RMV, përdorim i vogël i gazit

    Maqedonia e Veriut vetëm në vitin e kaluar ka regjistruar harxhimin prej 420 milionë metër kub gaz si harxhimi më të madh deri tani, që është rritur në raport me harxhimin prej 337 milionë kub gaz në vitin 2020. Pjesa më e madhe e gazit vjen nga gazsjellësi nga Bullgaria që në vend sjell këtë energjens nga Rusia, ndërsa sasi më të vogla në Strumicë arrijnë përmes autoboteve. Nga ana tjetër të dhënat tregojnë edhe pse se për një vit është rritur konsumi i gazit natyror për 20 për qind, ai megjithatë mbetet si sasi e vogël për konsumin e industrisë dhe amvisërive. Pjesën më të madhe të gazit në vend e shfrytëzon kompania për prodhimin e ngrohjes dhe energjisë elektrike, Teto nga Shkupi.

    Të dhënat e Komisionit Rregullator për Energjetikë gjithashtu tregojnë se në vitin 2020, duke marrë parasysh se për vitin e kaluar akoma nuk janë publikuar analizat për sektorin energjetik, tregojnë se Ngrohtorja Teto me gaz nga Shkupi është konsumator dominues i harxhimit të gazit natyror me afër 68 për qind të konsumit në nivel shtetëror. Pason prodhuesi i ngrohjes në nivel të Shkupit ”Ballkan Enerxhi”, kompania metalike Makstil dhe ElektroEkonomia e Maqedonisë-Energjetika.

    Sasi më modeste të gazit në vitin 2020 kanë përdorur fabrikat në zonën Bunarxhik me 4,2 milionë metër kub gaz. Kompania Strumica gaz- 709.100 metër kub gaz dhe kompania Kumanovo gaz me 548.500 metër kub gaz kanë mbuluar nevojat e 471 konsumatorëve, prej të cilëve dy të tretat kanë qenë amvisëritë. Sasi më të vogla përdoren edhe tek spitalet me gaz, industria ushqimore, institucionet publike etj.

    Vetëm në vitin 2020, përmes sistemit për transmetimin e gazit Gama në vend janë transmetuar 337,8 milionë metër kub gaz natyror që paraqet një rritje prej 14.5 për qind në raport me sasitë e transportuara në vitin 2019.

    Mirëpo në Maqedoninë e Veriut me vite, pak përdoret gazi natyror për shkak se nuk është ndërtuar akoma rrjeti sekondar apo dytësor që do të sjell gazin deri tek konsumatorët e fundit si amvisëria, fabrikat apo institucionet e ndryshme publike apo shtetërore.

    Bile analizat tregojnë se shteti shfrytëzon me 42 për qind kapacitetin e tërësishëm të transmetimit të gazit në vend. Para 11 vitesh harxhimi i gazit ishte në sasi shumë të vogla me nën 100 milionë metër kub gaz, që në vitin 2019 është trefishuar, por akoma në sasi modeste të potencialit për përdorim prej më shumë se 800 milion metër kub gaz në vit.

    Analizat e Komisionit Rregullator për Energjetikë, tregojnë se shfrytëzimi më i vogël i sistemit për transmetimin e gazit regjistrohet në muajt prill me 5 për qind dhe maj me 15 për qind, përderisa në muajt e dimrit kur edhe është sezoni i konsumit të madh të gazit natyror, konsumi luhatet ndërmjet 50 dhe 80 për qind të shfrytëzimit të sistemit për transmetimin e gazit. Në mënyrë modeste po rriten edhe kyçjet në sistemin e transmetimit të gazit nga 30 kyçje në vitin 2010 në 60 kyçje në vitin 2020.

    Njëherësh në muajt jashtë dimrit kur konsumi i gazit është minimal punojnë vetëm ato konsumatorë industrial që e përdorin gazin natyror për proceset e tyre teknologjike përgjatë tërë vitit.

    Në ndërkohë, pritet që Maqedonia e Veriut në rast të ndërprerjes së dërgesave të gazit rus nga Bullgaria, të vazhdojë të furnizohet sipas të gjithë gjasave me gazin që në Bullgari do të vijë nga muaji qershor apo korrik nga Azejbejxhani, mirëpo shqyrtohen edhe opsione të tjera deri në përfundimin e lidhjes së gazit me Greqinë. Mbetet opsion i hapur se sa do të jetë niveli i çmimit të gazit natyror nga furnizuesit e rinj.

    Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se kemi kontinuitet në furnizimin me gaz nga Bullgaria, përkundër asaj se Rusia ka ndërprerë dërgimin e gazit në Bullgari. Duke shtuar se shteti ka alternativa të tjera për furnizimin me gaz, ndërsa pritet që kjo çështje të zgjidhet në rast të ndërprerjeve të dërgesave të gazit nga Rusia në nivel rajonal.

    Në ndërkohë autoritetet bullgare sigurojnë se vendi nuk do të mbetet pa gaz. Deputeti i GERB-it dhe nënkryetari i Komisionit për Energji në Kuvendin Popullor Delyan Dobrev, i cili është edhe ish-ministër i Energjetikës, në televizionin Nova tha se: “Ne do të marrim gaz si nga Rumania ashtu edhe nga Greqia. Një pjesë e këtij gazi do të jetë sërish rus, por ne do të paguajmë 30 për qind më shumë për ndërmjetësit”, komentoi Dobrev.

    Sipas tij, Bullgaria prej vitit 2015, ka krijuar aftësinë teknike për të importuar gaz nga të gjitha vendet. “Mund të marrim 20 miliardë metër kub gaz nga jugu dhe 20 miliardë të tjerë nga veriu. Mund të marrim 40 miliardë përderisa konsumi ynë është 3 miliardë”, shpjegoi deputeti Dobrev. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Covid-19, Petliçkovski paralajmëron verë të qetë

    Lajmi i rradhës

    Mariçiq: Ka një lloj krize në politikën e zgjerimit të BE-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë