Rusia dhe Kina i druhen rënies së tyre, ndaj e kërkojnë tani luftën me Perëndimin

    Andrew A.Michta
    “The Wall Street Journal”

    Rreziku i luftës midis SHBA dhe Kinës është më i madh se sa ka qenë ndër dekadat e fundit,dhe një luftë më e gjerë, e shkaktuar nga një sulm kinez kundër Tajvanit, është një mundësishumë realiste.

    Në librin e tij të vitit 2017 “Të destinuar për të shkuar në luftë: A mund t’i shpëtojnë Amerikadhe Kina Kurthit të Tukididit?”, Graham Allison e krahasoi situatën aktuale midis 2 fuqive të mëdha me Luftën e Peloponezit në Greqinë e lashtë, të cilën historiani athinas Tukudidi e mendoi si të pashmangshme.

    Dhe kjo sepse Sparta kishte frikë nga fuqia në rritje e Athinës. E megjithatë, arsyeja e vërtetë e tensioneve aktuale SHBA-Kinë, ka të bëjë më pak me rënien dhe ngritjen e fuqive të mëdha, sesa me perceptimet e kërcënimit, vlerësimet e balancës së fuqisë, vlerësimet e pavarura dhe vendimet e brendshme, që kanë nxitur lëvizjet e Kinës dhe Rusinë vitet e fundit.

    Këto dy vende janë rreshtuar gjithnjë e më shumë në një front kundërvënie ndaj Shteteve të Bashkuara, por edhe rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë. Kërcënimi në rritje i një luftës ndërshtetërore me një intensitet të lartë, është nxitur nga bindja në rritje e elitës drejtuese në Pekin dhe Moskë, se fuqia e tyre aktualisht në disavantazh në raport me SHBA-në dhe aleatët e saj, do të zbehet edhe më tej në rast se nuk lëvizin shpejt, duke e bërë fitoren gjithnjë e më të paarritshme.

    Ekzistojnë 3 arsye kryesore se përse Kina dhe Rusia mund të dëshirojnë të përballen me SHBA-në dhe aleatët e saj më shpejt se sa vonë, ndoshta brenda 5 viteve. Së pari, ushtria amerikane do të kërkojë kohë për t’u ristrukturuar dhe ripërtërirë, dhe për të kaluar nga lufta kundër terrorizmit drejt konflikteve ndërshtetërore me intensitet të lartë kundër fuqive të mëdha.

    Strategjia e Modernizimit të Ushtrisë e publikuar në vitin 2019, vendos vitin 2035 si afatin përfundimtar për transformimin e ushtrisë amerikane, në një forcë të aftë të angazhohet në shumë fusha. Nga perspektiva e rusëve ose kinezëve, kjo do të thotë se çdo vit që kalon do të zhvendosë ç’ekuilibrat, të cilat aktualisht i favorizojnë ata në disa fusha, në favor të Amerikës.

    Faktori i dytë, janë kushtet e brendshme në Shtetet e Bashkuara si dhe në Evropë. Demokracitë perëndimore janë të goditura nga sulmi i trefishtë i pandemisë së Covid-19; një valë e madhe emigrantësh, të cilën qeveritë duket se nuk janë në gjendje që t’i përgjigjen në mënyrë efektive; dhe një revolucioni kulturor në rritje, sidomos në SHBA, që ka të ngjarë të arrijë kulmin brenda dy viteve të ardhshme.

    Të gjithë këta faktorë, e kanë dobësuar kohezionin kombëtar në të gjithë Perëndimin, kanë ushqyer mosbesimin tek qeveritë, dhe kanë mbjellë “farat” e dyshimit nëse institucionet dhe proceset e trashëguara demokratike janë apo jo në gjendje të përmbushin kërkesat themelore të qeverisjes dhe të kënaqin kërkesat e qytetarëve.

    Sapo Amerika të lëvizë përtej turbullirave aktuale të brendshme të stilit të viteve 1970, një SHBA e ri–konsoliduar, me zinxhirët kryesorë të furnizimit të prodhimit të rimbushura nga Kina, do të përbëjë për Pekinin dhe Moskën një armik shumë më të frikshëm se sa sot.

    Një tregues i mirë për këtë janë raportet e fundit, se SHBA-ja ka bërë një hap cilësor në teknologjinë e raketave hipersonike, gjë që ka të ngjarë ta zhbëjë avantazhin që kishin shpresuar të ruanin Rusia dhe Kina përmes investimit në programet e tyre.

    Pavarësisht nga propaganda e tyre e fortë, Pekini dhe Moska janë shumë të vetëdijshme se baza e kërkimit dhe zhvillimit të Amerikës, mund të mobilizohet për të përmirësuar aftësitë e SHBA-së. Kur bëhet fjalë për cilësinë dhe sofistikimin e sistemeve të saj të armëve, koha është në anën e Amerikës.

    Faktori i tretë është krijimi i presioneve të brendshme brenda shoqërive kineze dhe ruse. Në të dyja vendet, tendencat demografike dhe parashikimet aktuale, na japin një panoramë shumë katastrofike. Në vitin 2021, Kina raportoi rënien e parë të parashikuar të popullsisë, që nga kohë e urisë me pasoja shkatërrimtare që shoqëroi “Hopin e Madh Përpara” të Maos në fundin e viteve 1950.

    Me normën zyrtare të lindjeve prej 1.3 fëmijë për çdo grua – shumë më poshtë sesa shkalla e zëvendësimit prej 2.1 fëmijë, dhe pjesërisht si rezultat i politikës tashmë të zbutur “një fëmijepër familje” – ka parashikime të besueshme se popullsia e Kinës do të arrijë kulmin vitin e ardhshëm.

    Më pas lindjet do të vazhdojnë të bien, ndërsa vdekjet do t’i tejkalojnë lindjet me 6 milionë që në vitin 2025. Edhe popullsia në Rusi, parashikohet të bjerë nga 146 milionë sot, në vetëm121 milionë në vitin 2050.

    Historikisht, luftërat kanë filluar shpesh për shkak të përllogaritjeve të gabuara, të bazuara në vlerësime të pabazuara të inteligjencës dhe nënvlerësimit të armikut. Në rastin e rivalitetit strategjik midis SHBA-së me Kinën dhe Rusinë, rreziku i luftës është rritur jo për shkak të rritjes së tyre, por për shkak të mënyrës sesi Kina dhe Rusia i vlerësojnë pasojat reale afatshkurtra të vendimit të Uashingtonit, për ta ri–përqendruar strategjinë e tij të mbrojtjes tek bazat e konkurrencës midis fuqive të mëdha, dhe konflikteve me to, në vend të anti–terrorizmit dhe ndërtimit të kombeve për botë.

    Nëse do të shpërthejë apo jo lufta, kjo do të varet nga sa shumë do t’i frikësohen Pekini dhe Moska ndryshimit të fuqisë globale në dekadën e ardhshme, dhe sa të etura do të jenë ato për të shfrytëzuar avantazhet e tyre aktuale të perceptuara për ta ristrukturuar botën sipas vizionit të tyre.

    Shënim: Andrew A.Michta, dekan i Kolegjit të Studimeve Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë Xhorxh C.Marshall në Garmish–Partenkirshen, Gjermani./Botaal/

    Lajmi Paraprak

    Pse Joe Biden nuk duhet të kandidojë sërish në vitin 2024

    Lajmi i rradhës

    Jep dorëheqje nga posti i nënkryetarit të partisë Oliver Spasovski

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë