REFORMAT NË ADMINISTRATË / Për 6 vjet, 56 institucione të reja!

    Një kërkim i shpejtë në internet për proceset reformuese në Maqedoninë e Veriut të bën të kuptosh se angazhimet e shprehura publikisht nga eksponentët politik për reformat në administratën publike në fakt janë një alibi se gjërat po rrjedhin si më parë, gjegjësisht në drejtim të gabuar. Edhe përkundër deklaratave se reduktimi i administratës është një kriter i nevojshëm për integrimin evropian, në raportet e Komisionit Evropian nuk vërehet një progres i vazhdueshëm në këtë drejtim, madje, në një analizë të situatës me administratën dy vite më parë u zbulua se nga 250 deri në 300 organe shtetërore janë pa adresë dhe janë të padukshme me punën e tyre për qytetarët.

    Por së fundi zëvendësministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Stefan Andonovski, zbuloi një paradoks në reformat në administratën publike, se në gjashtë vitet e fundit janë krijuar 56 institucione të reja.

    “Gjëja kryesore që Evropa kërkon nga Maqedonia e Veriut në fushën e reformave në administratën publike është riorganizimi, gjë që nuk po ndodh. Prandaj, në këto gjashtë vite, për çdo problem të vogël apo për çdo ushtar partie kemi nga një institucion të ri. Jo vetëm që nuk janë shkurtuar, por gjatë këtyre viteve janë krijuar 56 institucione të reja, prej të cilave 16 janë organe të administratës shtetërore”, tha Stefan Andonovski në një intervistë për media.

    Nga ana tjetër, edhe ambasadori evropian përsëriti nevojën për një administratë publike eksperte, të pavarur dhe profesionale dhe theksoi se “pa të nuk ka rritje dhe zhvillim”.

    “Nuk mund të thuhet se nuk ka rezultate në aspektin e riorganizimit, por sistemi ka edhe dobësi të cilat sigurisht që vërehen, po ashtu është evident edhe ndikimi shumë i fortë partiak në disa pjesë të administratës. Ka dobësi të mëdha në sistem të cilat janë identifikuar në raportin tonë për vendin, por po punojmë ngushtë për ngritjen e kapaciteteve të shërbimit civil pasi pa një shërbim efektiv nuk do të arrijmë askund”, tha ambasadori Gir duke shtuar më tej se kjo është thelbësore pasi bëhet fjalë për zbatimin e reformave.

    Ndërsa ministri i Financave Fatmir Besimi pohon se numri i administratës në dy vitet e fundit është në rënie, informacion i cili bie në kundërshtim me atë të zëvendësministrit për Shoqëri Informatike dhe Administratë. Sigurisht kjo nuk lidhet me rritjen e intensitetit të shpalljeve të punës në administratën publike para shpalljes së zgjedhjeve. Megjithatë, gjashtë muaj më parë u prezantua strategjia për reformat në administratën publike për 2023-2030.

    Më pas ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, tha se strategjia është përgatitur përmes një procesi transparent dhe konsultativ, me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara.

    “Kjo nënkupton finalizimin e propozimeve për zgjidhje ligjore që paraqesin bazën ligjore për të ecur përpara. Qytetarët duhet të kenë besim tek administrata dhe institucionet dhe të ndjejnë se ekzistojnë dhe punojnë për ta dhe për kërkesat e tyre. Në fushën e transformimit digjital mund të shihet progres, por është e rëndësishme që të mundësohet dhe përmirësohet hapësira që administrata të punojë me një mjedis me mundësi digjitale dhe të fuqizohet për t’i zbatuar ato”, tha Aliu gjatë prezantimin të strategjisë.

    Argumente për rezerva në zbatimin e strategjisë së re për reformat në administratë gjenden në raportin e Zyrës së Auditimit për efektivitetin e zbatimit të strategjisë së mëparshme. Në raportin e vitit të kaluar, Zyra e Auditimit ka konstatuar vetëm 52% realizim të aktiviteteve të planifikuara në strategjinë për reforma në administratë, ndërsa në raportin e fundit, auditorët konstatojnë mungesë dokumentacioni për strategjinë në arkivat e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, personel i pamjaftueshëm, si dhe ndryshim i shpeshtë i personelit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    KOLLA E KEQE NË RMV / Frika nga përhapja rriti interesimin për vaksinim

    Lajmi i rradhës

    EShS, aty ku përfaqësimi është i zhdrejtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë