RMV, rritja historike e çmimeve ushqimore nuk do të ndalet

    Foto Ilustruese

    Bujqësia është sektori ku është përqendruar vëmendja e të gjithë botës, pas rritjes së çmimeve të ushqimeve. Në Maqedoni çmimet e tregtimit të 11 produkteve bujqësore sipas vendimit të së premtes të Qeverisë do të vazhdojnë të jenë të ngrira edhe gjatë këtij muaji. Por tavani i vendosur që në muajin prill vështirë të thuhet se është respektuar në terren, ku produktet si domate, kastravecë, qepë apo speca e fasule janë treguar 20-30 denarë më shumë sesa çmimet e përcaktuara si të ngrira nga qeveria.. Paralajmërimi është se ato do të vijojnë të qëndrojnë të larta, për aq kohë sa mbështetje për fermerët do të jetë e vogël.

    Sipas institucioneve financiare ndërkombëtare sektori i bujqësisë dhe prodhimi i ushqimit do të jetë amortizator i fortë i zbutjes së inflacionit sidomos në Ballkanin Perëndimor. Banka Botërore në raportin e rregullt ekonomik të këtyre ditëve për Ballkanin Perëndimor vë në dukje se kriza e krijuar i përkeqësoi stimujt për fermerët, të cilët janë baza e sigurisë afatgjatë për prodhimin e ushqimit.

    “Mbështetja e sektorit bujqësor si pjesë e PBB-së në Ballkanin Perëndimor (0.3 deri në 1.3 për qind) është përgjithësisht më e lartë se ajo në BE (0.4 për qind), ndërsa fermerët në shumicën e vendeve, marrin mbështetje të krahasueshme si BE edhe në vite te zakonshme”, thuhet në raport . Shumica e masave në Rajon synuan mbështetjen ndaj të varfërve, ndërkohë që qeveritë përkeqësuan stimujt afatgjatë për fermerët, duke ulur kështu potencialin e rritjes së bujqësisë dhe duke ndikuar në rritjen afatgjatë të çmimeve të ushqimeve.

    Në Maqedoninë e Veriut fermerët nuk morën mbështetje shtesë, kryesisht për shkak se ata tashmë ishin mbështetur mirë përmes programeve të rregullta buxhetore. Po ashtu edhe në Serbi. Ndërsa Bosnja e Hercegovina dhe Kosova ofruan fonde shtesë të konsiderueshme për fermerët, mesatarisht 0.33 për qind të PBB-së. Mbështetja për fermerët në Shqipëri dhe Mal të Zi ishte më e vogël.

    Nga ana tjetër të gjitha qeveritë në Ballkan gjatë krizës së çmimeve vitin e fundit u përqendruan në uljen e inflacionit për të gjithë konsumatorët përmes kontrollit të çmimeve të ushqimeve. Maqedonia e Veriut aplikoi ulje të taksave dhe kufizim të eksportit, Mali i Zi po ashtu ulje të taksave, Serbia reduktim të tarifave të eksportit, ndërsa Shqipëria synon kontroll të çmimeve me borde qeveritare.

    Çmimet globale dhe lokale të ushqimeve parashikohen të qëndrojnë të larta edhe gjatë 2023 dhe 2024. Edhe pse indeksi i Çmimeve të Ushqimit të Bankës Botërore ra me 12 për qind në tremujorin e tretë të 2022 pasi arriti një nivel të lartë historik në prill 2022, ai mbetet pothuajse 20 për qind më i lartë se një vit më parë, e cila është e lartë për standardet historike. Lufta, ndryshimet klimatike dhe kostoja e inputeve mund t’i mbajnë çmimet e ushqimeve të larta në vijimësi.

    Vazhdimi i luftës në Ukrainë mund të krijojë një hendek eksporti prej 35 milionë tonësh drithëra dhe fara vajore në vitin e marketingut, teksa fenomeni i motit “El Nino” mund të shkaktojë thatësira në Azinë Jugore dhe Juglindore dhe Afrikë. Ndaj mbështetja e prodhimit bujqësor shihet si siguria më e lartë për t’i ballë sfidave në furnizimin e rregullt dhe me kosto të përballueshme të ushqimit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Korridori që e shndërron Ballkanin në udhëkryqin kryesor

    Lajmi i rradhës

    KËSHILLI I PROKURORËVE PUBLIKË | Geer: Ata janë përgjegjës për promovimin dhe mbrojtjen e pavarësisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë