Rama akuzon BE-në: Jeni duke përdorur standard të çmendur të dyfishtë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një simpoziumi të organizuar nga ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou në Athinë, foli për pengesat me të cilat po ndeshen vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

    Kryeministri Rama u shpreh i zhgënjyer nga mosmbajtja e premtimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, duke përmendur rastin e fundit të bllokimit nga Bullgaria, por ai gjithashtu vuri theksin dhe tek pretendimet absurde të disa vendeve të tjera anëtare.

    “KE tha se jeni gati të nisni bisedimet për anëtarësim dhe sipas mendimit tim kur e thotë KE ai është organizmi më i duhur për ta thënë këtë. Pse kush tjetër në Athinë, Paris apo Hagë ka një ekip që punon me kohë të plotë për të marrë të dhëna që ke plotësuar kushtet? Dasmën e parë nusja nuk erdhi, dasma e dytë nusja sërish nuk erdhi epo nuk ka përgatitje për dasmë të tretë, vafsh në djall. Janë dhe këto kushtet e çuditshme, ‘pranverës tjetër’ dhe kur vjen pranvera bëhet vjeshtë dhe i tërë vendi mbetet sikur është tradhtuar nga nuk e di se kush”, u shpreh z. Rama.

    Përballë vështirësive që po hasin në procesin e integrimit, kryeministri i Shqipërisë tha se rruga më e mirë për vendet e rajonit është krijimi i një tregu të përbashkët. Ai tha se e sheh si një mundësi të madhe që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të krijojnë një zonë që funksionon sipas rregullave që kanë mes tyre vendet e BE-së.

    “Koha e pritjes së kamionëve në kufijtë ballkanik për të tregtuar apo për të kaluar përmes tyre për të shkuar në Selanik apo Durrës është 1100 vjet në vit. Kamionët presin 1100 vjet në kufi vetëm për të kaluar barrierat jo tarifore të rajonit dhe për të paraqitur dokumente. Zgjidhja do të ishte çlirimi i një potenciali. Efekti në PBB do të jetë shumë i madh vetëm duke hequr barrierat jo tarifore në rajon”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

    Z. Rama foli për vështirësitë që hasën në konkretizimin e idesë që është emërtuar si “minishengen”, ku fillimisht pati kundërshti nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ndërsa tani janë Kosova dhe Bosnje-Hercegovina që dalin kundër.

    “Humbëm disa vite sepse Vuçiç donte vetëm lëvizje të lirë të mallrave dhe kapitaleve dhe jo lëvizjen e lirë të njerëzve pasi kjo do të bënte që praktikisht kufiri i Serbisë me Kosovën do të ishte formal. Kjo hap një horizont të jashtëzakonshëm mundësish. Kosova, Albini nuk është këtu pasi do të doja që të ishte këtu dhe Bosnja nuk duan. Si mund të mos duash një gjë që të bën të lirë? Kjo mund të na lejojë që të ecim shumë larg. Kjo do të thotë se përveç izolimit nga BE kërkon që të izolohesh edhe në vetvete. Kjo është një çmenduri. Ka edhe teori konspirative të vjetra që kjo është Jugosllavia e vjetër plus Shqipërinë”, tha Rama.

    Kryeministri i Shqipërisë e mbylli fjalën e tij duke thënë se disa vende të BE po vendosin “standard të çmendur të dyfishtë”. Ai përmendi Holandën dhe Francën si vende që kanë ngritur pretendime ndaj Shqipërisë sa i takon rrugës së saj të integrimit në BE.

    Edi Rama e cilësoi BE si një “perandori të vjetër” duke shtuar se ashtu siç tregon historia vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë të fundit që do ta “braktisin” pasi kështu ka ndodhur në rastin e Perandorisë Osmane dhe Bashkimin Sovjetik.

    “Do të jemi të fundit që do të largohemi nga BE. Pasi ne gjithmonë largohemi të fundit nga perandoritë e vjetra. Ka edhe një shprehje për eurooptimistin dhe europesimistin; Eurooptimisti thotë që ‘Turqia do të hyjë në BE kur Shqipëria të ketë Presidencën e BE kurse europesimisti thotë se Shqipëria do të hyjë në BE kur Turqia të ketë Presidencën e BE”, përfundoi z. Rama. /Euronews Albania/

    Lajmi Paraprak

    Filipçe: Parimet e parandalimit vlejnë për të gjithë llojet e viruseve, nuk mund të jetojmë të mbyllur

    Lajmi i rradhës

    Hem të ndëshkuar, hem të pavaksinuar – cili do të jetë efekti i kufizimeve për njerëzit pa certifikatë vaksinimi?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë