Rritja e pagave për 10 për qind në sektorin publik, nuk i zgjidhi të gjitha problemet

    Rritja e pagave për 10% në sektorin publik që do të zbatohet nga shtatori nuk i zgjidhi të gjitha problemet. Përfaqësuesit e sindikatave në Drejtorinë e të ardhurave publike, edhe pse përfshihen në këtë rritje me Marrëveshje të përgjithshme kolektive nuk do të heqin dorë nga kërkesa për rritjen e pagave për 30%. Kryetar i organizatës sindikale “Solidariteti”, Vaso Nedanovski, tha se deri të premten skadon afati ligjor i ndërmjetësuesit që do të dorëzoj propozimin në Ministrinë e Punës dhe Politikës sociale, i cili nëse nuk pranohet nga të punësuarit në këtë institucion do të vazhdojnë me protestë në vendet e punës nga java tjetër. Ai tha se pagat mesatare në DAP janë rreth 3 mijë denarë nën pagën mesatare aktuale të vendit.

    “Marrëveshja e arritur dje në Këshillin socio-ekonomik ku kishte përfaqësues të qeverisë, punëdhënësve të institucioneve dhe lidhjeve sindikale disa herë kemi theksuar se bëhet fjalë për dy procese të ndara, që nënkupton se në rastin tonë kërkojmë të drejtën ligjore, që janë pjesë edhe e Marrëveshjes kolektive aktuale të Drejtorisë së të ardhurave publike”, u shpreh Vaso Nedanovski, Kryetar i organizatës sindikale “Solidariteti”.

    Të njëjtin qëndrim kanë edhe nga SPOGJ për të punësuarit në administratën gjyqësore, të cilët po ashtu këmbëngulin për të drejtën e tyre për shtesat në rrogë prej 30%. Ata thonë se do të vazhdojnë të protestojnë para pallateve gjyqësore të Shkupit, dhe nëse nuk u përmbushet kërkesa nga shtatori do të organizojnë protestë gjithëpërfshirëse në të tëra njësitë gjyqësore administrative të vendit. Për kuotën e 30% të rritjes së rrogave me masë retroaktive nuk heqin dorë as të punësuarit në Drejtorinë e Doganave.

    “Mirëpresim marrëveshjen e djeshme, por kërkesa jonë për rritje të menjëhershme prej 30% është një e drejtë ligjore që nuk mund të mohohet. Vazhdojmë me qëndrimin që nëse nuk plotësohen këto kërkesa do të jemi të gatshëm të futemi në grevë të përgjithshme”, thonë përfaqësuesit sindikal të Drejtorisë së Doganave.

    Në takimin e djeshëm të punës, autoritetet e shtetit ranë në ujdi me krerët e Lidhjes së sindikatave për rritje të pagave prej 10% prej muajit shtator të vitit 2023, si dhe pagesën prej 10.000 denarë për pushim vjetor për këtë vit e njohur ndryshe si K-15, që do të paguhet deri në fund të vitit. Kurse nga viti ardhshëm K-15 do të paguhet në vlerën e 30% të pagës neto. Marrëveshje për rritje sistematike të pagave në sektorin publik, u arrit përmes një metodologjie që pritet të zgjidhë problemin. Metodologjia e re e përllogaritjes do të merr për bazë pagat mesatare e shumëzuar me një koeficient, e cila do të zbatohet nga marsi i vitit 2025. Pas 17 vitesh, do të miratohet një Marrëveshje e re e përgjithshme kolektive, e cila prezanton një zgjidhje sistematike për pagat në sektorin publik që do të garantojë rritjen e pagave pa kalkulime politike. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rasti Sejdini, Policia Financiare shqyrton kallëzimin penal

    Lajmi i rradhës

    Shkupjanët: Mosmarrëveshjet për çështjen e mbeturinave nuk duhet t’i pësojmë ne

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë