Qeveria lehtësoi masat anti-Covid, por fëmijët vazhdojnë mësimin me maska

    Fotografi ilustruese

    Nxënësit e klasës së parë deri në të katërt, maskën e mbajnë rreth 5 orë ndërsa ndjekin mësimin në shkollë. Nxënësit e klasave të larta ndërkaq për shkak se kanë më shumë orë mësimore, maskën e mbajnë për rreth 7 orë. Nxënësit ankohen se e kanë të vështirë që maskat t’i mbajnë aq gjatë.

    “Është shumë e vështirë t’i mbajmë maskat, në fillim ka qenë tepër e vështirë tani jemi mësuar pak por prapë është vështirë. Nuk është aq e lehtë ta mbash maskën 7 orë radhazi pa e hequr fare dhe për këtë arsye do doja të mos jetë e detyrueshme”, tha Vjosa Ibrahimi, nxënëse.

    “Neve na lejohet vetëm në pushim të gjatë t’i heqim maskat edhe atë jashtë kur jemi”, theksoi Enes Osmani, nxënës.

    Meqë maskat medicinale kanë efikasitet dhe mbrojnë vetëm dy orë, nxënësit detyrohen që gjithë kohës të kenë maska rezervë të cilat i blejnë vetë.

    “Unë mbaj maskë rezervë çdo herë, sepse ndonjëherë maskës i vjen era dhe duhet ta ndërroj”, tha Ardi Daci, nxënës.

    “Maskat i blej vetë te shitorja afër shkollës që ndodhet. 10 denarë është një maskë, është pak shtrenjtë jo shumë. Kur blej maska blej ma shumë dhe i kam për gjithë javën”, theksoi Andi Nuhiu, nxënës.

    Arsimtarët thonë se nxënësit e klasave të ulëta janë më të disiplinuar dhe respektojnë masat. Ndërkohë moshat më të mëdha të nxënësve më vështirë kontrollohen.

    “Fëmijët e vegjël janë mësuar me maskat, sepse që vitin e kaluar kanë mbajtur maska në shkollë, flas për fëmijët e klasës 1-3. Besoj se për të gjithë ne, si për nxënësit më të mëdhenj ashtu dhe për mësuesit është e vështirë, por pandemia është e tillë dhe duhet t’i respektojmë protokollet”, theksoi Gorica Boshkovska, mësuese në sh.f “Kirili dhe Metodi” Shkup.

    “Mbajnë maska në mëngjes, në kohën e konsumimit të ushqimit i largojnë ato pastaj i vendosin përsëri derisa largohen nga shkolla. Jashtëzakonisht është e vështirë të kontrollohet, mosha e tyre kërkon shumë lirshmëri dhe kushtet janë të tilla, patjetër që është një numër i madh, 30 nxënës dhe është pak më e vështirë të punohet”, theksoi Gjenovefa Shabani, arsimtare në sh.f “Istigball” Tetovë.

    Ministria e Shëndetësisë për ALSAT tha se për momentin nuk shqyrtohet mundësia për heqjen e maskave në shkolla.

    “Komisioni për sëmundje ngjitëse nuk ka bërë ndryshim të protokolleve, ata mbeten të njëjta”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Inspektorati sanitar shëndetësor, nga fillim viti shkollor e deri më tash ka kryer mbi 500 kontrolle të jashtëzakonshme në gjithë shkollat e mesme dhe fillore të vendit, për të parë nëse po respektohen protokollet kundër Kovid19 apo jo. Deri më tani nuk ka hasur në shkelje.

    Lajmi Paraprak

    SHBA-BE: Të hiqen barrierat për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

    Lajmi i rradhës

    Komuna e Tetovës i mbylli sytë për të sakrifikuar gjelbërimin për interesa grupore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë