RMV e meriton notën 3 sa i përket përparimit ekonomik

    Maqedonia e Veriut ka bërë një përparim të caktuar në rrugën e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, megjithatë akoma mbetet edhe shumë çështje për tu përmirësuar si dhe më shumë fusha ku nevojitet një angazhim shumë më i madh për integrimet evropiane. Ngjashëm me analizat e institucioneve relevante ndërkombëtare financiare, edhe raporti i Brukselit vetëm se ka theksuar edhe njëherë konstatimet e tyre për menaxhimin e investimeve publike që kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme. Boshllëqet në transport, energji dhe infrastrukturë së bashku me inovacionet dhe kalimin e ngadalshëm nga bankat e shkollës në një vend pune, e pengojnë vendin të arrijë potencialet e rritjes ekonomike.

    NGECJE REFORMASH FISKALE

    Ballafaqimi me pandeminë dhe digjitalizimi i ekonomisë janë vlerësuar me sukses. Raporti shënon se kanë ngecur reforma të rëndësishme të politikave për të përmirësuar qeverisjen fiskale dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Theksohet se pas vonesave të gjata, ligji i ri organik i buxhetit, i cili parashikon rregullat fiskale dhe një këshill fiskal, u miratua nga Parlamenti në mesin e shtatorit.

    Kritika ka edhe për biznesbërjen. Ambienti i biznesit vazhdon të frenohet nga përmasat e mëdha të ekonomisë informale dhe nga progresi i ngadaltë në thjeshtimin e tarifave parafiskale, apo pagesave jashtë tatimeve për të cilat shpesh nuk fitohet ndonjë shërbim konkret. Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të caktuar, dhe është mesatarisht e përgatitur për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së. Integrimi me BE-në në tregti dhe investime mbeti në një nivel të lartë në vitin 2021, përkundër bllokimeve dhe ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit brenda vendit dhe në vendet partnere tregtare.

    TREGU I PUNËS DHE SHKOLLIMI

    Shënohet rritje e pjesëmarrjes së prodhimeve me vlerë të lartë në eksporte. Megjithatë përkundër përparim të mëtejshëm në drejtim të përmirësimit të arsimit profesional, edhe më tej ekzistojnë mungesa të mëdha të aftësive që do të përmbushin nevojat e tregut të punës. Kjo dukuri po sjell një tranzicion të gjatë nga shkolla në punë, apo nga diplomimi deri në punësim. Digjitalizimi i ekonomisë po përparon, por konkurueshmëria e bizneseve vendore, mund të përmirësohet përmes një oferte më të gjerë të shërbimeve publike elektronike.

    MESATARISHT TË PËRGATITUR PËR TREGUN EVROPIAN

    Lidhur me aftësinë e vendi mund që të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, Maqedonia e Veriut është e përgatitur në mënyrë të moderuar në shumicën e fushave të mbuluara nga Klasteri 2 në tregun e brendshëm, apo lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, pronësinë intelektuale, politikën e konkurrencës, shërbimet financiare dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe të shëndetit.

    Në përgjithësi, Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në shumicën e fushave të mbuluara nga Klasteri 3 për konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, duke përfshirë transformimin digjital dhe mediat, tatimet, politikat e ndërmarrjeve dhe industriale, arsimin dhe kulturën dhe politikën ekonomike dhe monetare. Ajo ka arritur një nivel të mirë përgatitjeje në shkencë dhe hulumtime dhe në unionin doganor. Është bërë njëfarë progresi në shumicën e fushave të mbuluara nga ky grup. Progres i mirë është bërë në fushën e politikës ekonomike dhe monetare, pas miratimit të Ligjit organik të buxhetit në shtator 2022. Megjithatë, nevojiten më shumë përpjekje, veçanërisht në fushat ku është bërë përparim i kufizuar, si transformimi digjital dhe mediat si dhe arsimi dhe kultura.

    AGJENDA E GJELBËR

    Në grupin 4 të Agjendës së Gjelbër dhe lidhjes së qëndrueshme, Maqedonia e Veriut ka arritur një nivel të mirë të përgatitjes në rrjetet trans-evropiane. Vendi është mesatarisht i përgatitur për politikën e transportit dhe energjisë dhe ka arritur një nivel përgatitjeje për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

    Njëherësh është arritur njëfarë progresi në fushat e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Nevojiten përpjekje thelbësore në fushat ku është bërë përparim i kufizuar si në energjinë, politikat e transportit dhe rrjetet trans-evropiane. Vendi duhet të përshpejtojë zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor gjatë periudhës së ardhshme. Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në shumicën e fushave të grupit 5 për resurset, bujqësinë dhe kohezionin. Ajo ka arritur një nivel të mirë përgatitjeje në fushën e sigurisë ushqimore, politikës veterinare dhe fitosanitare dhe është në një fazë të hershme përgatitjeje në dispozitat financiare dhe buxhetore. Gjatë periudhës së raportimit, është bërë njëfarë progresi në bujqësi dhe zhvillim rural dhe në politikën e sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare. Megjithatë, nevojiten përpjekje të mëtejshme, veçanërisht në fushat ku është bërë përparim i kufizuar ose aspak progres, si në peshkim, dispozitat financiare dhe buxhetore, si dhe në politikën rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore.

    KORRUPSIONI

    Vendi ka arritur një nivel përgatitjeje, është mesatarisht i përgatitur në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Është bërë njëfarë progresi pasi vendi vazhdoi të konsolidojë performancën e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e disa rasteve të korrupsionit, duke përfshirë në një nivel të lartë. Rastet e ngritura nga ish-Prokuroria Speciale vazhduan të ecin përpara, duke vendosur përgjegjësi për përgjimet e paligjshme. Një sërë çështjesh iu nënshtruan vendimeve të shkallës së parë. Në përputhje me rekomandimet e viteve të kaluara, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka qenë proaktiv në ofrimin e udhëzimeve të politikave për institucionet publike për parandalimin e korrupsionit dhe ka hapur disa raste, duke përfshirë raste kundër zyrtarëve të nivelit të lartë.

    Konkluzionet e raporteve të tij të rregullta duhet të adresohen plotësisht. Përpjekjet për përmirësimin e funksionimit të KSHPK-së duhet të vazhdojnë me ndarje të mëtejshme të burimeve financiare dhe njerëzore. Burime shtesë njerëzore dhe financiare duhet të vihen në dispozicion të Prokurorisë Publike, qendrave hetimore dhe njësive të zbatimit të ligjit të ngarkuara me hetimin e korrupsionit. Sektorët më të cenueshëm ndaj korrupsionit kërkojnë vlerësime të synuara të rrezikut dhe veprime të përkushtuara.

    ADMINISTRATA PUBLIKE

    Maqedonia e Veriut mbetet e përgatitur mesatarisht për sa i përket reformës së administratës publike. Ajo bëri përparim të kufizuar në zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. Ajo miratoi Programin e reformës së menaxhimit të financave publike 2022-2025. Megjithatë, është vonuar miratimi i legjislacionit për organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore dhe ligji i ri korniza për menaxhimin e burimeve njerëzore (rishikimi i Ligjit për nëpunësit administrativ dhe Ligji për punonjësit e shërbimeve publike dhe një ligj i ri për shërbimin e lartë drejtues). Korniza e re synon të përmirësojë menaxhimin e burimeve njerëzore në të gjithë administratën dhe të ofrojë siguri më të madhe për rekrutimin e bazuar në merita, promovimin dhe shkarkimin, duke përfshirë edhe nivelet e larta drejtuese. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët e RMV-së 1 GB internet e paguajnë pothuajse si në Austri

    Lajmi i rradhës

    Drejtuesit e PSG-së e bindën Mbappen se kanë 500 milionë euro për të paguar Neymar dhe Messin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë