Sa do të kushtojë konferenca e OSBE-së në Shkup?

    Për momentin shteti nuk e di se sa do të kushtojë konferenca e OSBE-së, e cila do të mbahet në Shkup në fund të muajit. Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, thotë se analiza e shpenzimeve do të bëhet pas përfundimit të konferencës.

    Nga ajo që dihet është se, kompania donatore e BDI-së, “Eurovia” tashmë ka marrë 1,7 milionë euro për përshtatjen e sallës “Boris Trajkovski”, por reagime në opinion ka shkaktuar edhe tenderi për marrjen me qira të veturave që do të shfrytëzohen nga delegacionet e Konferencës.

    Ky furnizim publik do të kushtojë 960 mijë euro, por Osmani sqaron se nuk do të shpenzohen të gjitha mjetet e planifikuara. Kontrata me kompaninë ka qenë kontratë kornizë, andaj do të paguhet vetëm për automjetet që do të merren me qira.

    “Në kontratë thuhet qartë se Ministria nuk ka asnjë detyrim që të përdorë të gjitha automjetet, por vetëm aq sa i nevojitet”, tha Bujar Osmani– ministër i Punëve të Jashtme.

    Ministria e Punëve të Jashtme ka arritur marrëveshje për gjithsej 175 automjete. Mirëpo, reagime ka shkaktuar fakti se një veturë e caktuar do të merret me qira për 500 euro në ditë, edhe pse çmimi në treg për këtë veturë është rreth 300 euro. Osmani thekson se çmimi është diktuar nga ofertuesi i vetëm i furnizimit.

    “Fatkeqësisht, ka pasur vetëm një ofertë. Pse ka pasur një ofertë, duhet të pyesni agjencitë e makinave që japin me qira. Ndoshta nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë numër të tillë të automjeteve, të atyre markave, me atë ngjyrë në vend apo në rajon ose nuk kanë pasur interes ta bëjnë këtë”, theksoi Bujar Osmani– ministër i Punëve të Jashtme.

    Konferenca do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor të këtij viti kurse pritet të vijnë rreth 70 delegacione, me gjithsej 1000 anëtarë.

    I pyetur nëse OSBE-ja mund të shuhet në Shkup, Osmani deklaroi se një mundësi e tillë teorike ekziston, por nuk beson se shtetet-anëtare të OSBE-së do ta lejojnë këtë. Arsyeja për këtë është mundësia që për vitin e ardhshëm të mos zgjidhet kryetar i ri pasi Rusia vendosi veton ndaj Estonisë.

    Ministri tha se shefi i diplomacisë ruse, Sergej Llavrov, ka shprehur interes për të marrë pjesë në konferencën në Shkup, por nuk dihet se si do të organizohet transporti i tij, duke pasur parasysh ndalimin e fluturimeve ruse në hapësirën tonë ajrore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kryetarja e Supremes nuk i shkon në takim kryetarit të Këshillit Gjyqësor

    Lajmi i rradhës

    Rrëfimi i palestinezes, si fëmijë u konfrontua me izraelitët që donin t’ia arrestonin vëllain – 11 vite më vonë përfundoi prapa grilave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë