Sela: BDI-ja nuk e realizoi premtimin për përsëritjen e gjykimit të rastit “Grupi i Kumanovës”

    “E vërteta dhe drejtësia për skenarin e ngjarjeve të 9 majit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë, do të jetë angazhimi kryesor i Aleancës për Shqiptarët”, ka shkruar në Facebook kreu i ASH-së, Ziadin Sela me rastin e 7 vjetorit nga ngjarjet e Kumanovës, ku u vranë 8 pjesëtarë të policisë dhe 10 pjesëtarë të grupeve të armatosura nga Kosova.

    Sipas Selës, LSDM-ja dhe BDI-ja nuk e realizuan premtimin për përsëritjen e gjykimit të kësaj ngjarjeje.

    “Në këtë datë, para 7 viteve, vendi dhe Evropa u zgjuan me raportime për luftime në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku u vranë 10 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe 8 pjesëtarë të forcave policore. Shumë shtëpi u shkatërruan, banorët përjetuan tmerr, ndërsa fëmijët ende vuajnë traumat. Në ndërkohë, grupi i Kumanovës u dënua me 746 vjet burg dhe natyrisht, nuk u materializuan asnjë nga premtimet e regjimit LSDM-BDI për përsëritje të procesit gjyqësor dhe as përrallat me FBI dhe CIA të kryetarit të BDI-së”, shkruan Sela.

    Ai thotë se shteti në vend që të merret me zbardhjen e rastit, shkel pothuajse të gjitha të drejtat që të burgosurve iu garantohen me ligj.

    “Në vend të zbardhjes së rastit, shteti shkel çdo ditë të drejtat elementate të të burgosurve të garantuara me ligj, siç janë e drejta për vizita të familjarëve si dhe fundjava e lirë. Andaj u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të respektojnë ligjet në fuqi, konventat ndërkombëtare dhe Kushtetutën e vendit e cila thotë se para ligjit të gjithë janë të barabartë. E vërteta dhe drejtësia për këtë skenar do të mbeten përkushtimi kryesor i Aleancës për Shqiptarët”, përfundon reagimin, Ziadin Sela.

    Lajmi Paraprak

    Pendarovski: E drejta për vetëvendosje na lejon të flasim për një Europë të bashkuar

    Lajmi i rradhës

    Borrell dëshiron që asetet e ngrira ruse të përdoren për rindërtimin e Ukrainës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë