Punësimet dhe avancimet në Entin Shtetëror të Statistikave nuk arrijnë të zhbëjnë përfaqësimin e zhdrejtë etnik të këtij institucioni. Në pozicione drejtuese figuron vetëm një shqiptar (me konkursin e fundit edhe një drejtues i ri), ndërsa avancimet në pozicionet e tjera kanë disa përmirësime. Në dy konkurset e fundit, sipas rezultateve të publikuara në faqen zyrtare të institucionit pas kaq vitesh është përzgjedhur një shqiptar në post drejtues. Pse situata mbetet e tillë prej vitesh dhe pse punësimet dhe avancimet, sidomos në poste drejtuese, stangojnë zëvendësdrejtori Ilmi Selmani nuk ka një shpjegim, por vetëm pohon se duhet të ndryshojë.
Sipas tij ESHS ka nevojë për punësime urgjente dhe përfaqësim të drejtë etnik.
“ESHS ka nevojë urgjente për punësimin e një numri më të madh punonjësish, sepse në ndërkohë shumë punonjës janë larguar, si rezultat i pensionimit dhe lëvizjeve të tjera. Pra gjendja me përfaqësimin horizontal nuk duket keq, por ajo që ka nevojë në të ardhmen e afërt janë punësimet e reja për plotësimin e vendeve vakante, si dhe përfaqësimi i drejtë vertikal”, thotë zëvendësdrejtori Selami.
Drejtori Selami është ulur në këtë detyrë në fund të vitit 2020, ku një nga zotimet e tij ishte “rikuperimi i dëmeve që i janë shkaktuar personelit ekzistues, me shkarkimet dhe mosavanacimet në vendet e merituara, por edhe rritja e numrit të punonjësve shqiptarë, duke rregulluar kështu edhe përfaqësimin e drejtë etnik”.
Shifrat e ulëta të përfaqësimit etnik, me gjithë vërejtjet e institucioneve ndërkombëtare, nuk kanë arritur t’i përmbysin asnjë prej zëvendësdrejtorëve shqiptarë që janë ulur në atë pozicion. Përveç konflikteve të brendshme pas punësimeve dhe avancimeve me direktivë nga partia asnjëri nuk ka sjellë progres të dukshëm, duke i lënë të punësuarit shqiptarë në pozicione si referentë, bashkëpunëtorë.
“Avancimet në detyrë nënkuptojnë që nga nëntë drejtues sektorësh të paktën dy do të jenë shqiptarë, tre ndihmës udhëheqës, ndërsa në 40 njësitë po ashtu do të vendosen të paktën nëntë drejtues shqiptarë”, deklaronte për Koha Selami.
Por edhe pas më shumë se tre vitesh parashikimet nuk janë përmbushur. Përqindja është rritur (nga 17 në 21 për qind shqiptarë), por avancimet kanë lëvizur ngadalë. Në ESHS vazhdon të jetë i hapur konkursi publik për pranimin e 14 punonjësve të rinj administrativë, nga të cilët 10 janë paraparë të jenë shqiptarë. Ndërsa nga konkursi intern i disa ditëve më parë për avancimin e 25 kuadrove, u avancuan 23 kuadro (për 2 vende nuk u bë përzgjedhja), nga 4 vende udhëheqëse është ulur 1 shqiptar ndërsa në pozitat administrative joudhëheqëse janë përzgjedhur 19 nga të cilat 5 janë shqiptarë.
Në EShS nga gjithsej 230 të punësuar, 164 janë të etnisë maqedonase (71 për qind), si edhe 50 shqiptarë (21,3 për qind), ndërsa pjesa tjetër nga etnitë e tjera. Nga 9 Sektorë 6 janë të plotësuara me udhëheqës, vetëm 1 është shqiptar, ndërsa nga 31 Seksione, vetëm 20 janë të plotësuara, prej tyre vetëm një shqiptar. Nga ana tjetër, ESHS është një prej institucioneve ku numri i të ikurve është përligjur me mosrespektimin e të drejtave të tyre.