Në qytetin e Dibrës vitet e fundit është rritur dukshëm numri i automjeteve. Nëse dikur makina konsiderohej luks dhe vetëm pak familje kishin mundësi ta posedonin, sot situata ka ndryshuar ndjeshëm. Aktualisht në shumë lagje të qytetit mund të thuhet se çdo derë ka të paktën nga një makinë, ndërsa nuk janë të rralla edhe familjet që posedojnë dy apo më shumë automjete.
Banorët e qytetit thonë se makina është bërë një nevojë e përditshme për familjet dibrane. Lëvizja për në punë, transporti i fëmijëve për në shkollë, si dhe kryerja e obligimeve të përditshme kanë bërë që shumë familje të investojnë në blerjen e një automjeti. Normalisht kjo situatë ka të bëjë edhe me rritjen e standardit të popullatës, por edhe me importin e automjeteve nga shtetet e tjera.
Mes shoferëve në Dibër ka edhe shumë të rinj dhe të reja të cilët drejtojnë automjete. Altina P., 32 vjeçe, thotë se sivjet e ka marrë patentën për vozitje.
“Fëmijët më filluan në shkollë dhe burri ishte në punë. Ngela duke i çuar me taksi. Andaj isha e detyruar ta marr patentën për vozitje që të paktën fëmijët t’i çoj dhe t’i marr nga shkolla. Tani, duke vozitur makinën, dukshëm ia kam lehtësuar situatën edhe bashkëshortit, i cili kishte ngarkesën me fëmijët”, thotë Altina.
Edhe në autoshkollën që vepron në Dibër thonë se çdo ditë është në rritje numri i dibranëve që duan të pajisen me patentë për vozitje. Kjo tregon se sot makina është bërë shumë e domosdoshme për çdo familje, e jo si më parë kur një makinë kishte e gjithë lagjja.
Një ndikim të madh në këtë drejtim, pra që thuajse secila familje të ketë makinë, ka pasur edhe mërgata. Shumë dibranë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit sjellin automjete për familjarët e tyre. Sipas qytetarëve, në vitet e fundit është rritur edhe tregu i makinave të përdorura, të cilat janë më të përballueshme për buxhetin familjar. Kjo ka bërë që shumë familje të kenë mundësi të sigurojnë një makinë për nevojat e tyre të përditshme.
Dritan K. thotë se falë motrës së tij në Gjermani, e cila i ka siguruar një makinë për bashkëshorten e tij, u janë lehtësuar shumë punët. “Prindërit i kam të moshuar dhe unë jam në punë. Tani, pasi u pajisëm me makinën e dytë në familje, gruaja ime i çon në spital prindërit e mi, fëmijët, por edhe kryen nevojat e tjera të familjes”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Megjithatë, rritja e numrit të automjeteve ka sjellë edhe sfida për qytetin. Një nga problemet kryesore është mungesa e hapësirave për parkim, veçanërisht në zonën qendrore dhe pranë institucioneve publike. Në disa rrugë të qytetit vërehet edhe rritje e trafikut, sidomos gjatë orëve të paradites dhe pasditeve.
Pushteti vendor ka caktuar disa rrugë dhe vende për parkim, por po shqyrton edhe mundësinë për zgjerimin e hapësirave të parkimit dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi dhe të shmangen vështirësitë që vijnë nga numri gjithnjë e më i madh i automjeteve.
Megjithatë, për shumë familje dibrane makina tashmë nuk është më luks, por një mjet i domosdoshëm që lehtëson jetën e përditshme dhe mundëson lëvizje më të shpejtë dhe më të sigurt. /Koha/






