SA MUND T’U KRYJË PUNË 1 MIJË DENARË QYTETARËVE TË RMV-SË!

    LSDM lavdërohet se edhe në kohë krizash globale, ata përsëri po arrijnë të sigurojnë rritje rekorde të pensioneve, ndërsa pensionistët ankohen se me një rritje të pensionit prej 6.8 për qind ata nuk do të mund të blejnë asgjë më shumë se sa vaj dhe miell, edhe atë jo në sasi të mjaftueshme.

    “Edhe në kohë të krizës ekonomike globale, përmes një qasjeje të përgjegjshme dhe procesit gjithëpërfshirës kemi siguruar mjete për rritje rekord të pensioneve. Rreth 330 mijë pensionistë janë duke u rritur me 6.8 për qind të pensioneve. Praktikisht kjo do të thotë se ata që marrin pension mesatar prej rreth 17.000 denarë tani kanë rritje prej rreth 1.200 denarë”, thonë nga LSDM përmes një komunikate për media.

    Pensionistët janë të indinjuar pasi inflacioni ua gëlltit rritjen e tyre. Përfitimin më të madh do ta kenë ata me pensione maksimale, mbi 4.000 denarë në muaj. Pensioni minimal do të rritet për rreth 700 denarë dhe siç thonë ata me mesatarisht 1000 denarë në llogari nuk mund të blejnë pothuajse asgjë. Më të shqetësuar janë ata me pension minimal, të cilët do të kenë rritje prej rreth 700 denarë, por në pozitë më të mirë nuk janë as pensionistët që marrin pension mesatar.

    “Çfarë do të blej, do të kem 5 kilogramë miell dhe 5 kilogramë vaj ulliri? Por nga kjo nuk mund të jetosh, duhet diçka tjetër, apo jo”, thotë Mirjana Haxhidimova, pensioniste nga Shkupi e cila është mjaftë e revoltuar.

    “Të gjithë bëjnë trazira, dalin në rrugë për rritje rroge dhe askush nuk i përmend pensionet. Dhe ne jemi njerëz që kemi punuar për 35 vjet, e kam fjalën për veten time personalisht, 35 vjet privatisht. Edhe kam paguar edhe kam punuar”, u shpreh një tjetër penzioniste nga Shkupi.

    Megjithatë, rritja e pensioneve të shtatorit tashmë është ngrënë nga inflacioni. Në gusht të këtij viti, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, çmimet u rritën për 14% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Një problem serioz për pensionistët është se kjo rritje është shumë e madhe në ushqime dhe fatura, ku shkojnë shumica e pensioneve.

    Faturat e rrymës dhe të ngrohjes janë më të shtrenjta këtë vit me mbi 15%, ndërsa rritje të madhe të çmimeve ka pothuajse për të gjitha produktet, që nga ilaçet dhe produktet e bardha e deri te letrat higjienike.

    Pensionistët në Maqedoninë e Veriut do të duhet të marrin rritjen e radhës në muajin mars, nëse zbatohet metodologjia e miratuar këtë vit. Mirëpo, siç kujton Instituti Ekonomik “Finance Think” gjatë votimit në Parlament, zgjidhja nuk është e re dhe ka ekzistuar para shfuqizimit në vitin 2019 dhe ndryshimi i propozuar është vetëm riformulim i një zgjidhjeje që ka qenë më parë në fuqi. Ata shtojnë se rregullimi i pensioneve është i saktë sepse nuk e pengon rrugën e stabilizimit të fondit pensional të nisur pas vitit 2019 dhe siguron një ruajtje të denjë të standardit të jetesës së pensionistëve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    BUKËN DO TA BLEJMË MË SHTRENJTË | Çmimet do të rriten deri në 10 për qind

    Lajmi i rradhës

    Ulje drastike e filloristëve në Dibër – Klasat me 7 nxënës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë