Radoiçiq: Vrasja e policit ishte aksidentale, nisëm një luftë mes dy palëve

    Deri sa nuk jep detaje se si kishte ndodhur komplet ngjarja ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe pse u qëllua në drejtim të veturës në të cilën ishte ai, Milan Radoiçiq konfirmoi se i priu sulmit terrorist të 24 shtatorit duke lënë të nënkuptohet se pati gabime në planin e tij, njofton Kallxo, përcjell Nistori.

    Në letrën e Radoiçiq, të cilën e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq, u tha se vrasja e policit Afrim Bunjaku kishte ndodhur gabimisht e që menjëherë pas këtij veprimi dy palët, grupi terrorist dhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës nisën një luftim. 

    Policia e Kosovës i është kundërpërgjigjur sulmit terrorist që erdhi në mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit nga grupi terrorist që përbëhej nga më shumë se 30 persona e që ishin vendosur në Banjskë. 

    Radoiçiq, në një letër të cilën e lexoi në konferencë për media avokati i tij Goran Petronijeviq, merr përgjegjësinë për të gjithë ngjarjen në veri si dhe konfirmon se ishte aty. 

    Për këtë ai tha se nuk kishte njoftuar as pjesëtarë të Qeverisë në Serbi e as ato lokale në veri. 

    “Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike”- thuhet në letrën e Radojiçiq, që lexoi avokati i tij. 

    Tutje ai ka thënë se në disa prej rasteve kur pati tensione në veri, strukturat serbe janë tërhequr.

    “Në disa raste jemi tërhequr pa arritur ndonjë rezultat më të prekshëm sepse na thuhej se në këtë mënyrë do të kontribonim në deeskalim dhe se KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare do të ndërmarrnin cdo gjë që është e nevojshme për të mbrojtur popullin serb”- tha tutje ai në letër duke shtuar se ani pse vepruan kështu sërish u konsiderua si dobësi e serbëve. 

    Të gjitha këto veprime sipas letrës kanë bërë që Radojiçiq të kërkojë të drejtën e popullit serb që jeton në katër komunat me shumicë serbe dhe kishte mbledhur një grup me ç’rast edhe ishin nisur drejt Zveçanit. 

    “Thjeshtë të gjitha këto metoda të rezistencës të cilat janë implementuar deri më tani nuk kanë ofruar asnjë përmirësim të jetës së popullit serb, por ka ndodhur e kundërta. Në këtë atmosferë unë kam marrë vendim të bëj këtë akt sepse Kosova është vendi im, shtëpia ime, pjesë përbërëse e shtetit tim, po merret me dhunë ndërsa populli serb dëbohet me qëllim përfundimtar që Kosova të pastrohet nga populli serb”- është shprehur Radoiçiq. 

    Ai përmendi edhe bashkësinë ndërkombëtare se nuk do të lejoj terrorin ndaj popullit serb. 

    Në fund të letrës së tij, Radoiçiq përmend edhe vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku. 

    “Gabimisht ka ndodhur humbja e jetës së policit dhe pastaj ka filluar një përleshje e rëndë mes dy palëve ku kemi humbur jetën e tre heronjëve tanë që kanë dhënë jetën për mbrojtjen dhe lirinë e Kosovës, ta dinë të gjithë që nuk jemi terroristë por pushtetarë për lirinë e popullit tanë”- thotë letra e Radoiçiq. 

    Pas kësaj ai deklaroi se nuk e kishte bërë këtë aksion si pjesë e pozitës politike në Zveçan dhe si nënkryetar i Listës Serbe andaj edhe konfirmoi dorëheqjen e tij nga ky post. 

    Në lidhje me letrën e lexuar nga avokati i Radoiçiq, është konfirmuar pjesëmarrja e Radoiçiq në sulmin terrorist të 24 shtatorit. Ai po ashtu ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

    Kush është avokati i Radoiçiq?

    Goran Petronijeviq, avokati i Millan Radoiçiq, pas diplomimit në vitin 1983, u punësua në Gjykatën e Parë Komunale të atëhershme në Beograd si praktikant, më pas si bashkëpunëtor profesional dhe nga viti 1989 si gjyqtar.

    Në vitin 1996 u zgjodh gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Beograd dhe në vitin 1997 u bë zëvendëskryetar i Gjykatës së Qarkut në Beograd.

    Nga viti 1998 deri në qershor 1999 ka qenë gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe gjykatës hetues special i Ministrisë së Drejtësisë së RFJ-së për hetimin e krimeve të luftës në territorin e Kosovës.

    Ai është avokat që nga qershori i vitit 2001.

    Si avokat ka mbrojtur rastet më të njohura në fushën e krimit të organizuar dhe krimeve të luftës para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare. Klientët e tij më të famshëm janë Rade Markoviq, ish-shefi i Sigurimit të Shtetit të RFJ-së (njeriu i shërbimit ushtarak në shërbimin civil serb), Aco Tomiq, ish-shefi i Sigurisë Ushtarake të RFJ-së, Veselin Šljivančanin – para Tribunalit të Hagës, Radovan Karaxhiq, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, i cili u dënua për gjenocid në Tribunalin e Hagës.

    Ai është themelues i Lëvizjes për Serbinë, shtëpisë mediatike “Russian Express” dhe organizatës joqeveritare “Qendra për rivendosjen e së drejtës ndërkombëtare”. Subjekt politik serb, i financuar nga Rusia.

    Lajmi Paraprak

    LSDM-ja nuk do ta votojë ligjin për amnisti?

    Lajmi i rradhës

    Murtezani: Pse Lloga dhe ASh vazhdojnë të qëndrojnë si dekor në Qeveri nëse nuk mund ta heqin macen nga përsheshi?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë