Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe vazhdon të shkelet me të dyja këmbët nga institucionet shtetërore. Kështu mund të konstatohet nga Raporti më i fundit i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, në të cilin jepet një pasqyrë statistikore për të gjitha aktet e shpallura në Gazetën Zyrtare gjatë vitit 2021. Nëse sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, neni 17, të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet e institucioneve që publikohen në Gazetën Zyrtare domosdoshmërish duhet të shpallen – përveç maqedonishtes, edhe në shqip (gjuhën që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve), Qeveria, kryeministri, ministrat, agjencitë e ndryshme – as që kanë denjuar të respektojnë atë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e kanë zbatuar 100 për qind, ose pjesërisht ligjet në fuqi. Nëse do të bëhet një krahasim me raportet e dy viteve më parë të Agjencisë për Përdorimin e Gjuhëve, situata është thuajse e njëjtë.
Avancim në respektimin e ligjit shihet tek Parlamenti, i cili vitin e kaluar e ka zbatuar plotësisht duke i publikuar të gjitha shpalljet edhe në gjuhën shqipe. Po ashtu, korrektë në përdorimi ne gjuhës shqipe janë Ministria e Punëve të Jashtme, Komisioni i Letrave me Vlerë, Komisioni Rregullator i Energjetikës, Komisioni i zgjedhjeve. Sa i takon institucioneve të tjera që e zbatojnë pjesërisht ligjin për gjuhën shqipe në përqindje më të lartë – renditet Këshilli Gjyqësor (87 për qind), Agjencia e mbikëqyrjes së sigurimit pensional (44 për qind) Enti Shtetëror e Statistikës (25 për qind), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe Banka Popullore (15 për qind). Që do të thotë se nga gjithsej 56 institucione, vetëm 13 prej e zbatojnë plotësisht e pjesërisht detyrimin ligjor për të publikuar shpalljet edhe në shqip.
Sa i takon 410 pyetësorëve anketues të cilat APGJ ia ka drejtuar institucioneve në nivelin qendror dhe lokal lidhur me problemet për përdorimin e shqipes, më pak se gjysma prej tyre u plotësuan. Ajo që bie në sy është se një pjesë e mirë e institucioneve të anketuara (72 për qind) deklarohen se nuk kanë parashikuar vende pune për përkthyes, ndërsa më shumë se gjysma as që kanë ndarë fond për përkthime për këtë vit. Të pyetur se në cilën formë mund t’u ndihmohet për të zbatuar përdorimin e gjuhës shqipe – 39 për qind “s’kanë përgjigje” dhe 37 për qind të tjerë thonë se “do të kërkojnë ndihmë nëse kanë nevojë”. Përgjigjet e pyetësorëve janë dhënë në 66 për qind të rasteve në maqedonisht dhe vetëm 3 në shqip, ndërsa në dy gjuhë “kanë shkruar” më pak se gjysma e të anketuarve.
Raporti i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve i publikuar së fundmi nga ky institucion për punën e vitit të kaluar, po ashtu evidenton se gjatë vitit të kaluar, në AZGJ janë dorëzuar vetëm 90 kërkesa për përkthim dhe 381 materiale për lekturim. “Qeveria duhet të intensifikojë aktivitetet në ngritjen e vetëdijes për zbatimin e vendimit ligjor të zbatimit të gjuhëve.., organet e pushtetit, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, private vendase e të huaja…shtetërore, të zbatojnë detyrimet për Ligjin për përdorimin e gjuhëve”, thuhet në rekomandimet e Raportit. Po ashtu, APGJ kërkon të ndërmerren aktiviteteve për rregullimin e çështjes së dhënies së licencave për lektorë, kërkon që Qeveria në bashkëpunim me MASH të nxisë kërkesat për regjistrim të studentëve në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. /Kohamk/