Rama: Njohja e Kosovës nga Serbia, kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Kosova është problemi i fundit në rajon që ende është i pazgjidhur që nga shpërbërja e Jugosllavisë.

    “Sigurisht që Kosova është problemi i fundit ende i hapur dhe i pazgjidhur nga shpërbërja e Jugosllavisë e pa dyshim, njohja e Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë”, tha Rama në një intervistë për Radio Televizionin e Spanjës, RTVE.

    Rama po ashtu u pyet edhe për qëndrimin e Spanjës që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

    “Është e vërtetë, por e dimë fare mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme. Por, duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet për pavarësi apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia”, tha Rama.

    Spanja dhe katër shtete të Bashkimit Evropian nuk e njohin shtetësinë e Kosovës: Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia.

    Për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës në samitin ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Bërdo të Sllovenisë më 6 tetor, Spanja kërkoi që të gjitha shtetet të merrnin pjesë pa simbole shtetërore dhe

    Në këtë intervistë, Rama foli edhe për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të vendosjes së masës së reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës për targat nga Serbia.

    Ai tha se lajm i mirë është që palët tani po bisedojnë dhe po tentojnë që të “gjejnë zgjidhjet e nevojshme për njerëzit”.

    Që prej 20 shtatorit – kur u vendos masa e reciprocitetit – serbët lokalë bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Bllokadat u hoqën më 2 tetor, pasi më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të gjitha automjetet që qarkullojnë në territoret e njëra-tjetrës, të mbulojnë me letra ngjitëse simbolet shtetërore që gjenden në targa./REL/

    Lajmi Paraprak

    RMV, nesër fillon testimi për Covid-19 nëpër shkolla

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët me qëndrime të ndara për dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë