Sërish do të shtrenjtohet energjia elektrike në RMV

    Komisioni Rregullator për Energjetikë pritet që nga muaji korrik të vendos tarifat e reja për amvisëritë. Ato do të vendosen në bazë të analizave të ekspertëve të fakultetit të Makinerisë dhe Elektroteknikës në Shkup, ndërsa pritet që të mbetet tarifa e lirë e rrymës natën dhe ditën e diel, ndërsa tarifat do të vendosen në periudhat kur vlen rryma e shtrenjtë. Një nga shtytjet për një masë të tillë është, sipas rregullatorëve edhe përfshirja me këto tarifa të konsumatorëve që harxhojnë sasi të mëdha të rrymës, dhe motivimi i konsumatorëve ndaj zgjidhjeve efikase energjetike. Ndryshimet arsyetohen edhe me harxhimin e 20 për qind të rrymës nga ana e një për qind të amvisërive, përdorimin e rrymës për investimin tek bitkoinët, ngrohjen e ujit të pishinave me energji elektrike e kështu me radhë.

    Me fjalë të tjera, sipas Komisionit Rregullator për Energjetikë, kjo nënkupton se do të ketë një çmim të garantuar dhe më të ulët të rrymës për ato amvisëri, që do të kenë konsum më të ulët. Me rritjen e konsumit, do të rritet edhe kostoja e energjisë elektrike.

    Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë thonë se analizat dhe të dhënat do të shërbejnë për një reformë të drejtë që do të garantojë mbrojtjen e konsumatorëve që shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale dhe do të ndërpresin shfrytëzimin jo racional të rrymës në kohë të krizës energjetike nga një numër i vogël i konsumatorëve. Njëherësh kjo reformë nënkupton edhe theksin e veçantë ndaj leximit të rregullt të orëmatësve me qëllim që konsumatorët të shpërndahen në mënyrë përkatëse nëpër bllok tarifat e ardhshme.

    “Modeli i ri që do të përgatitet edhe në bazë të përvojave të vendeve të tjera, do të dimensionohen në atë mënyrë që maksimalisht të mbrojë konsumatorët me konsum mesatar , për të cilët do të sigurohet çmim më i ulët. Konsumatorët që shfrytëzojnë tejet shumë sasi të mëdha të energjisë elektrike do të paguajnë çmim real”, thotë numri një i Komisionit Rregullator, Marko Bislimovski.

    Në ndërkohë, në fillim të muajit shkurt të këtij viti, Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë ka miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Departamenti për Tarifa në ZRRE ka thënë se rritjen e çmimit në fatura do të vërejnë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit. “Të gjithë konsumatorët komerbialë dhe konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë do të kenë zero rritje”, është thënë në takim duke përmendur se rreth 20 për qind e konsumatorëve e tejkalojnë këtë konsum.

    Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët. Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent. Tarifat e reja hyjnë në fuqi me 9 shkurt dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023. Edhe në Shqipëri po rrjedhin përgatitjet për shtrenjtimin e energjisë elektrike për ata konsumatorë që harxhojnë më shumë se sa 700 kilovat orë. Për ato familje që shpenzojmë nën 700 kilovat orë, nuk do të ketë ndryshim të çmimit të energjisë. Ndërsa për familjet që shpenzojmë më shumë se kjo, çmimi do të trajtohet me progresivitet. Autoritetet në Shqipëri thonë se në raport me mundësitë dhe progresivitetin, ka një pjesë të vogël të familjeve, që harxhojnë rreth 25 për qind të konsumit të energjisë, që kalojnë mbi 700 kilovat orë.

    Nga ana tjetër në vitin 2017, të dhënat statistikore tregonin se një amvisëri me katër anëtarë në Maqedoninë e Veriut ka harxhuar në mesatare afër 500 kilovat orë në muaj, që është rritur si konsum në vitet e ardhshme. Me këtë konsum amvisëritë që harxhojnë këtë sasi të rrymës paguajnë 2935 denarë me orën një tarifore dhe rrymën prej 5.87 denarë për kilovat orë dhe paguajnë 3660 denarë me orën dy tarifore prej 7.32 denarë për kilovat orë me çmimet ekzistues të energjisë elektrike. Mirëpo, në këtë nuk janë llogaritur edhe kostoja shtesë për Tatimin e Vlerës së Shtuar që është ulur nga 18 në 5 për qind aktualisht deri në fund të muajit qershor të këtij viti, ndërsa pas kësaj date do të paguhet dhjetë për qind e TVSH-së për rrymës si dhe pagesa e ndriçimit rrugor. Pritet që pas dy muajsh të shikohet se sa do të rryma do shtrenjtohet apo jo, me vendosjen e dy apo tre tarifave për amvisëritë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shkodran Tolaj deklarohet për keqpërdorimet në AShKVP : Çdo kush që punon edhe mund të gabojë

    Lajmi i rradhës

    “Agresioni rus në Ukrainë ka krijuar pasiguri në tregje”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë