legjitimuar politikën diskriminuese të këtij pushteti”, thuhet në reagimin e ASH-së. Ndërsa kërkon nga të gjitha institucionet dhe faktorët ndërkombëtarë “të ndërhyjnë dhe të ndalojnë këtë ofensivë kundër përfaqësimit të shqiptarëve, sepse çdo tentativë për të hequr mekanizmat e garantimit të barazisë etnike është një sulm ndaj demokracisë dhe stabilitetit të vendit.”
MICKOSKI: BADENTERI, PJESË E MARRËVESHJES KORNIZË
Megjithatë, kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur se nëse kjo qeveri mendon të revidojë Badenterin, ai tha se ky parim është pjesë e marrëveshjes kornizë, e cila është temë e mbyllur. E vetmja gjë sipas Mickoskit që duhej ndryshuar ishte mekanizmi i balancuesit, ndërsa tha se me ligjin e ri për përfaqësim të drejtë, punësimet do të bëhen duke u marrë për bazë cilësitë e kandidatëve, e jo vetëm përkatësia etnike.
“Ajo është pjesë e marrëveshjes kornizë, marrëveshja kornizë është pjesë e Kushtetutës. Marrëveshja kornizë është tërësisht i plotësuar dhe i mbaruar dhe ajo është temë e mbaruar dhe e mbyllur. Ajo që paraqiste problem institucional, ishte Balancuesi, e dini, ne kemi ofruar ligj për përfaqësim të drejtë, i cili përskaj përkatësisë etnike, do të ketë komponentë që do të vlerëson kandidatët në bazë të cilësisë, aftësive e kështu me radhë. Ai është për momentin në Komisionin e Venecias, presim mendim nga ky komision dhe pres që kur të marrim mendimin atë ligj ta miratojmë në Parlament”
Përndryshe parimi i Badenterit është një mekanizëm kushtetues i vendosur pas Marrëveshjes së Ohrit, i cili parashikon votim me shumicë të dyfishtë për ligjet dhe vendimet që prekin drejtpërdrejt të drejtat e komuniteteve etnike. Përveç shumicës së përgjithshme të deputetëve, kërkohet edhe shumica e votave nga deputetët që i përkasin komuniteteve që nuk janë shumicë në vend. Ky parim zbatohet në Parlament, në këshillat komunalë dhe në institucione të tjera shtetërore, sidomos për çështje që lidhen me gjuhën, simbolet, arsimin dhe kulturën. Qëllimi i tij është të sigurojë barazi ndëretnike dhe të parandalojë vendimmarrjen njëetnike. /Koha/






