RMV në mesin e vendeve të para në botë për largimin e popullsisë

    Flukset në rritje të emigrimit të popullsisë e kanë renditur Maqedoninë e Veriut mes vendeve të para në botë për largimin e popullsisë. Zyrtarisht numri i shtetasve që jetojnë jashtë vendit është mbi 700 mijë, ose një e treta e popullsisë, por supozohet se numri është më i lartë. Kjo për shkak se nuk llogariten personat që figurojnë me pasaporta bullgare, por edhe se sipas Eurostat konfirmohet se shifrat e emigrimit sidomos drejt vendeve si Gjermania, Zvicra, Italia, Austria dhe Sllovenia janë më të larta. Gjithashtu, rritje të konsiderueshme shënoi edhe numri i emigrantëve drejt Kroacisë, Çekisë, Suedisë. Sipas një publikimi më të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave, në bashkëpunim me IOM emigrimi nga Maqedonia e Veriut po merr përmasa shqetësuese në dekadën e fundit.

    “Kjo rritje është ndoshta më e lartë për shkak të mbulimit jo të plotë ose mungesës së të dhënave për vende të caktuara, për shembull, nuk ka të dhëna për Maltën, edhe pse vlerësohet se jetojnë 10 mijë shtetas, gjithashtu në të dhënat për numrin e përgjithshëm të shtetasve që banojnë në vendet evropiane nuk përfshihen ato me pasaporta bullgare…. Emigrimi jashtë vendit, i cili zgjat më shumë se pesë dekada, po shkakton shpopullim permanent të një pjese të madhe të territorit. Ka një rritje të vazhdueshme të numrit të vendbanimeve që nuk kanë një banor të vetëm, në të cilat nuk mirëmbahet asnjë infrastrukturë, nuk ka kontroll të terrenit përsa i përket shfrytëzimit të tokës së punueshme dhe fondit pyjor, si dhe formimit të deponive të egra, të cilat kushtëzojnë implikime të pafavorshme të gjera në mjedisin jetësor. Sipas Raportit Botëror të Migracionit, Maqedonia e Veriut është në 20 vendet e para në botë me emigracionin më të madh jashtë vendit”, thuhet ndër të tjera në Profilin për emigracionin.

    PËR DY DEKADA, DHJETË HERË MË SHUMË EMIGRANTË

    Po të krahasohet me dy dekada më parë, rezulton se numri i shtetasve të larguar është rreth dhjetë herë më i lartë (nga mbi 79 mijë në vitin 2002). Sipas Censusit të vitit 2002, numri i përgjithshëm i popullsisë së emigruar nga jashtë ishte 79,167 persona. Por të dhënat nga Atlasi i Migracionit të Qendrës së Përbashkët të Kërkimeve të Komisionit Evropian tregojnë se pas vitit 2005 numri i përgjithshëm i migrantëve u rrit dhe në vitin 2019 arriti në rreth 131 mijë njerëz. Në total nga rreth 527 mijë emigrantë (2010) ka arritur në gati 700 mijë persona (2020), që përfaqëson më shumë se një të tretën e popullsisë së përgjithshme të vendit. Sa i përket shpërndarjes gjeografike pas vitit 2010, me numrin më të madh të emigrantëve veçohen Gjermania, Italia, Zvicra, Austria dhe Sllovenia.

    Deri në fund të vitit 2010, në këto pesë vende banonin mbi 217 mijë persona dhe mbi 272 mijë persona në vitin 2020, që paraqet një rritje prej 25 për qind. Të dhënat e OKB dhe Bankës Botërore tregojnë se numri i të emigruarve në vendet joevropiane arrin në rreth 411 mijë persona (2019), por mund të konsiderohet si i nënvlerësuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për vende si SHBA, Kanada, Australi dhe Zelanda e Re), pasi të dhënat zyrtare të këtyre vendeve tregojnë se numri i është shumë më i lartë se kaq.

    ShBA, DESTINACIONI KRYESOR I BLUZAVE TË BARDHA

    Trendi në rritje të vazhdueshme i emigrimit të stafit mjekësor është karakteristik në vitet e fundit ka marrë përmasa alarmante. Nuk ka të dhëna të sakta për këtë emigrim nga burime vendase, por sipas atyre të huaja mund të konkludohet se numri i mjekëve që punojnë jashtë vendit në periudhën 2010-2019 është rritur me rreth 60 për qind. Gjithsej numri i personelit mjekësor të larguar gjatë viteve 2009-2020 është 11.657 persona. Numri i tyre në vendet e OECD është relativisht më i lartë krahasuar me atë të vendeve të tjera të rajonit. Fokusi i emigrimit mjekësor mbetet i njëjtë sa i takon destinacionit SHBA (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Sllovenia, Franca dhe Zvicra).  

    “Vendi sot përballet me një mungesë serioze të mjekëve dhe specialistëve të ndryshëm. Humbja e përhershme e këtij stafi vështirë se do të kompensohet nga prodhimi dhe angazhimi në punë i mjekëve të rinj… Mungesa e personelit mjekësor ndihet edhe në nivel individual dhe manifestohet në zvogëlimin e mundësive për ofrimin e kujdesit shëndetësor në kohë dhe cilësor”, thuhet në raport. Më tej shtohet se kjo mungesë gradualisht po shndërrohet në një përcaktues të rëndësishëm për intensifikimin e emigrimit jashtë vendit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Arsimi joformal në Maqedoni, metodë efektive për zhvillim

    Lajmi i rradhës

    Përplasjet ndërmjet Sofjes dhe Shkupit ulin numrin e turistëve mes dy vendeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë