Qeveria krijon tema për shpërqendrim të opinionit

    Kush do të votojë “Pro” dhe kush do të jetë kundër projektligjit për amnisti që dje me procedurë të shkurtuar arriti në Parlament? A nënkuptojnë qëndrimet kontradiktore për amnistinë mes zyrtarëve qeveritarë një ndarje më të thellë mes partnerëve të koalicionit, por edhe brenda vetë LSDM-së? A do të ketë sukses Ministria e Mbrojtjes të ngrejë përmendore në Fushat e Lubotenit, Karpallak dhe Vejce pas “zënkës” që pati me autoritetet lokale? A do të thotë paralajmërimi për një muze të UÇK-së në Haraçinë kundërpërgjigje e pushtetit lokal të BDI-së ndaj socialdemokratëve?

    Pyetje të tilla janë në krye të diskursit politik në vend këto ditë. Por a janë këto hallet më të mëdha që mundojnë qytetarët apo janë thjesht një fasadë politike që fsheh probleme dhe afera reale dhe më të rëndësishme për të cilat opinioni kërkon zgjidhje dhe përgjigje.

    “Nëse hapen probleme reale, partitë u bie rejtingu. Prandaj përdorin një metodë të njohur defokusimi dhe me patriotizëm për të ruajtur dhe rritur rejtingun. LSDM dhe BDI përdorin fjalën BE, dhe VMRO-DPMNE, himne, flamuj dhe monumente. Të gjitha këto gjëra janë truke të PR agjencive të tyre”, ka deklaruar për KOHA, Dame Çkatroski, analist.

    Duke folur për temat që janë në fokus të opinionit, analisti Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për Hulumtime Politike, konsideron se problemet reale si skandali me terapitë e Klinikës së Onkologjisë po shmangen dhe po imponohen të tjera si projekt-ligj për amnisti që ai e quan një “problem të krijuar”. Pas deklaratave të kryeministrit Dimitar Kovaçevski se do të paraqiten ndryshime në ligj për të cilin qeveria vetë dha dritën jeshile nëse përfshin persona të dënuar për rastin “Monstra” në vitin 2012, Bozhinovski sheh dy skenarë – ose nuk ka koordinim se çfarë qeveria po bën dhe çfarë sugjeron apo ka një tentativë për një lloj defokusimi për pikat e vogla politike.

    “Të njëjtën gjë e kemi edhe me ministrin e Punëve të Brendshme që është pjesë e asaj qeverie dhe thotë se jam kundër ligjit për amnisti. Nëse kryeministri nuk e di se çfarë përbëhet, ministri i brendshëm është kundër, atëherë kush është pro? Ajo lë, së pari, një përshtypje të mendjelehtësisë së plotë, dhe së dyti, përsëri tenton për manipulim. Ne jemi të vetëdijshëm se në vitet e kaluara ajo që realisht duhej të zgjidhej ishte vërtet një skandal, thjesht çdo gjë ose u fut nën qilim ose u morën vendime që janë jashtë çdo logjike”, thotë Bojinovski.

    Sipas tij, ajo që po ndodh është defokusimi i opinionit nga një skandal duke krijuar një të ri. Ai thotë se  autoritetet mendojnë se njëri mund të bëjë më pak dëm se tjetri.

    “Nuk kemi as tentativa për t’u defokusuar në diçka që do të ishte, le të themi pozitive, diçka që do të përfitonte nga qeveria. Ne kemi një përpjekje për të përputhur një negative me një temë tjetër negative që mund të jetë më pak negative se kjo e para. Ka ndodhur me Onkologjinë. Pas onkologjisë janë miratuar ndryshimet në Kodin Penal”, shton Bozhinovski.

    Projektligji për amnisti, tek i cili u drejtuan sytë, duhet t’u kalojë deputetëve. Pritet të jetë në rendin e ditës së një seance javën e ardhshme pasi ministri i Drejtësisë Krenar Lloga të kthehet nga një udhëtim pune pasi tha se dëshiron ta mbrojë vetë ligjin në parlament. Aty, megjithatë, VMRO-DPMNE paralajmëroi bllokadë. Lloga në një konferencë për media e ka arsyetuar projektligjin duke thënë se ka mbipopullim në burgje dhe nuk ka mundësi risocializim. Pasi projektligji mori “dritë” nga Qeveria, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, u shpreh se nuk është koha për amnisti, se nuk do të ndihmojë sepse do të përfshijë një numër të vogël njerëzish, dhe se përvojat e kaluara tregojnë se shumica e atyre që janë amnistuar, kthehen në burg për shkak se kanë kryer një krim të ri.

    Përmendoret e “branitellave” të vitit 2001 që Ministria e Mbrojtjes dëshiron të vendosë në Fushat e Lubotenit, Karpallak dhe Vicës janë kthyer në fokusin e opinionit pas mosmarrëveshjeve fillestare me autoritetet lokale. Nga kjo Ministri bëjnë të ditur se kanë nisur një procedurë që nuk do të kërkojë pëlqimin e komunave. Qeveria detyroi institucionet, vendet ku janë planifikuar përmendoret t’i caktohen Ministrisë. Në ndërkohë mediat raportuan se Komuna e Haraçinës planifikon ndërtimin e muzeut të UÇK-së, që ishte një nga premtimet e parealizuara të kryetarit Ridvan Ibrahimi dhe se po zgjidhet lokacioni për këtë objekt.

    Lajmi Paraprak

    Rregulla të reja për pajisje me letërnjoftim

    Lajmi i rradhës

    Çfarë i bashkon grupet ultranacionaliste serbe dhe rumune?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë