RMV, PAK EKSPORTON PRODHIME VENDORE | Deficiti tregtar pengon rritjen ekonomike

    Maqedonia e Veriut njihet si vend i cili në mënyrë tradicionale përballet me nivel të ulët të mbulimit të importit me eksportin, ndërsa deficitin tregtar e ka të lartë, e që sipas statistikave, në këto 30 vitet e fundit deficiti tregtar ka arritur në 30%. Pjesa më e madhe e importit janë mallrat e konsumit si, automobilat, televizorët, video pajisje, pajisje shtëpiake, e që për vite me radhë, edhe importi i produkteve ushqimore në vend është më i lartë sesa eksporti i tyre, kjo ka ndikuar që bilanci tregtar vazhdimisht të ketë përqindje negative në krahasim me përqindjen e BPV.

    Prej vitesh deficitin e lartë e kanë mbuluar transferimet e emigrantëve, qoftë me kredi nga jashtë, apo me emetim të obligacioneve valutore, shumë kjo e cila për çdo vit rritet. Për këtë varësi të vazhdueshme nga importi i produkteve paralajmërojnë edhe ekspertët ekonomik, sipas të cilëve, vendi duhet të ulë deficitin tregtar me masa makroekonomike, të cilat do të intensifikonin rritjen ekonomike të vendit. Përqindja e pafavorshme e bilancit tregtar për BPV shihet edhe në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave. Gjatë 2021 BPV është realizuar në vlerë prej 720.414 milionë denarë, prej të cilave 477.020 milionë denarë ka qenë eksporti i mallrave dhe shërbimeve, dhe 592.571 milionë denarë ka qenë importi i mallrave dhe shërbimeve, që i bie se importi ka qenë për 120 milionë denarë më i lartë se eksporti.

    Konsumi final i amvisërive në 2021 ka qenë 480.667 milionë denarë, ndërsa bruto investimet 232.902 milionë denarë. Nëse e krahasojmë me 2020, norma reale e rritjes së BPV për 2021 është 3.9%. Çrregullimet e marrëdhënieve të tregut në ekonominë botërore drejtpërdrejtë kanë reflektuar në ekonominë e vendit, ndërsa kompanitë prodhuese janë më të ekspozuara ndaj rreziqeve të jashtme.

    Flukset e reduktuara tregtare si dhe kushtet e ndryshueshme të punës gjatë pandemisë shkaktuan një goditje të konsiderueshme në shumë industri, duke e minuar kështu konkurrencën e kompanive maqedonase. Rënia e ri-prodhimit si dhe rënia e qarkullimit tregtar dhe turistik, ndikoi edhe në rënien deri në 10% edhe të eksporteve dhe importeve, si dhe ishin një nga faktorët për rënien e 4.5% të BPV në 2020. Në vitin 2022 për shkak të agresionit rus në Ukrainë, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë ndikoi në thellimin e bilancit negativ tregtar.

    Kriza ekonomike vetëm që konfirmoi konkurrencën e dobët të kompanive vendore. Në këtë periudhë munguan edhe masat për mbështetje të industrive të përzgjedhura, për minimizim të dëmeve duke stimuluar prodhimin e orientuar drejt eksportit. Komuniteti i biznesit vëren që nuk ka një politikë e cila zyrtarisht i përcaktohet konkurrencës në vend, për të cilën palët e interesuara do të konsultoheshin gjatë krijimit të politikave sektoriale dhe strategjike të eksportit. Tërheqja e kompanive të huaja për momentin nuk ndikon asgjë në rritjen e BPV, pasi norma mesatare e rritjes së ekonomisë kombëtare varion mes 2 dhe 3%.

    Analizat e mëparshme për efektet ekonomike të kompanive që operojnë në zona industriale, tregojnë se rritja totale nominale e vlerës së shtuar në ekonomi për vitet 2014-2016 e ardhur nga shoqëritë që operojnë në zonat industriale ka qenë rreth 14%. Efekti neto i këtyre zonave për periudhën e vëzhguar si peshë e BPV rezultoi në 2.1%.

    Në Raportin e Konkurrencës Globale për 2019, ekonomia kombëtare e Maqedonisë u rendit e 82-ta nga gjithsej 141 vende. Kjo tregon se ne nuk arritëm të tërheqim më shumë investime të huaja që do të reduktonin dobësinë e vazhdueshme të vendit në eksport. Në nivele të lakmueshme nuk është as përdorimi i mundësive që ofron liberalizimi i tregut nga kompanitë vendase pasi kushtëzohen nga konkurrenca mes tyre. Nxitja e investimeve të huaja, rritja e shkallës së inovacionit dhe zhvillimit teknologjik, transformimi i industrisë vendase, produktiviteti i punës, janë disa nga çështjet që sipas ekspertëve ekonomik kërkojnë vëmendje të veçantë sa i përket aspektit të konkurrencës. Vëmendje e madhe duhet t’u kushtohet edhe reformimit të arsimit për të gjitha ciklet arsimore në mënyrë që nxënësit dhe studentët të marrin njohuri që sigurojnë punësim më të madh në tregun e punës, theksojnë ekspertët. 

    Lajmi Paraprak

    UNITET RRETH INTEGRIMEVE! Qeveria kërkon konsensus të gjerë për ndryshimet kushtetuese

    Lajmi i rradhës

    Bizneset në Maqedoni kërcënojnë me zbrazjen e rafteve në rast të ngrirjes së çmimeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë