Reagon antikorrupsioni ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për “Behtel-Enka”

    Gjykata Kushtetuese javën e ardhshme do të sqarojë vendimin se pse nuk kanë nisur procedurën për ligjin që zgjodhi konsorciumin amerikano-turk “Behtel-Enka” të ndërtojë pa tender korridoret 8 dhe 10. Këtë e ka konfirmuar kryetarja e gjykatës, Dobrila Kacarska. Sot kryetarja kundër korrupsionit, Biljana Ivanovska, tha se pas vendimit të gjykatës nuk kanë çfarë të kërkojnë më shumë.

    “Jemi shumë të interesuar se cili do të jetë ai shpjegim, aq më tepër që nisma jonë është bazuar në nene që janë pjesë e Kushtetutës, në nene kushtetuese. Jemi shumë të interesuar për shpjegimin me të cilin u refuzua kjo iniciativë dhe përveç kësaj, interes dhe dyshim të veçantë, na ngjalli falënderimi i shprehur nga Artan Grubi për gjykatësit kushtetues”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK-së.

    Pavarësisht vërejtjeve të Antikorrupsionit për boshllëqet ligjore në zgjidhjen ligjore, nuk dihet saktësisht se sa nga paratë publike do t’i paguhen “Behtel-Enkas” për ndërtimin e autostradave në vitet e ardhshme. Vetëm në buxhetin e vitit të ardhshëm në Ministrinë e Transportit janë parashikuar 100 milionë euro. Ministri i Transportit thotë se gjithçka është e ligjshme.

    “Të ndërtohen sa më shumë rrugë, ta çojmë sigurinë në një nivel shumë më të lartë dhe do ta bëjmë në përputhje me ligjet e vendit. Pyetje: Në këtë mënyrë? Duke sjellë vendim ligjor, dhe jo me procedurë tenderimi, për diçka që nuk e dimë se sa do të kishte korrupsion gjatë ndërtimit? Nuk e dimë se sa do të kushtojë. A është kjo mënyra? Përgjigje: Ligji është miratuar në Kuvend, në përputhje me atë ligj, institucionet do të vazhdojnë të veprojnë në procedurë publike dhe të hapr”, u shpreh Blagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

    Para se ligji të kalonte në Kuvend, Boçvarski së bashku me zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi dhe drejtorin e rrugëve shtetërore, Ejup Rustemi, nënshkruan memorandum mirëkuptimi me “Behtel-Enka” për përfundimin e korridoreve 8 dhe 10. Më pas me propozimin e disa deputetëve nga shumica dhe opozita, ligji u miratua./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Avokati i Popullit me ankesa të mëdha për gjyqësorin

    Lajmi i rradhës

    Ligji për planifikim urbanistik ka shumë mangësi të cilat mund të rrisin korrupsionin në ndërtimtari

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë