VITI I RI ME PROBLEME TË VJETRA | Në Dibër nuk respektohet ndarja rajonale

    Edhe në fillim të vitit të ri shkollor 2022-2023 në shkollat fillore të Dibrës vazhdon të mos respektohet ndarja rajonale e nxënësve në klasat e para në dy shkollat kryesore të qytetit. Edhe pse Këshilli i komunës Dibër si dhe kryetari i komunës Hekuran Duka paraprakisht kërkuan një respektim maksimal të ndarjes rajonale të nxënësve në shkollat “Penestia” dhe “Said Najdeni”, të dhënat të drejtorive të të dy shkollave konfirmuan se ka regjistrime të nxënësve në klasat e para nga rajoni që i takon shkollës “Said Najdeni” regjistrohen në shkollën fillore “Penestia”. Kjo situatë ka shkaktuar probleme për të cilët thuhet se institucionet kompetente do t’i tejkalojnë.

    Në bisedën që patëm me zëvendës drejtorin të shkollës “Said Najdeni”, Arsim Miftari u informuam se shumë nxënës të klasave të para që i takojnë kësaj shkolle janë regjistruar dhe kanë filluar vitin shkollor në shkollën “Penestia”. “Edhe këtë vit shkollor problemi është prezent edhe pse u realizuan bisedime mes drejtorive të shkollave dhe pushtetit vendor. Kjo situatë vazhdon të jetë prezent vite me radhë dhe assesi të tejkalohet. Kjo sjell drejtpërdrejt uljen e numrit të nxënësve në këtë shkollë”, thotë për gazetën  KOHA, zëvendësdrejtori Arsim Miftari. Në shkollën “Said Najdeni” thonë se për shkak të uljes së numrit në nxënësve në klasat e para ka mundësi që disa arsimtarë të ngelin edhe pa punë. Biseduam edhe me drejtorin e shkollës më të madhe fillore në Dibër “Penestia”, Ajet Mullarexha. Problemi që zvarritet disa vite me radhë është prezent, pohon drejtori Mullarexha dhe shton se ka prindër të cilët për shkaqe të ndryshme edhe pse e dinë se fëmijët e tyre duhet të regjistrohen në shkollën “Said Najdeni”, ata i regjistrojnë në shkollën tonë. Ai thotë se për këtë problem është biseduar shumë herë edhe me pushtetin vendor, por deri tani nuk është gjetur ndonjë zgjidhje konkrete. Kryetari i Dibrës Hekuran Duka në prag të vitit shkollor kërkoi nga drejtoritë e shkollave respektim të tërësishëm të ndarjes rajonale të nxënësve në të dy shkollat fillore në Dibër. Por siç duhet edhe kjo thirrje nuk dha ndonjë rezultat. Problemi u debatua edhe në seancën e fundit të këshillit të komunës Dibër.

    Përndryshe, këtë vit shkollor numri i filloristëve në tre shkollat e komunës Dibër është 191. Në shkollën më të madhe fillore “Penestia” deri tani janë të evidentuar në klasat e para 99 nga të cilët 71 nxënës në paralelet në gjuhën shqipe dhe 28 në paralelet në gjuhën maqedonase. Në shkollën fillore “Said Najdeni”, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe numri i filloristëve është 38 ndërsa në shkollën “Riste Ristevski” në fshatin Kosovrast ku mësimi mbahet në gjuhën maqedonase është 54. Të dhënat e filloristëve në të tre shkollat është së bashku me shkollat periferike. Nëse bëjmë krahasim me dy vitet e fundit numri i filloristëve pothuajse është identik. /KOHA/

    Lajmi Paraprak

    Fukuyama: Putini është kërcënim për secilën demokraci në botë

    Lajmi i rradhës

    Sellca, 20 vjet në pritje të shkollës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë