Riparimi i fasadave në Çair, një tjetër premtim i dështuar

    Edhe pse “Kontrata” e kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, parashikon riparimin e fasadave të më shumë objekteve banesore, nuk është bërë qoftë edhe një riparim. Qytetarët  me të cilët biseduam, thonë se nuk janë komunikuar nga autoritetet e komunës për këtë qëllim.

    “As nuk kanë ardhur, as nuk kemi shpresë se do të vijnë. Edhe nëse vijnë, ne jemi dëshpëruar… Unë në banesë jetoj, në Xhon Kenedi.”

     “Kam dëgjuar. Para tre a katër viteve kam dëgjuar se do t’i bëjnë por fasadat ne i bëjmë vet, me mundësi. Kush ka mundësi i bën, kush nuk ka mundësi nuk mund t’i bëjë, normale.

    Ganiu, në këmbim të votës në vitin 2017, u zotua për rikonstruktimin e fasadave të qindra banesave kolektive në disa nga bulevardet dhe rrugët kryesore të kësaj komune.

     “Në kuadër të këtij programi, Komuna e Çairit, parasheh rikonstruktimin e fasadave dhe kulmeve të objekteve ekzistuese të banimit, me qëllim të zëvendësimit ose sigurimit të izolimit cilësor të objekteve dhe rritjes së efikasitetit energjetik të tyre… Me këtë program parashihet rikonstruktimi i gjithsej 141 objekteve me çka do të bëhet hap i madh drejtë rritjes globale të energjisë efikase në komunë.”

    Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, thotë se janë të gatshëm për ta realizuar premtimin, por në bazë të ligjeve aktuale, komuna nuk mund të mbulojë të gjithë investimin dhe se pjesën më të madhe duhet ta paguajnë vetë qytetarët.

     “Kushtimisht, sa për ilustrim e marr, në qoftë se kushton 1000 euro intervenimi i fasadës në atë ndërtesë, 300 euro i mbulon komuna. Ajo nuk është diçka e përmbyllur, është e hapur. Unë kam pasur kontakte me këshillat banesor, por ato nuk munden mes vete të dakordohen që të fillojë një projekt i tillë për shkak se 70% e shumës do u inkasohet atyre.”

    Kryetari Ganiu thonë se Komuna e Çairit, e ka të hapur projektin për të subvencionuar me 30% të investimit për rikonstruktimin e fasadave të banesave kolektive dhe shton që buxheti për këto subvencione ruhet i siguruar. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët ankohen për mungesën e pasaportave

    Lajmi i rradhës

    Para për dëftesat, reagon MASH: Do të veprojë inspektorati i arsimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë