UNITET RRETH INTEGRIMEVE! Qeveria kërkon konsensus të gjerë për ndryshimet kushtetuese

    Ndryshmet kushtetuese do të bëhen përmes diskutimeve publike me përfshirjen e të gjitha palëve me konsensus të gjerë shoqëror, tha dje kryeministri Dimitar Kovaçevski. Debati për ndryshimet kushtetuese, sipas tij, duhet të fillojë në nivel ekspertësh, sepse fillimisht duhet të shkruhen amendamentet kushtetuese që qytetarët dhe të gjithë të shohin se si duken. Për liderin e opozitës Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, ndryshimet kushtetuese nuk janë prioritet për qytetarët. Kovaçevski tha se debati për ndryshimet në Kushtetutë do të fillojë në nivel ekspertësh.

    “Këtë do ta bëjnë ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, profesorë universitarë dhe sigurisht përfaqësues të partive politike. Sa i përket përfshirjes së të gjitha partive politike, është normale që ato të përfshihen në vetë procesin, sepse procesi i ndryshimeve kushtetuese parasheh përfshirjen e të gjithëve në Parlament, sepse atje  zhvillohet në disa faza”, tha Kovaçevski.

    Kryeministri paralajmëroi se në diskutimet publike do të përfshihen edhe komuniteti akademik dhe i biznesit, organizatat e shoqërisë civile, mediat… Të gjitha me qëllim që të ndërtohet me një konsensus të gjerë shoqëror, tha ai.

    Ai ritheksoi gjithashtu se ndryshimet kushtetuese kërkojnë një shumicë prej dy të tretash për anëtarësimin tonë të plotë në BE, duke shtuar se një shumicë e tillë duhet të përdoret për të sjellë ndryshime në prokurori, sferën e drejtësisë, decentralizimin dhe reformat e administratës publike. Prandaj, sipas tij, duhet të ndërtohet një konsensus i gjerë shoqëror dhe kombëtar për faktin se këto çështje kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit. “Do t’i kthehem anketës për BE-në, qytetarët tanë duan të jetojnë sipas standardeve evropiane, ata e meritojnë të jetojnë sipas standardit evropian, dhe kjo bëhet në një shtet anëtar të BE-së, por qytetarët tanë meritojnë të jetojnë në një vend anëtar i BE-së, por këtu në shtëpi në Maqedoni, dhe jo për të jetuar në një vend anëtar të BE-së jashtë vendit, tha Kovaçevski.

    Kovaçevski tha gjithashtu se për momentin nuk ka bisedime për hyrje të një partie tjetër në koalicionin qeverisës.

    “Nuk ka bisedime të tilla për momentin, por në ekspozitën time gjatë përzgjedhjes së ministrave dhe deputetëve të rinj, thashë se kjo Qeveri mbetet e hapur për të gjitha partitë politike dhe individët dhe organizatat që duan të anëtarësohen në ‘Aleancën evropiane’, dhe të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në marrjen e vendimeve që nënkuptojnë anëtarësim më të shpejtë në BE dhe zbatim më të shpejtë dhe më efikas të ligjeve reformuese për të gjitha fushat e rëndësishme në Parlament, tha Kovaçevski. Ai shtoi se nëse ndonjë parti vlerëson në bazë të përcaktimeve dhe vizionit dhe vendimeve të saj se dëshiron të jetë pjesë e kësaj Qeverie, atëherë dera është e hapur. Kryeministri Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se ka parti që deklarativisht janë “për” anëtarësimin në Bashkimin Evropian apo NATO, por nuk kanë përkrahur asnjë vendim lidhur me anëtarësimin tonë në to.

    Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, thotë se duhet të arrihet konsensusi mbipartiak për ndryshimet kushtetuese, nga të cilët varet rruga evropiane e vendit. Osmani në një intervistë për mediat tha se duhet të lihen anash interesat e politikës ditore, të ulet e të analizohen të gjitha aspektet “për” dhe “kundër” ndryshimeve me të cilët Bullgarët duhet të futen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. “Ju siguroj se edhe në nivel e ekspertëve dhe në atë politik dhe në cilin do nivel tjetër, do të dominojnë argumentet “për” ndryshimet kushtetuese, për shkak se kanë të bëjnë me interesin tonë. Së pari do të përmirësohen në mënyrë afatgjate raportet RMV-Bullgari, kurse zgjidhja e kësaj çështjeje është me rëndësi që të vazhdojë procesi i negociatave për anëtarësim në BE”, tha ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

    Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi nga Brukseli tha se procesi integrues i vendit është stabil dhe zgjedhja është e qartë – Maqedonia e Veriut është plotësisht e integruar në Bashkimin Evropian, konkluzion i cili doli nga takimi me Komisionerin Evropian për Ekonomi dhe Financa, Paolo Gentiloni. Bytyqi theksoi se Gentolini konfirmoi përkushtimin dhe qëndrimin e Komisionit Evropian se Maqedonia e Veriut është me rëndësi strategjike për Bashkimin. “Jemi fuqishëm të përkushtuar për harmonizimin e ligjit dhe rregulloreve të Bashkimit Evropian me synimin e anëtarësimit të plotë. Por më e rëndësishmja, përgatitja dhe rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë vendase për ta bërë më të shpejtë dhe më të lehtë kalimin në tregun e përbashkët të BE-së. Nga ne varet, duhet të punojmë në shtëpi, të gjithë së bashku drejt realizimit të këtij objektivi deri në vitin 2030”, tha Bytyqi.

    Për liderin e opozitës Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, ndryshimet kushtetuese nuk janë prioritet për qytetarët. “Ndryshimet kushtetuese nuk janë përmendur nga asnjë qytetar dhe ato ekzistojnë vetëm në mendjen e disa politikanëve që as nuk besojnë se janë të mira. Nëse i pyesni qytetarët se cilat janë prioritetet tuaja, ata do t’ju listojnë së paku 15 prioritete dhe nëse nuk ua përkujtoni amendamentet kushtetuese, askush nuk do t’i përmendë, tha Mickoski.

    Lidhur me deklaratën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski se për momentin nuk është planifikuar takim i liderëve dhe se ndryshimet kushtetuese do të bëhen përmes diskutimeve publike me përfshirjen e të gjitha palëve me konsensus të gjerë shoqëror të ndërtuar, Mickoski theksoi se në takim mbajtur në Klubin e deputetëve, ata tashmë kanë thënë atë që i shqetëson dhe nuk shohin arsye për të përsëritur të njëjtën gjë.

    “Prej disa muajsh u them, hajde të shkojmë në zgjedhje, se keni krijuar problem. Pra kemi një problem. Le të shkojmë në zgjedhje, që secili nga aktorët politikë të ofrojë zgjidhje për zgjidhjen e këtij problemi, sepse me vendosjen e armës në kokë nuk e zgjidh këtë problem. Në Klubin e deputetëve thamë atë që na shqetëson. U ula me Kovaçevskin dhe i tregova se çfarë po na shqetësonte. Tashmë jemi ulur dhe kemi thënë atë që na shqetëson. Nuk shoh asnjë arsye pse duhet të përsërisim të njëjtën gjë përsëri. Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar”, tha Mickoski. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Italia ashpërson ligjin për duhanin, do të ndalohet në ambientet e jashtme të bareve, restoranteve, stacioneve dhe parqeve

    Lajmi i rradhës

    RMV, PAK EKSPORTON PRODHIME VENDORE | Deficiti tregtar pengon rritjen ekonomike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë