Shenjat e para të rikuperimit të ngadalshëm ekonomik për ekonominë e Maqedonisë, po tregohen me rritjen e eksporteve në muajt e parë të vitit. Bile të dhënat zyrtare statistikore tregojnë se kemi një përmirësim të dukshëm të eksporteve dhe rritjen e tyre për afër 20 për qind në tre muajt e parë të vitit 2021 në raport me tre muajt e parë të vitit 2020. Statistika tregon se vlera e eksportit në periudhën janar-mars 2021 është 1 miliardë e 661 milionë euro dhe shënon rritje prej 18.1 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Njëherësh shënon rritje edhe importi në këtë periudhë me një vlerë prej 2 miliardë e 189 milionë euro, që është për 14 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Shikuar sipas shteteve, është rritur eksporti në Gjermani nga 663 në 851 milionë euro, në Kosovë nga 53 në 60 milionë euro, në Serbi – nga 47 në 52 milionë euro, në Britaninë e Madhe nga 46 në 58 milionë euro, në Turqi nga 19 në 30 milionë euro e kështu me radhë.
Njëherësh, të dhënat tregojnë se sipas kategorive të prodhimeve, po rritet nga 926 milionë euro në 1 miliardë e 112 milionë euro, eksporti i prodhimeve të ndërmjetme apo gjysmë prodhimeve dhe repromaterialeve të ndryshme, dhe shënon ulje nga 275 në 257 milionë euro eksporti i prodhimeve për konsum të gjerë. Me fjalë tjera, ngadalë po përmirësohet cilësia e eksportit.
Ekonomistët thonë se është mirë që po rritet eksporti, mirëpo theksojnë se duhet shikuar edhe faktin se sa si shtet kemi fitim prej eksportit kur anulohet vlera e importit të mallrave të caktuar. “Një rritje e tillë e eksportit vjen edhe si raport i një krahasimi me nisje të dobët ku në vitin e kaluar kishim ulje të eksportit për afër 8 për qind. Njëherësh, rritja e eksportit nuk vjen si rritje e prodhimtarisë së prodhimeve eksportuese, por më shumë ka të bëjë me rritjen e çmimeve të disa prodhimeve eksportuese”, thotë profesori universitar, Darko Llazarov. Sipas tij, për ekonominë në përgjithësi më shumë ka rëndësi neto eksporti apo dallimi midis eksportit dhe importit, ku të dhënat tregojnë se në tremujorin e parë kemi rritje të deficitit tregtar prej 3.5 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ai shton më tej se në tre muajt e parë të vitit, rritja e vlerës së importit është më e madhe se rritja e vlerës së eksportit, që udhëzon se përfitimet nga këmbimi tregtar janë negative për ekonominë vendore. Ndryshe, këmbimi tregtar sipas prodhimeve tregon se në eksport pjesëmarrje më të madhe kanë pjesët e katalizatorëve dhe pjesë e tyre, pjesët e përçuesve për ndezje dhe të ngjashme për vetura, avionë dhe anije, pjesë e sediljeve dhe feronikeli. Në import dominojnë metalet e tjera të grupit të platinës dhe legurave të tyre, të papërpunuara ose në formën e pluhurit, prodhimet e qeramikës,dhe industrinë kimike dhe për përdorim në industri dhe laboratorë, nafta dhe vajrat të fituara nga mineralet e bitumenit. /koha.mk/