QYTETI I KULTURËS | Pallanka para Tetovës, Gostivarit dhe Strugës

    Qendra e Tetovës / Fotografia: Nistori

    Shpallja çdo vit e një “Qyteti të Kulturës” vijon me traditën e zhvillimit të konkursit nga ana e Ministrisë së Kulturës, pavarësisht se komunat që konkurrojnë janë maksimumi dy syresh. Për herë të dytë apo të tretë, stafeta “Qytet i Kulturës” kalon nga një komunë maqedonase në tjetrën, ndërsa asnjëherë nuk është zhvilluar në një komunë shqiptare. Përveç asaj të Kërçovës që e fitoi gjatë periudhës së pandemisë dhe nuk arriti ta realizonte. Një pjesë e komunave kanë arsyetuar mospjesëmarrjen me vonesat në hartimin e programit të detajuar, fondin e vogël që akordohet nga Ministria e Kulturës, apo edhe në refuzimet që i janë bërë kur kanë konkurruar. E tillë është rasti me komunën e Tetovës që ka konkurruar dy herë, por programi i prezantuar prej tyre nuk ka marrë asnjëherë miratimin e ministrisë, duke sjellë që komuna të heqë dorë nga aplikimi vitet e tjera. Ndërsa komuna të tjera urbane, si Dibra, Gostivari…, nuk kanë treguar ndonjë interesim.

    Nga ana tjetër, ka nga ato komuna maqedonase të cilat shpallen edhe për herë të dytë, apo të tretë “Qytet Kulture”. Të rregullt në konkurrim janë Radovishi, Manastiri, Prilepi, Kumanova, Shtipi, Velesi, Kavadari, Gjevgjelia, Koçani, Kriva Pallanka, Krusheva.

    Këtë vit fitues ishte Kriva Pallanka, për herë të dytë, për “programin e pasur dhe koncept të qëndrueshëm, me përmbajtje nga zhanre të ndryshme, nga krijimtaria tradicionale dhe bashkëkohore, me pjesëmarrjen e artistëve vendas dhe të huaj”e cila konkurroi së bashku me Velesin. Komuna e Kriva Pallankës ka prezantuar të premten programin e këtij manifestimi që do të zgjasë deri në fund të këtij vit – gjithsej 50 manifestime për të cilat Ministria e Kulturës ka akorduar fondin prej tre milionë denarësh, ndërsa vetë komuna ka vënë në dispozicion 10 milionë denarë.

    Shpallja “Qytet i kulturës” është konsideruar privilegj , por që sipas organizatorëve është rezultat i angazhimit të institucioneve vendase të kulturës gjatë viteve të fundit.

    “E gjithë kjo që kemi bërë si komunë me investime në kulturë dhe ngritjen e nivelit të organizimit të të gjitha manifestimeve kulturore, na kanë sjellë nderin të jemi bartës të një titulli kaq të rëndësishëm, presim jo vetëm të tërheqim vëmendjen e publikut, por edhe për të krijuar zhvillim afatgjatë të qytetit. Ne kemi përvojë, njohuri, kemi kapacitete ta zbatojmë këtë koncept të madh, edhe pse jemi një qytet i vogël. Me angazhim maksimal do të punojmë për ta justifikuar besimin që morëm nga Ministria e Kulturës, pas më shumë se një dekade, kur ishim Qytet i kulturës”, u shpreh kryetari i komunës, Sasho Mitovski.

    Manifestimi, filloi të realizohet fiks 20 vjet më parë dhe synonte krijimin e kushteve për zhvillim të ekuilibruar kulturor, disponueshmërinë e vlerave kulturore për qytetarët, si dhe rigjallërimin e kulturës në nivel lokal. Në konkurs marrin pjesë të gjitha komunat, me përjashtim të qytetit të Shkupit dhe komunave në qytetin e Shkupit. Interesimi po bie edhe nga komunat maqedonase. Nuk dihet nëse Ministria e Kulturës do të vijojë me këtë konkurs edhe pse vitet e fundit aplikimet bëhen nga jo më shumë se dy komuna. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Paratë e diasporës për nevoja familjare, larg investimeve strategjike

    Lajmi i rradhës

    RMV-ja prej vendeve me krimin më të ulët në rajon

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë