Rasti “Merko” me muaj qëndron në vend

    Gjykata dhe Prokuroria publike heshtin dhe nuk tregojnë nëse dhe çfarë do të ndërmarrin pas akuzave të Departamentit Amerikan të Shtetit për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore të kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko.

    Pesë muaj më parë, Uashingtoni zyrtar e vendosi në listën e zezë dhe e shpalli persona “non grata”. Kryetarja e Antikorrupsionit për Alsat shprehet se është e shqetësuar për qëndrimin injorues dhe se kjo vë në pah edhe një herë joefikasitetin e sistemit gjyqësor.

    “Kur u bë e qartë se Merko ishte në listën e zezë, në Prokurori kishte lëvizje, andaj të shohim deri ku ka arritur dhe çfarë do të ndodhë. Së pari, institucionet vendase theksuan se ai ka bërë gjëra që nuk lejohen. Është në listën e zezë nga një vend i huaj dhe a ka alarm më të madh se ky?”, tha Biljana Ivanovska- kryetare e KShPK-së.

    Ivanovska thotë se çdo institucion duhet ta kryejë punën e vet në mënyrë efektive, por vërehen pengesa, përkatësisht gjykatësit janë shumë të ndikuar nga gjykatësit e rangut më të lartë, përfshirë edhe Këshillin gjyqësor.

    “…Ne kishim parashtruar ankesë tek gjykatësi nga gjykata e Strugës, i cili ishte nën ndikimin e Merkos dhe e rriti kufirin e mjeteve që komuna mund ti ketë në dispozicion, në mënyrë që Merko ta blejë veturën. Vetë gjykatësit janë përgjegjës për integritetin e tyre”, theksoi Biljana Ivanovska- kryetare e KSHPK-së.

    Ndryshe, Antikorrupsioni ka bërë kallëzim ndaj Merkos në Prokurori për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të falsifikimit të të dhënave për ngritjen e një parcele ndërtimore në Strugë.

    Gjithsej 30 raste janë hapur kundër Merkos nga viti 2006 deri në vitin 2023, nga të cilat 14 janë tashmë të vjetruara. 16 janë aktive, por pritet që edhe ato të vjetërsohen për shkak të ndryshimeve të fundit në Kodin Penal.

    Lajmi Paraprak

    Optimizëm në Lindje, skepticizëm në Jug

    Lajmi i rradhës

    Momenti kur deputetët e ‘Levicës’ sulmojnë nënkryetarin Misovski (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë