Sellca, 20 vjet në pritje të shkollës

    Banorët e fshatit Sellcë të Komunës së Tetovës edhe më tutje do të duhet që të presin për të pasur një objekt të ri shkollor. Një objekt i cili kishte filluar të ndërtohet para 20 viteve, dështoi të realizohet për shkak të erozionit të dheut dhe objekti si i tillë i papërfunduar qëndron ende. Më pas, ishte kërkuar një lokacion tjetër për të ndërtuar objekt të ri shkollor, por nuk ishte gjetur vend i përshtatshëm, me arsyetimin e erozionit të dheut. Shumë ministra dhe zëvendësministra të arsimit kanë premtuar një përkushtim të veçantë për ndërtimin e shkollës në këtë fshat por deri më tani nuk është bërë asnjë hap përpara. Së fundmi, është pyetur edhe ministri aktual i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Ai është shprehur se janë në komunikim me Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve që të bëjnë ndryshime në ligjin për ndërtimin e objekteve të kësaj natyre, me qëllim që të mos ketë shumë procedura sidomos kur duhet të bëhet ndryshimi i Planit Detal Urbanistik.

    Paralajmërohet se objekti i ri shkollor në këtë fshat mund të ndërtohet në vendin ku është shkolla ekzistuese. Shaqiri pohon se do të ndiqen procedurat sikurse janë ndjekur edhe për shkollën e mesme në Kumanovë. “Plani Detal urbanistik dhe plani i asaj shkolle duhet që të sillet në Ministri, dhe besoj se pas Kumanovës edhe Sellca do të ketë fatin që të ecim këso lloj procedurash. Duhet bërë ndryshim të planit detal urbanistik, duhet bërë ridedikim i pozicionit për të vendosur aty ku është objekti , të bëhen ndryshime urbanistike, ndërkohë unë si Ministër i Arsimit, kam biseduar edhe Ministrin Transportit dhe disa institucione tjera që të shohim disa lehtësime ligjore për çështjen e shkollave sepse po respektohen të njëjtat procedura sikurse me ndërtuar një objekt tjetër, në këtë mënyrë të kemi lehtësime se po vonohen këto projekte, prandaj duhen lehtësime dhe kur ta kemi dokumentacionin, kur ta kemi lejen e ndërtimit, kur ta kemi planin urbanistik, kur ta kemi në Ministri këtë, atëherë përgjegjësia ngel në ministri. Për Kumanovën është hapur llogari e veçantë, janë ndarë mjete nga buxheti i vitit 2023 dhe është siguruar buxheti i asaj shkolle. Edhe për Sellcën pres të bëhet e njëjtë gjë sepse është e domosdoshme”, tha ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.

    Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me Ministrin e Arsimit për të investuar në infrastrukturën e objekteve arsimore. “Ministri duhet të del nga kthetrat e Artan Grubit, të vijë në komunën e Tetovës, të komunikojmë, të ndajmë përgjegjësitë ashtu siç i ndajmë ingerencat dhe të ulemi, të flasim për ndërtimet dhe investimet që duhet të bëhen nga Ministria por në bashkëpunim edhe me komunën. Derisa më sot ne nuk pasur asnjë kërkesë, asnjë komunikim me MASH sa i përket shkollës në fshatin Sellcë. Ne jemi në dispozicion të plotë edhe për Sellcën dhe jo vetë, por për çdo lokalitet në Tetovë nëse ka gatishmëri dhe interesim që Ministria të investojë në objekte të reja shkollore”, deklaroi i pari i Tetovës Bilall Kasami. /KOHA/

    Lajmi Paraprak

    VITI I RI ME PROBLEME TË VJETRA | Në Dibër nuk respektohet ndarja rajonale

    Lajmi i rradhës

    Popullata në Maqedoninë e Veriut gjithnjë e më shumë vazhdon të reduktohet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë