Reporterët pa Kufij: përkeqësim i lirisë së medias në Kosovë

    Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

    Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

    Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

    Ndërkaq, pesë vendet e para me gjendjen më të mirë të lirisë së shtypit janë: Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia dhe Finlanda.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se është i “alarmuar me rënien e re, drastike” të Kosovës në renditjen e indeksit vjetor për lirinë e shtypit.

    “AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulëta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore të dy vjetëve të fundit të udhëhequr nga Qeveria e partisë politike, Vetëvendosje”, u tha në reagimin e AGK-së.

    Ky asociacion ftoi aktorët institucionalë e të shoqërisë civile të punojnë së bashku që të përmirësohet liria e medias në Kosovë.

    AGK-ja në mesditë mbajti edhe një konferencë për media para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, për të adresuar gjetjet e raportit.

    Ekzekutivi i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, sipas udhëheqësit të AGK-së, Xhemajl Rexha, kanë tendencë të vazhdueshme të minojnë lirinë e medias dhe të shprehjes në Kosovë.

    “AGK-ja vlerëson këtë renditje si rezultat dhe reflektim i asaj që ka ndodhur vitin e kaluar dhe që ka qenë një fushatë vazhdimisht e njëjtë e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Vetëvendosje dhe Kurti kundër mediave. Klima e kësaj qeverie është kundër mediave, është vërtetuar edhe me miratimin e Ligjit për KPM-në përkundër vërejtjeve nga Këshilli i Evropës. Në maj të vitit të kaluar, kryeministri aktual Kurti kishte premtuar se do t’i adresojë gjetjet e raportit të vitit të kaluar, ndërkohë çfarë ndodhi nga maji, është se në korrik më pas ligji u miratua, duke injoruar të gjitha gjetjet e Këshillit të Evropës dhe duke mos marrë parasysh të gjitha rekomandimet e shoqërisë civile”, tha Rexha.

    Sipas tij, gjuha frikësuese ndaj gazetarëve kulmoi në nëntor të vitit të kaluar, para nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, vazhdoi gjatë fushatës, por edhe pas saj.

    Ndërkaq, këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, përmendi arsyet që kontribuan që vendi të renditet në pozitën më të ulët.

    “Sulmet politike ndaj gazetarëve, përmendet specifikisht akuza e pabazë ndaj gazetarëve se kinse bashkëpunojnë me armikun; Radio Televizioni i Kosovës; Ligji për Komisionin e Pavarur për Media; Bojkoti ndaj mediave para zgjedhjeve; Moszbatimi i Ligjit për qasje në dokumente publike; Vëzhgimi i gazetarëve; Policia dhe prokuroria i hetojnë rastet, por nuk ngrenë aktakuza dhe Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike”, shkroi ajo në Facebook.

    Kusari po ashtu ka kërkuar që urgjentisht të krijohet një komitet kombëtar për liri të medias dhe siguri të gazetarëve, me qëllim që të ndalet trendi i rënies “përmes masave konkrete dhe politikave shtetërore”.

    “Por, është një parakusht për këtë: Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave dhe t’ia shtrojë dorën e bashkëpunimit mediave dhe organizatave të shoqërisë civile”, shkroi ajo në një postim tjetër në Facebook.

    Rreth këtij raporti pati reagime nga politikanët vendorë, por edhe nga Ambasada gjermane në Prishtinë.

    Çfarë thotë LVV-ja për raportin?

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk iu përgjigj interesimit të gazetarëve, të cilët pas një ngjarjeje më 2 maj, tentuan që të merrnin një qëndrim nga ai lidhur me raportin e Reporterëve pa Kufij.

    Gjatë insistimit të gazetarëve, mbrojtja e afërt e Kurtit pengoi gazetarët të cilët po tentonin të afronin mikrofonët te Kurti.

    AGK-ja tha se një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt, shihet dy herë duke e kapur fizikisht dorën e gazetarit Genc Godanci dhe një tjetër paraqet pengesën e dytë në përpjekjen për të marrë përgjigje.

    “Kjo nuk është hera e parë që gazetarët pengohen me dhunë nga mbrojtja e afërt në sytë e kryeministrit në detyrë, Kurti. AGK-ja e fton Policinë e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë që të krijojnë kushte normale pune për gazetarët, kur ata kërkojnë përgjigje në ambient publik nga zyrtarët e lartë”, tha AGK-ja.

    https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fasociacioniigazetareve%2Fposts%2Fpfbid0pzStPgPPL29UNfttDp7vQ2cxhpAj8DtYVAapXLfGEDtWKwMp38rmvGGQokz8MMTnl&show_text=true&width=500

    Reagim për raportin, megjithatë, pati zëdhënësi i partisë së Kurtit, Arlind Manxhuka. Ai tha se është e pavërtetë të thuhet se në Kosovë nuk ka liri të shprehjes.

    Ai tha se me gjetjet e raportit të Reporterëve pa Kufij po “çuditen” personat që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të tij.

    “Pra, raporti flet për Kosovën sikur kanë folur këta të Kosovës. Duke dashur ta godasin Qeverinë përmes raporteve, në fakt janë duke dalë edhe më joseriozë”, shkroi ai në Facebook.

    “Liria, mendimi, liria e mendimit, shprehja, asnjëherë nuk janë ndalur e as s’mund të ndalen. Por, gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti. Dhe për këtë kanë përgjegjësi këta që sot po ‘çuditen’”, shtoi ai.

    Për raportin reagoi edhe Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo iu drejtua me një pyetje kryetarit të AGK-së, Xhemajl Rexha, se si ka ndikuar në raport “certifikata e Serbisë për Klan Kosovën”.

    Ajo iu referua një përpjekjeje të autoriteteve të Kosovës për të pezulluar certifikatën e biznesit për televizionin privat, Klan Kosova.

    Më 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kishte thënë se në licencën e biznesit, “te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia” dhe diçka e tillë shkel Kushtetutën e Kosovës. Klan Kosova e kishte kundërshtuar vendimin për pezullimin e licencës dhe më pas e kishte paditur MINT-in.

    Metodologjia e përdorur për hartimin e indeksit për lirinë e shtypit

    Sipas Reporterëve pa Kufij, qëllimi i Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit është të krahasojë nivelin e lirisë që gëzojnë gazetarët dhe mediat në 180 shtete dhe territore.

    Përkufizimi i lirisë së shtypit i përdorur nga Reporterët pa Kufij dhe paneli i ekspertëve për hartimin e këtij indeksi është:

    “Liria e shtypit përkufizohet si aftësia e gazetarëve, si individë ashtu edhe në mënyrë kolektive, për të përzgjedhur, prodhuar dhe shpërndarë lajme në interes të publikut, në mënyrë të pavarur nga ndërhyrjet politike, ekonomike, ligjore dhe shoqërore, dhe pa kërcënime ndaj sigurisë së tyre fizike dhe mendore”.

    Bazuar në këtë përkufizim, pyetësori dhe harta e lirisë së shtypit ndahen në pesë kategori apo tregues të veçantë: konteksti politik, korniza ligjore, konteksti ekonomik, konteksti socio-kulturor dhe siguria.

    Indeksi i Reporterëve pa Kufij paraqet një pamje të situatës gjatë vitit kalendarik (janar-dhjetor), para publikimit të tij. Megjithatë, sipas kësaj organizate, ai synon të ofrojë një pasqyrim sa më të saktë të gjendjes në momentin e publikimit. Prandaj, kur situata e lirisë së shtypit ndryshon në mënyrë dramatike në një vend midis fundit të vitit të vlerësuar dhe momentit të publikimit, të dhënat përditësohen për të marrë parasysh ngjarjet më të fundit. Kjo mund të bëhet nëse ka një luftë të re, një grusht shteti, një sulm të madh ndaj gazetarëve ose hyrjen e papritur në fuqi të një politike shtypëse ekstreme.

    Burimi: Reporterët pa Kufij

    Reagimi i partive të tjera për raportin

    Partitë politike, që mandatin e kaluar ishin në opozitë, kanë fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë e udhëhequr nga ajo, për rënien në indeksin e Reporterëve pa Kufij.

    Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë një konference për media, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po përdor frikën ndaj zërave kritikë.

    “Vetëvendosje ka ndërtuar sistem linçimi, frikësimi, sulme të koordinuara, sulme të orkestruara me një makineri propagande që targeton çdo zë kritik, veçanërisht zërat në rrjetet sociale”, tha ajo.

    Sipas saj, një pushtet që frikësohet nga fjala e lirë “është një pushtet që e di se nuk ka të drejtë”.

    Ajo shtoi se të gjitha raportet vendore e ndërkombëtare edhe në fusha të tjera tregojnë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti “është duke e fundosur Kosovën”.

    Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës shprehu shqetësim për rënien e lirisë së mediave. Kjo parti tha se rënia është pasojë e drejtpërdrejtë e “qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti”.

    “Ky pushtet vazhdimisht ka treguar tendenca të qarta për shkatërrimin e mundësisë dhe hapësirës së raportimit të shkeljeve të tij dhe eksponentëve të tij”, tha LDK-ja përmes një komunikate për media, duke theksuar se gazetarët përballen me kërcënime të vazhdueshme dhe sulme fizike, ndërkaq institucionet përgjegjëse, sipas kësaj partie, po dështojnë të ofrojnë mbrojtjen e duhur dhe të ndjekin penalisht autorët e këtyre veprave.

    Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Harainaj, tha se rënia e lirisë së mediave është si pasojë e “frikës, kontrollit dhe arrogancës politike”.

    “Një qeveri që ka frikë nga kritika, ka frikë nga populli i vet”, shkroi ai në rrjetet sociale.

    Përveç përfaqësuesve të partive politike në Kosovë, edhe faktori ndërkombëtar ka reaguar lidhur me gjetjet e Reporterëve pa Kufij.

    Ambasada gjermane në Prishtinë tha se raporti është si një listë e detyrave për Qeverinë e re të Kosovës, “ku qartësisht tregohen hapat që duhet të ndërmerren për të pasur liri të shtypit, që është thelbësor në çdo demokraci të gjallë dhe të qëndrueshme”.

    Çfarë thuhet në raport?

    Raporti i Reporterëve pa Kufij gjeti se në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, mediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik.

    Verën e kaluar, me gjithë kritikat e mëdha, Kuvendi i Kosovës e miratoi një ligj për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili, veç tjerash, parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

    Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi këtë ligj, pasi gjeti se disa nene të ligjit nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.

    Sa i përket ligjit për KPM-në – tashmë i shfuqizuar – nga Reporterët pa Kufij ai u cilësua si kundërthënës që “rrezikon edhe më tej të pengojë pavarësinë” e KPM-së.

    Ndërkohë, në fillim të këtij viti, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, u kritikua për bojkotimin e mediave.

    Në janar, organizata joqeveritare ndërkombëtare e vendore i kërkuan Vetëvendosjes të hiqte dorë nga bojkotimi i disa mediave të caktuara.

    Vetëvendosje kishte thënë se nuk po bojkotonte mediat, por po “përjashtonte” tri kanale specifike dhe se një vendim i tillë “nuk cenonte peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.

    Ajo nuk përmendi emra, por në reagimet e mëhershme të organizatave mediatike thuhej se bëhej fjalë për disa nga televizionet e mëdha në vend, sikurse Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7.

    “Para zgjedhjeve të përgjithshme, disa media private u bojkotuan nga Qeveria, e cila gjithashtu kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim sa i përket qasjes në informacione publike, veçmas në gjuhën e tyre”, u tha në raportin e Reporterëve pa Kufij.

    Vetëm gjatë vitit 2024, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i regjistroi 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Më 2023, numri ishte më i lartë, 53 raste të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve.

    Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Ata, sipas raportit, “akuzohen padrejtësisht për ‘bashkëpunim me armikun’, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare”.

    “Në vitet e fundit, shumë gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe sulmeve fizike nga rrjete kriminale dhe po ashtu për shkak të tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa gazetarë kanë qenë cak i përgjimeve. Edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe prokuroria, ato rrallë rezultojnë me ndjekje penale”, u tha në raport.

    Ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 80-të, duke shënuar ngritje krahasuar me vitin 2024, kur u vlerësua me pozitën e 99-të.

    Raporti gjeti se peizazhi mediatik në Shqipëri – ashtu si në Greqi e cila renditet e 89-ta – përshkruhet nga konfliktet e interesit.

    Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet më së miri, në vendin e 37-të, pastaj Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta.

    Raporti thekson gjithashtu se media të pavarura në Evropë dhe në Azinë Qendrore po përballen me një krizë ekonomike të paparë, e përkeqësuar nga ndalimi i menjëhershëm i ndihmës amerikane dhe ndikimi gjithnjë e më i madh i propagandës ruse.

    Raporti përmend, ndër të tjera, edhe përpjekjet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për pezullimin e financimit të Radios Evropa e Lirë.

    “Shkurtime të buxhetit gjatë administratës Trump – veçanërisht pezullimi i financimit për Radion Evropa e Lirë dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar [USAID] – kanë dobësuar rëndë një sektor tashmë të brishtë, veçanërisht në vendet që përballen me regjime autoritare, korrupsion dhe luftë”, thuhet në raport. /REL/

    Lajmi Paraprak

    UDHËTARI I FJETUN N’ZABEL

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë