RMV – vajzat nga shkolla i largon martesa e hershme

    Përkundër faktit se analfabetizmi në vend është në përputhje me mesataren evropiane, gjegjësisht 1.2 për qind, vërehet një hendek i madh gjinor, kështu që nga 18.897 analfabetët e regjistruar gjatë regjistrimit të popullsisë, numri më i madh i tyre janë gra apo rreth 13.380 gra analfabetë. Edhe pse viteve të fundit është bërë progres në këtë aspekt, analfabetizmi assesi të eliminohet tërësisht. Tradita e martesave të hershme te vajzat dhe detyrimi për ta veshur një vello, vazhdon t’i largojë ato nga bankat e shkollës.

    Numri i përgjithshëm i meshkujve analfabetë në vend është 6988, ndërsa numri i femrave analfabetë arrin në 16.204. Dallimi më i madh është tek arsimi fillor, ku numri i meshkujve pa arsim fillor është rreth 20.000, ndërsa numri i femrave pa arsim fillor dyfishohet dhe arrin në 42.000.

    Një fakt tjetër interesant është se te popullata e re deri në moshën 29 vjeçare, 87.000 meshkuj kanë vetëm arsim të mesëm, ndërsa te femrat ky numër është më i ulët dhe sillet rreth 69.813. Sa më e madhe të jetë mosha e grupit demografik, aq më i madh është hendeku gjinor mes të paarsimuarve, numri i femrave të paarsimuar nga mosha 45 deri në 66 vjeç në vendin tonë është 4.784, ndërsa në të njëjtën grupmoshë te meshkujt është 1.983.

    Nga njohësit e fushës thuhet se një nga indikatorët kryesor që ndikon në analfabetizmin në numër kaq të madh te gratë është martesa e hershme e tyre.

    Sipas Atlasit të Martesave të të Miturve, ku përdoren të dhënat e viteve 2020 dhe 2021, shtatë për qind e vajzave në vendin tonë janë martuar para moshës 18 vjeçare dhe një për qind e tyre janë martuar para moshës 15 vjeçare. Gjithashtu, sipas hulumtimit, martesat e fëmijëve mbizotërojnë në rajonin e Vardarit, ku 19 për qind e grave të moshës 29 deri në 40 vjeç janë martuar para ditëlindjes së tyre të 18-të. Vlerësohet se numri i martesave të fëmijëve është tre herë më i lartë në zonat rurale të vendit. Sipas raportit të UNICEF, 43 për qind e vajzave rome janë martuar para moshës 18 vjeçare.

    Sipas statistikave të publikuar nga Strategjia Nacionale për Barazi Gjinore 2021-2026, nga personat që braktisin shkollën në moshën e hershme 18-24 vjeç, pjesa më e madhe janë femra. Sipas statistikave të publikuar në vitin 2021, 19 për qind e grave dhe 17 për qind e burrave të moshës 15-24 vjeç nuk ishin të punësuar apo të përfshirë në arsim, trajnim apo në jetën aktive.

    Ndërkohë sipas Indeksit të përfshirjes së romëve, 23 për qind më pak gra nga komuniteti rom përfundojnë arsimin fillor dhe 48 për qind më pak gra rome në krahasim me djemtë rom përfundojnë arsimin e mesëm. Shumica e grave rome braktisin shkollën për shkak të martesës së hershme – 22 për qind e grave rome të moshës 15-19 vjeç janë të martuara ose kanë bashkëjetesë.

    Sipas rezultateve të testit PISA, vajzat i kalojnë djemtë në njohuri në matematikë me shtatë pikë, dhe në shkencë me 19 pikë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    “Kufiri” hiqet në fundjavë! Marrëveshja, të shtunën s’ka më kontrolle policore

    Lajmi i rradhës

    Tërmet në Afganistan, mbi 280 të vdekur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë