RMV, a do të ushqejmë veten deri më 2028-ën?

    Qeveria së fundmi miratoi Programin nacional për zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural për periudhën 2023-2027. Ai synon që në pesë vitet e ardhshme të sigurojë pavarësi dhe mbulim të tërësishëm të nevojave për ushqim nga prodhimtaria vendore, të rrisë konkurrencën e sektorit bujqësor dhe ushqimor. Njëherësh ndër qëllimet strategjike janë edhe sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm të mjediseve rurale dhe tërheqja e fermerëve të rinj, duke lehtësuar zhvillimin e bizneseve në fshatra.

    Sipas ekzekutivit, është e rëndësishme rritja e prodhimtarisë dhe cilësisë në bujqësi, mbrojtja e mjedisit, siguria ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe krijimi i bujqësisë moderne dhe konkurruese me produkte me vlerë më të madhe të shtuar. Në ndërkohë, parcelat e vogla dhe të shpërndara, mos organizimi i bujqve, mungesa e cilësisë konstante apo standardeve në prodhimtari, grumbullimi lirë i prodhimeve bujqësore dhe shitja shtrenjtë e tyre në treg, rendimentet e ulëta dhe fitimi i ulët, mungesa e fuqisë punëtore… Këto janë vetëm një pjesë e problemeve të bujqësisë vendore që me vite ngadalë po gjejnë zgjidhje. Në dhjetë vitet e fundit po shënon ulje edhe prodhimtaria e qumështit të lopës nga 376 290 mijë litra në vitin 2011 në 326 523 mijë litra në vitin 2021.

    Rënie në këtë periudhë shënon edhe prodhimtaria e mishit të gjedhit nga 5301 ton në 4214 ton mish gjedhi. Me fjalë të tjera, po shënohet regres në blegtori si mbretëreshën e bujqësisë, që edhe në suaza botërore tregon zhvillimin më të madh apo më të vogël të çdo bujqësie në nivel nacional.

    Në ndërkohë, në vitet e kaluara po rritet eksporti, por edhe importi i ushqimeve në vend.
    Të dhënat e fundit statistikore tregojnë se vetëm në 11 muajt e parë të vitit 2022 është regjistruar eksport prej 417 milionë euro që është përmirësim i madh karshi 358 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2021. Mirëpo rritje të madhe po shënon edhe importi i ushqimit prej 675 milionë euro në 11 muajt e parë të vitit 2021 në 813 milionë euro në 11 muajt e parë të vitit 2022. Njëherësh edhe kulturat bujqësore karakteristike për këtë klimë, si pambuku për shkak të mungesës së mekanizimit, afioni apo lulëkuqja si rrjedhojë e pengesave ligjore, dhe panxhari i sheqerit në mungesë të grumbullimit dhe mbylljes së fabrikës vendore për përpunimit e tij, janë zhdukur thuajse tërësisht nga fushat. Këto janë kultura me perspektivë të cilat mund të kthehen sërish, nëse shteti zbaton në veprim strategjinë bujqësore, mirëpo problem është realizim në praktikë i saj.

    Agronomët thonë se e nevojitet një marrëdhënie e drejtpërdrejtë ndërmjet prodhuesit primar dhe blerësve dhe përpunuesve, të cilët më pas do të rrisin vlerën e produkteve përmes përpunimit. Bile shtojnë se çmimet me të cilat blihen produktet e fermerëve nuk i motivojnë ato, por përkundrazi nuk ua mbulojnë as kostot e prodhimit, prandaj bujqit shpesh ngrenë dorë nga bujqësia.

    Ne dështuam gjatë gjithë kësaj periudhe tranzicioni, në të cilin u ndryshuan disa qeveri, të ndërtonim një strategji që do të jepte fryte, domethënë do të nxiste prodhimin bujqësor. Andaj duhet të vendosen rregullat e lojës për të mundësuar zhvillimin e bujqësisë. Edhe pse kemi prodhimtari tregu, megjithatë nuk mund të kërkohen produktet e prodhuesve nën çmimin e prodhimit. Duhet pasur parasysh se ai duhet të mbijetojë me ato para, të ushqejë familjen dhe t’i mbetet pak për investime në vitin e ardhshëm. Krahas prodhimit primar duhet të imponohet edhe përpunimi i produkteve bujqësore, të cilat më pas do t’i eksportojmë me vlerë të shtuar, që do të punësojë punëtorë shtesë në fabrika ku përfitime ka edhe shteti. Pra, përmes mënyrave dhe qasjeve të ndryshme duhet të stimulohet dhe mbështetet prodhuesi privat në prodhimtarinë primare së bashku me përpunimin, vlerësojnë ekspertët bujqësor.

    Nga Federata e Fermerëve vlerësojnë se më shumë se dhjetë vite po rriten çmimet prodhuese, ndërsa po zvogëlohen ato grumbulluese. Nga atje shtojnë se si probleme të rëndësishme për fermerët janë edhe sfidat në fushën e plasmanit të bujqësisë, çmimet e ulëta të blerjes, mos organizimi nga ana e vetë fermerëve, konkurrenca e pandershme që ka monopol në tregun e blerjes, mungesa e prodhimtarisë së kontraktuar , numri i vogël i koperativave apo mos ekzistenca e formave funksionale të shoqërimit ekonomik të fermerëve. Një vëmendje më e madhe nga bartësit e politikave duhet t’i kushtohet edhe ndryshimeve klimatike që dëmtojnë prodhimtarinë bujqësore, ndërsa vlerësohet se me ndryshimin e modelit të subvencionimit përparësi duhet të kenë bujqit që ekzistojnë nga bujqësia apo bujqit e vërtetë dhe të mos ketë manipulime në pjesën e shfrytëzimit të subvencioneve bujqësore, konstatojnë nga Federata e Fermerëve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    600 MIJË TURISTË NGA MAQEDONIA NË SHQIPËRI: Fqinjët, destinacioni i preferuar i turizmit

    Lajmi i rradhës

    “Është vetëm fillimi” – Volejbollistet e Kosovës të etura për më shumë suksese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë