Rexhail Qerimi ndërroi jetë duke pritur drejtësi

    Ndërron jetë Rexhail Qerimi, i dënuar me burg të përjetshëm në rastin “Alfa”. Rrethanat e vdekjes akoma nuk janë konstatuar zyrtarisht, por sipas burimeve të Alsat brenda qelisë ku po vuante dënimin me burg, Qerimi, mësohet se ka humbur ndjenjat në banjën e burgut ku edhe gjatë rrëzimit ka pësuar lëndime trupore. Dyshimet e para janë për sulm në tru. Gjatë ditës ishte ankuar për kok dhembje, por pas një vizite në ambulanten e burgut, shokëve të burgut i kishte thënë se ndjehet mirë.

    Gjendja e tij është alarmuar në ambulancën e burgut të Idrizovës, por në mungesë të kushteve, trupi i tashmë të ndjerit është nisur me furgonin e policisë së burgut për në spitalin më të afërm. Gjatë rrugës mësohet të ketë ndërruar jetë, ndërsa vdekjen e ka konstatuar edhe ekipi i ndihmës së shpejtë në vendin e ngjarjes. Burgu i Idrizovës duke u thirrur në raportin e mjekëve njofton se ndihma e shpejtë ka tentuar t’i ofron reanimacion, por pa sukses.

    “Në orën 00:10 minuta është konstatuar vdekja e të burgosurit Rexhail Qerimi. Nga verifikimi i dokumentacionit rezulton se i njëjti nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje kronike”, thonë nga Burgu i Idrizovës.

    Me kërkesë të familjarëve nuk është lejuar obduksioni. Vëllai i tij, Jetulla Qerimi thotë se mosbesimi në institucionet ligj zbatuese ka bërë ata që të mos lejojnë ekspertizën mjeko-ligjore.

    “Nuk kemi pranuar sepse e dimë se 14 vite ishte në burg padrejtësisht dhe si të besojmë në autopsi kur personi 14 vite rri padrejtësisht në burg, kur ka pasur 100 fakte dhe argumente se njerëzit e dënuar janë pa faj, këta e zvarritën lëndën 14 vite dhe janë tallur me të burgosurit, me familjet e tyre por edhe me të gjithë institucionet e shtetit vetëm për qëllime të caktuara politike”, deklaroi Jetulla Qerimi, vëllai i Rexhail Qerimit.

    Sipas tij, Rexhaili së fundi nuk është ankuar për probleme shëndetësore.

    “Afër orës 12 të natës ka kontaktuar me vëllezërit dhe bashkëshorten e tij. 10-15 më pas ka qenë mirë, ndërsa në orën 12:20 mua më lajmëruan se nuk është mirë”, u shpreh Jetulla Qerimi, Vëllai i Rexhail Qerimit.

    Varrimi i Rexhail Qerimit do të bëhet të premten pasi familja sot pret arritjen e të afërmve nga kurbeti. Jetulla Qerimi për fund kishte një porosi.

    “Të jenë të mallkuar ata që i montuan dhe i lanë në burg për 14 vite, pa faj”, tha Jetulla Qerimi, Vëllai i Rexhail Qerimit.

    Lajmi Paraprak

    SYRIZA mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Mitsotakis

    Lajmi i rradhës

    EDHE NJË VIT I SHTRENJTË

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë