Mbi 900 milionë euro ka qenë vlera e shitblerjes së patundshmërive në vitin 2023. Trende të ngjashme pozitive kanë vazhduar edhe në vitin e kaluar. Vetëm në periudhën tetor-dhjetor 2024, janë qarkulluar mbi 320 milionë euro në tregun e patundshmërive. Një ecuri e fuqishme e tregtimit është mbështetur nga kreditë e bankave ku qytetarët po marrin gjithnjë e më shumë borxhe për të siguruar një çati mbi kokë, ku deri në muajin shkurt 2025, kreditë banesore kanë tejkaluar vlerën e 1.5 miliardë euro. Për më tepër, të dhënat e Kadastrës tregojnë se shit-blerja e apartamenteve dhe objekteve tregtare në tremujorin e fundit të vitit të kaluar shënoi një rritje të ndjeshme krahasuar me tremujorin e tretë, me një nivel maksimal prej 16 për qind. Konkretisht, në tremujorin e katërt të vitit 2024, në regjistrin e çmimeve dhe qirave të Agjencisë janë regjistruar 9054 transaksione, nga të cilat 6433 janë blerje dhe shitje të patundshmërive dhe 2621 janë qira të patundshmërive.
Të dhënat e Kadastrës më tej tregojnë se më të tregtuarat janë banesat, ku gjatë kësaj periudhe, janë shitur 2419 banesa me vlerë 160.6 milionë euro. Pra, në periudhën tetor-dhjetor janë shitur 691 shtëpi me vlerë 43.1 milionë euro, ndërsa numri i objekteve tregtare të tregtuara ka qenë 242 me vlerë totale prej 43.9 milionë euro. Janë shitur edhe 1954 parcela bujqësore apo pyjore dhe vlera e tyre i kalon 22 milionë euro.
Të larta kanë qenë edhe shifrat e tregut të patundshmërive në tremujorin e tretë apo në periudhën korrik-shtator me 237 milion euro, ndërsa në periudhën prill-qershor të vitit të kaluar janë regjistruar 5000 shitblerje me një vlerë prej 235 milionë euro. Kjo i bie se mbi 800 milionë euro patundshëmri janë tregtuar në periudhën prill-dhjetor 2024, ndërsa për tre muajt e parë të këtij viti, akoma nuk janë parashtruar të dhëna nga Kadastra. Mirëpo, me siguri se kjo vlerë e tregtisë me patundshëmri në vend, nuk do të jetë nën 900 milionë euro dhe mund ti afrohet edhe vlerës prej 1 miliardë euro.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës, në periudhën korrik-shtator 2024, në bazën e të dhënave të Regjistrit të Çmimeve dhe Qirave janë futur 7491 transaksione, nga të cilat 5525 janë shit-blerje të pasurive të paluajtshme dhe 1966 janë dhënie me qira të patundshmërive.
Pjesa më e madhe e pronave janë apartamente. Vetëm në tremujorin e tretë janë shitur ose blerë 2115 apartamente me vlerë 128 milionë euro. Interesim i madh ka pasur edhe për blerjen e tokës bujqësore. Përkatësisht, në këtë tremujor janë blerë 1651 parcela, vlera e të cilave arrin 15 milionë euro. Paralelisht me to ka pasur interesim të madh edhe për blerjen e tokës ndërtimore dhe të shtëpive. Pra, në periudhën qershor-shtator janë shitur 630 parcela ndërtimore dhe janë shpenzuar 18 milionë euro. Nga ana tjetër janë shitur 644 shtëpi dhe janë investuar 40 milionë euro. Në tremujorin e tretë të vitit 2024, më së shumti blerje dhe shitje u regjistruan në muajin shtator, në total 1923, ndërsa më pak blerje dhe shitje u regjistruan në gusht, në total 1748.
Në periudhën prill-qershor 2024 në bazën e të dhënave të Regjistrit të çmimeve dhe qirave janë regjistruar 6728 transaksione nga të cilat 5040 blerje dhe shitje të pasuri të paluajtshme dhe 1688 qira të pasurive të paluajtshme. Në këtë periudhë janë regjistruar 1697 shitblerje të banesave të vlefshme 102 milioën euro, 591 shitblerje të shtëpive me vlerë prej 37 milion euro, 227 shitje të objekteve afariste me vlerë prej 36 milionë euro, 513 shitblerje të truallit ndërtimor prej 16 milion euro. Sa për kuriozitet në tremujorin e dytë janë shitur 1727 parcela bujqësore dhe pyje 16 milionë euro, si dhe tokë për 23 parcela të fabrikave prej 11 milionë euro,182 garazha për 1 milion euro dhe 80 shitblerje të tjera me vlerë prej 20 milionë euro. /Koha/