Seria e vrasjeve të romëve në Hungari: Një rrëfim tronditës – pa interes

    Trembëdhjetë vjet pas një serie vrasjesh raciste të romëve në Hungari, autori kryesor bën një rrëfim tronditës dhe të çuditshëm. Ka pak interes publik për këtë rast. Është e paqartë, nëse do të merret një vendim i ri.

    Procesi kundër autorëve të vrasjeve raciste të romëve, Budapest, (2013)

    Autorët e krimit vranë pabesisht, vepruan si burracakë, gjakftohtë dhe mizorë. Ata u vunë zjarrin shtëpive të viktimave të tyre dhe i qëlluan, ndërsa ato iknin nga flakët. Ose i vranë në gjumë. Ata vranë gjithsej gjashtë persona, në mesin e tyre një foshnjë dhe plagosën 55 të tjerë, shumicën rëndë. Për një arsye: sepse ishin romë.

    Seria e vrasjeve të romëve në vitet 2008/2009 ishte krimi më i rëndë racist në historinë e krimeve në Hungari, një seri sulmesh terroriste të krahut të djathtë ekstrem – që kishin ngjashmëri me serinë e vrasjeve të NSU në Gjermani. Vrasjet e romëve u kryen në fund të një qeverisjeje socialiste-liberale, kur Hungaria u zhyt në korrupsion dhe trazira politike. Disa muaj më vonë në pushtet erdhi Viktor Orban me shumicën e dy të tretave.

    Deri më sot seria e vrasjeve të romëve në Hungari nuk është zbardhur apo trajtuar plotësisht. Por të paktën tre autorët u dënuan me burgim të përjetshëm në vitin 2014 dhe një bashkëpunëtor me 13 vite burgim. Megjithë provat dërmuese, duke përfshirë gjurmët e shumta të ADN-së në vendet e krimit, vrasësit deri tani e kanë mohuar me vendosmëri fajin. Vetëm njëri prej tyre, Arpad Kiss, që konsiderohet si autori kryesor dhe kreu i grupit, është shprehur publikisht disa herë, ndërsa ka mohuar të jetë vrasës.

    Ungarn Prozess Urteil rassistische Morde an Roma

    Hungarezët ndahen me viktimat e vrasjeve raciste të romëve, 3 mars 2009

    Tani, 13 vjet më vonë, vjen në mënyrë të beftë rrëfimi i tij. Ai e bëri atë në një intervistë me të përditshmen budapestase “Magyar Nemzet”, zëdhënëse jozyrtare e kryeministrit Orban dhe e qeverisë së tij. Është një rrëfim sa tronditës aq edhe i çuditshëm. Në intervistë Kiss thotë fjalë për fjalë: “Krimet kanë ndodhur,ne i bëmë ato”. Ai i përshkruan ato si “gabime”, por nuk lë të kuptojë keqardhje apo pendim të vërtetë dhe as intervistuesi nuk ia shtron pyetjen. Kiss e përshkruan si “gabim” edhe faktin që grupi i kishte mohuar në proces veprimet e tij.

    Ndonëse në procesin gjyqësor ai paraqitet si autori kryesor, si organizatori dhe “truri” i grupit të vrasësve, Kiss mohon të ketë pasur rol drejtues. Ai thotë se donte vetëm të ndihmonte vëllain e tij të vogël dhe pa dashje rrëshqiti në vrasje. Pika e çuditshme e intervistës është deklarata e Kiss – pra e autorit – se dy vrasjet e fundit në prill dhe gusht 2009 mund të ishin parandaluar, nëse autoritetet hetimore do të kishin punuar më mirë.

    Bashkëpunëtorë të panjohur

    Por nuk janë vetëm këto deklarata, që e bëjnë intervistën të bujshme. Për herë të parë Kiss konfirmon publikisht atë, që të gjithë vëzhguesit e çështjes prej kohësh e kanë supozuar si shumë të mundshme: se gjatë serisë së vrasjeve ka pasur mbështetës dhe bashkëpunëtorë, që ndihmuan atentatet me para, armë dhe këshilla logjistike. Në intervistë Kiss flet për dy njerëz, të cilët duhet të kenë ndihmuar: një politikan vendas nga partia e atëhershme e ekstremit të djathtë Jobbik (The Better Ones) dhe një punonjës i një dyqani armësh, i cili thuhet se kishte akses në informacione konfidenciale nga Ministria e Brendshme përmes një të afërmi. Kiss nuk jep emra apo të dhëna të tjera për personat. Megjithatë ai pretendon se u ka dhënë hetuesve detaje të hollësishme për dy bashkëpunëtorët në vitin 2020. Megjithatë hetimet kishin qenë të pasuksesshme. “Ne u shpallëm përgjegjës, por dy personat e përmendur shpëtuan”, tha Kiss në një intervistë. “Kjo më duket tronditëse”.

    Ungarn Roma Morde Ruine

    Rrënoja e shtëpisë në fshatin Tatarszentgyörgy, në jug të Budapestit, ku kriminelët qëlluan Robert Csorba dhe djalin 4-vjeçar, pasi i vunë flakën shtëpisë

    Asnjë reagim lidhur me intervistën

    Kiss thotë se shpreson që t`i rishikohet dënimi. Ashtu si dy bashkëpunëtorët e tij, ai u dënua me “në fakt burgim të përjetshëm”, që në Hungari do të thotë lirim më së shpejti vetëm pas 40 vjetëve, në vend të pas 25 vjetëve, siç ndodh zakonisht. Në tetor 2021 Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) e shpalli këtë praktikë të paligjshme. Nëse Hungaria zbaton vendimin, Kiss mund të lirohet në vitin 2034.

    Edhe pse seria e vrasjeve të romëve në Hungari përfaqëson një krim unik racist dhe terrorist të krahut të djathtë, përgjigja ndaj intervistës së Kiss deri më tani ka qenë praktikisht zero. Vetëm disa media sollën përmbledhje të shkurtra. Por as politikanët e qeverisë Orban, as partia e Orbanit Fidesz dhe as opozita nuk e komentuan atë. Vetëm kryesia e partisë Jobbik lëshoi ​​një deklaratë të shkurtër me shkrim, duke pohuar se nuk kishin informacione se politikanët e tyre kishin lidhje me vrasjet e romëve. Edhe reagimet gazetareske në Hungari kanë munguar.

    Ungarn Roma Morde Erzsebet Csorba

    Erzsébet Csorba para shtëpisë në Tatárszentgyörgy

    Mungesesë interesimi për zbardhjen e çështjes

    Asnjë palë politike në vend nuk është e interesuar për hetimin dhe trajtimin e plotë të serialit të vrasjeve të romëve, ezkiston një konsensus nga të gjitha anët”, tha për DW regjisori dhe gazetari Andras B. Vagvölgyi. Vagvölgyi është një nga njohësit më të mirë të çështjes. Ai ishte i pranishëm në shumicën e seancave të gjyqit shumëvjeçar kundër autorëve dhe në 2016 botoi një libër mbi serinë e vrasjeve të romëve. Gjithashtu ai vetë është në kontakt prej kohësh me Arpad Kiss, ka zhvilluar me të disa intervista të papublikuara deri tani dhe po punon për një film dokumentar mbi serialin e vrasjeve të romëve.

    Vagvölgyi beson se një hetim i plotë i rastit mund të nxjerrë në dritë bashkëpunimin e punonjësve të sigurisë dhe shërbimeve sekrete. Po kështu mungesa e vullnetit për të sqaruar çështjen tregon mungesë ndërgjegjësimi për anticiganizmin. “Politikanët tek ne më kanë thënë se rasti duhet harruar përfundimisht”, thotë Vagvölgyi për DW.

    Ungarn Prozess Urteil rassistische Morde an Roma

    Familjarë të viktimave para gjykatës para dhënies së vendimit, (2013)

    Janë liruar bashkëpunëtorët?

    Në mënyrë të ngjashme e sheh rastin edhe ish-politikani liberal Jozsef Gulyas, i cili deri më sot së bashku me miqtë dhe të njohurit mbështet të mbijetuarit e serisë së vrasjeve. “Fatkeqësisht nuk ka shumë interes për këtë rast, viktimat janë pothuajse të harruara”, thotë ai për DW. Si deputet në vitet 2009/10 Guilyas ishte anëtar i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, që hetonte rastin në atë kohë. “Sipas deklaratave publike të Arpad Kiss, gjëja më e rëndësishme tani do të ishte të fillojnë hetimet e reja dhe që shërbimet sekrete të japin informacionin e tyre për rastin”, kërkon Gulyas.

    Por nëse kjo do të ndodhë, është e paqartë. Policia hungareze dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (NNI) nuk iu përgjigjën pyetjes së DW, nëse ishin planifikuar hetime të reja, as nuk iu përgjigjën pyetjes nëse hetimet për bashkëpunëtorët, siç pretendon Kiss, kishin qenë të pasuksesshme.

    Ungarn Ferenc Gyurcsany

    Roli i pasqaruar: Ish-kryeministri Ferenc Gyurcsany

    Çfarë roli ka luajtur ish-kryeministri?

    Mbi të gjitha indikacionet për një bashkëpunim të mundshëm të shërbimeve sekrete hungareze janë interesante: ndër të tjera, Istvan Csontos, që u dënua si bashkëpunëtor dhe që vepronte si shoferi i autorëve në dy vrasjet e fundit, ishte informator i shërbimit të atëhershme sekret të ushtrisë, KBH. Thuhet, se ai ia ka treguar bashkëpunimin e tij oficerit të tij përgjegjës; megjithatë informacioni thuhet se nuk është përcjellë. Csontos u lirua në fund të gushtit 2022 pas 13 vitesh burg. Deri më tani ai nuk është shprehur publikisht.

    Megjithatë fakti që tani Arpad Kiss-it i jepet një hapësirë ​​e spikatur me intervistë në gazetën jozyrtare të qeverisë, mund të ketë një sfond politik. Në intervistë Kiss akuzon ish-kryeministrin socialist Ferenc Gyurcsany se ka qenë në mënyrë indirekte në dijeni dhe ka përfituar nga seriali i vrasjeve të romëve. Gyurcsany është ende politikisht aktiv dhe ka qenë vazhdimisht objektiv i sulmeve nga partia Fidesz e Orbanit. Vetë ish-kryeministri nuk e ka shpjeguar kurrë në mënyrë bindëse rolin e tij në këtë rast. Kërkesave për t’u prononcuar nuk u është përgjigjur. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania gati për lidership ushtarak në Europë

    Lajmi i rradhës

    ASh-ja do të mbajë Kuvendin e partisë | Kush do ta zëvendësojë Ziadin Selën?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë