Raporti i DASh | Jaço: Shqipëria, e vështirë për investitorët e huaj

    KELMENT BAÇI 

    Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, ka deklaruar se investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes.

    Teksa ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në 2022 për Shqipërinë, Jaço i cilëson si të sakta gjetjet e tij. DASH thotë në raportin e tij se korrupsioni endemik, prokurimet publike veçanërisht kontratat me PPP dhe ekonomia informale, janë sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin Amerikan dhe të huaj në Shqipëri duke reduktuar mundësitë për konkurrencë.

    Në reagimin ekskluziv për gazetën “Panorama”, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, AmCham, thotë se këto shqetësime janë ngritur edhe prej saj në të kaluarën ndërsa thekson se realizimi i rekomandimeve tona është hapi i parë për ndryshimin e imazhit të vendit në qasjen e investimeve të huaja.

    “Raporti i Departamentit të Shtetit, konfirmon shqetësimin që AmCham tashmë e ka ngritur për vite me radhë: që ‘investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes’”, thotë Jaço, teksa shton se “Reformimi përmes axhendës së investimeve rruga më e mirë për negociatat me BE-në”.

    Nga ana tjetër, ai shprehet se AmCham mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare, duke e parë këtë si hap të parë, për përmirësimin e klimës së biznesit pasi tani është e rëndësishme edhe për t’i shërbyer më mirë hapjes së negociatave me BE.

    Me rëndësi sipas tij është që vendi të ofrojë garanci dhe praktika të ndershme për konkurrencën e lirë e një klimë gjithëpërfshirëse për të bërë biznes.

    “Për të kapërcyer sfidat, AmCham është i angazhuar për të bashkëpunuar me qeverinë, por dhe Parlamentin për përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjes se investimeve të huaja. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, tani me hapjen e negociatave me BE-në. Në këtë kontekst, realizimi i rekomandimeve zyrtare të AmCham, do ishte hapi i parë, kuptimplotë për fillimin e ndryshimit të imazhit të Shqipërisë për investitorët e huaj. Qëllimi është një klimë e favorshme, gjithëpërfshirëse biznesi, e cila nga njëra anë tërheq investime të huaja dhe nga ana tjetër zhvillon bizneset vendase- u ofron atyre garanci ligjore dhe praktika të ndershme në marzhën e konkurrencës së lirë”, shprehet Jaço në reagimin e tij për Gazetën “Panorama”.

    Raporti i DASH-it për klimën e biznesit e ka nxirë qeverinë shqiptare, ku në fokus kishte korrupsionin dhe përdorimin e kontratave me PPP ku theksohej se raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme.

    8 rekomandimet e AmCham për qeverinë për përmirësimin e klimës së biznesit

    Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, i ka dhënë një muaj më parë 8 rekomandime qeverisë me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.

    Në një konferencë për përmirësimin e klimës së biznesit, ai përmendi rekomandimet, ku përfshihen miratimi i paketës antikorrupsion, procedurat e prokurimit publik, rishikimi i draftit për tatimin mbi të ardhurat, përpjekjet për të shmangur pastrimin e parave, krijimin e hapësirave për eksportet shqiptare e aktivizimin e shoqërisë civile.

    Ne rekomandimet janë ngritja e një strukture për të tërhequr investime të huaja kush tërheq investime të huaja ka benefite të mëdha në ekonomi. Ne kërkojmë miratimin e një pakete antikorrupsion në Kuvend për parandalimin e korrupsionit.

    Kërkojmë një sistem të riformatuar të prokurimet publike. Ne propozojmë miratimin e legjislacionit antiryshfet. Kërkojmë një sistem të riformatuar të prokurimet publike. Duhet të ketë sa më pak raste përjashtimore që anashkalojnë procedurat standarde të prokurimit publik. Duhet aktivizim i shoqërisë civile.

    Sistemi tatimor duhet të përputhet me standardet ndërkombëtare. Nëse ligjet ndryshojnë çdo vit, e vështirë të bëjnë parashikim. Të tjerat kanë të bëjnë me krijimin e hapësirave për eksportet shqiptare, më shumë vëmendje tek ekonominë dixhitale dhe të rritet aftësia profesionale për fuqinë punëtore. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Në nivel vjetor shpenzimet në RMV janë rritur për 16 për qind

    Lajmi i rradhës

    U bëmë për 1 lek

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë