RREZIKU I MOSPLOTËSIMIT TË KONTRATAVE NGA RMV / 2 miliardë euro dëme potenciale

    Pas pagesës së mbi 40 milionë euro pas padisë që shteti e humbi në vitet e kaluara nga ana e kompanisë greke OKTA, shteti sërish i kanoset pagesa potenciale e dëmshpërblimeve të mëdha për shkëputjen e kontratave në gjykatat e arbitrazhit në botë. Kjo shumë është rritur nga 1.3 miliard në mesin e vitit 2023, në dy miliardë euro si zhdëmtime potenciale kryesisht për shkak të investimeve të bllokuara në sektorin e xeheroreve, por jo vetëm.

    Sipas përllogaritjeve, nëse mosmarrëveshjet aktuale dhe të mundshme të arbitrazhit ndërkombëtar, janë në favor të kompanive, çdo qytetar në vend do të ishte i ngarkuar për afër 1000 euro borxh shtesë.

    Anulimi i kontratës për koncesion me kompaninë “Euromaks Risorsis”, është rasti ku shtetit i kanoset arbitrazh dhe pagesa e dëmshpërblimeve të vlefshme me miliona e miliona euro. Në vitin e kaluar, edhe Komisioni Shtetëror i shkallës së dytë ka hedhur poshtë ankesën e kompanisë kanadeze për investimin e vlefshëm 340 milionë euro. Bëhet fjalë për investimin në një minierë bakri në lokalitetin Ilovica.

    KOMPANIA SHQIPTARE AMADEUS

    Gjithashtu të paktën 110 milionë euro kërkon grupi shqiptar “Amadeus” për projektin “Shkallët spanjolle”, për të cilin po zhvillohet edhe një procedim gjyqësor. Kompania shqiptare ka ngritur padi kundër Maqedonisë së Veriut në gusht të vitit të kaluar, para Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimeve (ICSID) për shkak të ngecjes së projektit për ndërtimin e hotelit dhe qendrës tregtare në kryeqytetin Shkup. Lajmi u raportua nga Global Arbitration Revju, i cili thotë se një pretendim u regjistrua më 18 gusht nga Amadeus Group me qendër në Tiranë, i cili e përshkruan veten si një zhvillues tregtar dhe distributor kryesor i infrastrukturës së furnizimit me energji elektrike në të gjithë Ballkanin. Rasti është ngritur në bazë të marrëveshjes dypalëshe për investime ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

    Kërkesa ka edhe FCL Ambiente italiane, të cilën Qyteti i Shkupit në vitin 2011 dhe 2012 e zgjodhi si partner për investimin, menaxhimin dhe funksionimin e deponisë së Drislës, për të cilën në vitin 2017 dhe 2018 Gjykata Administrative dhe e Lartë Administrative kanë marrë aktgjykime me të cilat Gjykata anuloi vendimin e përzgjedhjes së FCL Ambiente si partner privat për të menaxhuar landfillin. Në vitin 2019 me vendim të Qytetit të Shkupit është anuluar tenderi për partner privat të qytetit për deponinë e Drislës. Këto janë vetëm disa shembuj ku kërkohet dëmshpërblim nga Maqedonia përmes procedurave të arbitrazhit.

    Një rast tjetër ku kërkohen dëmshpërblime për dëmet e supozuara që duhet të dëshmohen në gjykatat e jashtme të arbitrazhit është edhe i Kompanisë Sardiç që kërkon 350 milionë euro për anulimin e koncesionit në lokalitetin Kazandoll në afërsi të komunave Vallandovë, Bogdanci dhe Dojran.

    Nga Qeveria, vitin e kaluar theksuan se marrëveshja është ndërprerë për shkak se konçesioneri nuk ka plotësuar obligimin që në afat prej dy vjetësh pas ndarjes së koncesionit, të ndërtojnë impiant për eksploatimin e bakrit. Së fundmi mediat raportuan se Maqedonia humbi një tjetër mosmarrëveshje arbitrazhi për shkak të vendimit të Qeverisë për ndërprerjen e njëanshme të Marrëveshjes koncesionare për shfrytëzimin e bakrit në Kazandol të Valandovës, mirëpo për këtë akoma nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar.

    EUROMAKS AFAT DERI NË VIT TË RI

    E fundit që kërcënon me arbitazh është kompania “Euromax Resources”. Ata i dhanë afat Qeverisë deri në Vitin e ri 2024 për të përfunduar projektin, përndryshe do të vijojë arbitrazhi para gjykatave ndërkombëtare. Sipas drejtorit ekzekutiv, Timothy Morgan Vinn, autoritetet maqedonase sillen në mënyrë skandaloze ndaj kompanisë së huaj, dhe shpërfillja e bashkimit të koncesioneve dhe vazhdimi i projektit “Ilovica” do t’i kushtojë shtrenjtë Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Nuk mund të zvarritemi më, duke pritur vendimet politike. Nëse politika i thotë “jo” një miniere të re dhe moderne bakri, ka një epilog ligjor që nuk do të jetë i favorshëm për shtetin dhe për fat të keq për qytetarët, tha Morgan Vinn.

    Procedurë arbitrazhi paraprakisht kishte iniciuar biznesmeni slloven me origjinë maqedonase, Blazo Tasev, për trajtim të padrejtë në procedurën për shitjen e minierës së plumbit dhe zinkut “Sasa” nga Makedonska Kamenica në vitin 2004. Pas humbjes së mosmarrëveshjes para gjykatave në Maqedoni, ai ka iniciuar një arbitrazh investimi, dhe kërkon 492 milionë euro dëmshpërblim . Arbitrazhi është ngritur edhe nga shtetasit indianë Gokul Binani dhe Madu Binani, pronarë të kompanisë “Indominerals” për procedurën e falimentimit dhe revokimin e koncesionit të minierave të plumbit dhe zinkut “Zletovo dhe Toranica”, në vitin 2015. Autoritetet informojnë se janë të sigurt për një rezultat pozitiv në këtë rast.

    Në listë hyjnë edhe “Gamma Gooch” turke për “Te-To” si dhe kontesti i kompanisë italiane “Inso Systems” lidhur me ndërtimin e Qendrës Klinike në kuadër të kompleksit “Nënë Tereza” në Shkup.

    Maqedonia e Veriut deri më tani ka fituar mosmarrëveshjen me kompaninë holandeze “Kuniko Resources”, e cila kërkoi 74 milionë dollarë dëmshpërblim për “procedurën e paligjshme të falimentimit të Fenit”. Kompania holandeze duhet t’i paguajë tre milionë dollarë studios ligjore që përfaqësonte Maqedoninë. Zytarisht deri tani e vetmja mosmarrëveshje arbitrazhi që vendi humbi ishte me “Hellenic Petroleum” për rafinerinë OKTA. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kryetarët e komunave në RMV kanë pak kompetenca

    Lajmi i rradhës

    “QEVERI VMRO – VLEN” / Taravari: VMRO e kuptoi peshën e votës shqiptare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë