RMV, a do të reduktohet përdorimi i celularëve në klasë?

    Duke pasur parasysh ndikimin e mundshëm në arritjet akademike të nxënësve në disa nga vendet e botës tashmë është vendosur ndalesë për përdorimin e telefonit inteligjent në shkolla, ndërsa së fundmi një kërkesë të tillë e parashtruan edhe nga UNESCO, pasi sipas tyre ato ndikojnë negativisht në aktivitetin e nxënësve. Në Raportin Global për Monitorimin e Arsimit në 18 vitet e fundit, në të cilin propozohet një vlerësim gjithëpërfshirës, si dhe rekomandime për arsimin në mbarë botën, ku theks i veçantë vihet në “ndalimin e telefonave celularë” dhe ndikimin e tij në arsim.

    Nga UNESCO, suksesin e reduktuar, dhunën e shtuar, si dhe paqëndrueshmërinë emocionale tek fëmijët e lidhin me përdorimin e tepruar të telefonave inteligjent. Për dallim nga shumë vende të botës e së fundmi edhe Shqipëria të cilët e kanë ndaluar me ligj përdorimin e telefonit inteligjent në orë të mësimit, Maqedonia e Veriut nuk ka një rregullore ligjore dhe shkollat e përcaktojnë vetë këtë rregull. Nga MASH për media thanë se gjatë muajit maj qeveria ka miratuar një listë me dhjetë rekomandime të cilat sipas tyre, pritet të rrisin sigurinë në shkolla dhe të reduktojnë dhunën mes bashkëmoshatarëve.

    “Në mesin e 10 rekomandimeve njëri ka të bëjë me atë që komunat dhe Qyteti i Shkupit t’i obligojnë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme që të krijojnë një organizim dhe protokoll për përdorimin e telefonave celularë nga nxënësit dhe mësimdhënësit gjatë orës së mësimit si dhe në hapësirat e shkollës”, thonë nga MASH.

    Sipas tyre, kufizimi i përdorimit të telefonave celularë është i nevojshëm, pasi kjo do të nxisë diskutime, shkëmbime të ideve, biseda të hapura, si dhe fokusim në përmbajtjen mësimore. Përndryshe, siç thonë nga MASH kjo çështje do të rregullohet me një protokoll sigurie që do të përgatitet në konsultim me disa palë të interesuara në arsim, procesin arsimor dhe përfaqësues të institucioneve.

    Përveç Maqedonisë së Veriut, nga vendet e Ballkanit Perëndimor edhe Serbia e cila u bë gjeneza kryesore për marrjen e këtyre masave për shkak të vrasjes së 9 personave në shkollë ende nuk ka nisur ndonjë fushatë për ndalimin e telefonave në shkolla. Nga Forumi i shkollave të mesme u shprehën të shqetësuar pasi shkollat nuk po marrin masa për ndalimin e telefonave celularë në shkolla nga ku edhe bënë thirrje që një gjë e tillë të zbatohet me urgjencë.

    Ndalimi i plotë i përdorimit të telefonit në orët mësimore për herë të parë u prezantua nga Franca në vitin 2018, ndërsa në Holandë ky vendim do të hyj në fuqi më 1 janar 2024. Ky vendim në Holandë do të bëjë përjashtim vetëm për klasat e aftësive digjitale apo nxënësit me aftësi të kufizuara, ose kushte të tjera mjekësore që kërkojnë pajisje. Ministri i Arsimit atje në një prononcim ka deklaruar se edhe pse janë pjesë e pandashme e jona “telefonat celularë nuk kanë vend në klasa”. “Nxënësit duhet të jenë të përqendruar dhe të kenë një mundësi për të mësuar mirë. Telefonat celularë janë një pengesë, dhe këtë e tregojnë kërkimet shkencore. Ne duhet t’i mbrojmë nxënësit nga kjo”, tha Robert Dajkgraf.

    Edhe Finlanda e cila është e njohur për rezultate të shkëlqyera në testet e aftësive shkollore PISA, dëshiron të ndryshojë prirjen aktuale dhe të promovoj një mjedis të fokusuar mësimor, duke ndaluar telefonat në shkolla. Në Gjermani, vetëm shteti i Bavarisë i ndalon zyrtarisht telefonat celular në shkolla. Raporti i UNESCO-s e thekson rëndësinë e mbështetjes së një “vizioni të arsimit të orientuar nga njerëzit”, i cili siguron që teknologjitë digjitale ta plotësojnë ndërveprimin ballë për ballë me mësuesit dhe jo ta zëvendësoj atë. Në vendet si Guinea, Letonia, Meksika, SHBA, Portugalia, Zvicra, Spanja, Kanadaja, e të tjera, ndalimi i përdorimit të telefonave është miratuar në bazë të rezultateve të arritjeve akademike të nxënësve. Pas futjes së ndalimit të telefonave celularë, në vendet si Belgjika, Spanja, Anglia, është vërejtur përmirësim në performancën akademike, në veçanti në mesin e studentëve me rezultate më të ulëta. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Tri truke për të zbardhur produktet PVC të zverdhura në shtëpi

    Lajmi i rradhës

    Arsimi joformal në Maqedoni, metodë efektive për zhvillim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë