“Të mos teprohet me antibiotikë” | Mjekët bëjnë gabim në trajtimin e infeksioneve virale

    Gjatë periudhës së fundit është bërë e dukshme që klasat po mbesin gjysmë boshe, ndërsa klinikat po mbushen plot për shkak të rritjes së numrit të fëmijëve të infektuar nga infeksionet virale ose bakteriale. Kjo ka bërë që pacientët të jenë më të nervozuar ndërsa prindërit të hutuar të kërkojnë nga mjekët që t’ju jepet ndonjë antibiotik, duke shpresuar se do shërohen më shpejt.

    Një prind tha se shpesh ka dëgjuar derisa thonë se kanë ardhur për një antibiotik dhe që kur mjeku nuk ja jep, shkojnë në barnatore për ta blerë privat. Kërkesën e qytetarëve që të blejnë antibiotik privat e konfirmoi edhe një punonjëse në një farmaci në vend, e cila tha se ditëve të fundit ajo që më së shumti kërkohet nga qytetarët është antibiotiku.

    “Vetëm në një ndërrim shesim nga 15-20 kuti, kurse gjatë ditës më shumë se 30 kuti. Pacientët kërkojnë të blejnë privat, por i kthejmë nëse nuk kanë recetë nga mjeku. Ka lloj-lloj situata, edhe nga ato të tensionuarat, pasi që edhe pse ju shpjegojmë që nuk mund të ju japim privat antibiotik jo të gjithë e kuptojnë”, tha kjo punonjëse.

    Tensione gjatë këtyre ditëve ka edhe në ordinancën e mjekut B.T i cila tha se recetë për antibiotikë jep vetëm kur është e nevojshme dhe nuk i dorëzohet presionit që bëjnë pacientët që t’u jepet një recetë e tillë.

    “Kam shumë presione absolutisht. Vazhdimisht kam pacient të rritur që vijnë dhe kërkojnë antibiotik. Me më të rinjtë tashmë kemi filluar të kuptojmë njëri tjetrin, problem kemi me më të rriturit. Para disa ditësh një pacient i imi që kërkonte të shkruaja një antibiotik pasi nuk ia dhashë në mënyrë demonstrative doli nga ordinanca”, tha mjeku B.T.

    Ai pranoi që kolegët e tij bëjnë gabim në trajtimin e infeksioneve virale me antibiotik, dhe pse kjo në mjekësi është e pajustifikuar që çon në pasoja të mëtejshme.

    “Kjo luftë duhet të jetë e përbashkët me të gjithë kolegët pasi imuniteti global po prishet nga përdorimi gjithnjë më i tepërt i antibiotikëve, dhe gjithnjë më shumë po shohim baktere që janë rezistente ndaj shumicës së antibiotikëve”, u shpreh ai.

    Sipas OBSH-së 1 milion deri në 1 milion e 200 mijë njerëz në botë vdesin çdo ditë si rezultat i rezistencës së mikroorganizmave ndaj antibiotikëve. Nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor thonë se konsumi i antibiotikëve me recetë nga lista pozitive është trend në rënie dhe nga 1.744 milion receta në vitin 2018, në vitin 2021 ka rënë në 1.561 milion receta.

    “Vlerësimi i OBSH-së është se së paku 50% e barnave nuk përdoren në mënyrë racionale, nuk janë të shkruara sipas nevojave reale që ka pacienti, merren në mënyrë private, nuk përdoren në mënyrë korrekte me dozën e nevojshme, në mënyrën e duhur dhe kohën e duhur. Prandaj bëjmë apel deri tek gjithë aktorët në sistemin shëndetësor, si mjekëve që shkruajnë receta, ashtu edhe farmacistëve që japin barna dhe japin indikacione për përdorim të duhur të barnave, si dhe pacientëve që t’u përmbahen përdorimit racional të barnave”, thanë nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Gjatë vitit 2021, Fondi shpenzoi 305 milionë denarë për antibiotik, ose 5 milionë euro (11%) të buxhetit të tyre për barna me recetë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Osmani, Grubi, Mariçiqi dhe Dimitrovi – harxhuesit më të mëdhenj për dreka e bileta avioni

    Lajmi i rradhës

    Shtohen shkurorëzimet në Maqedoni, por jo rimartesat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë