Shaqairi: Nuk është koha për grevë

    Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës shprehet e kënaqur me realizimin e grevës së përgjithshme në ditën e parë të saj.

    Kreu i sindikatës, Jakim Nedellkov tha se në grevë janë përfshirë të gjitha çerdhet, shkollat fillore dhe ato mesme me disa përjashtime të vogla në çerdhe ku drejtorët kanë tentuar ta ndërpresin grevën dhe të rikthejnë punonjësit në aktivitetet e punës.

    Greva do të mbetet në fuqi deri në plotësimin e kërkesave të SASHK-ut.

    “Për hir të së vërtetës, në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, në çerdhe kemi presione dhe probleme më serioze sa i përket përpjekjeve të drejtuesve të çerdheve që edukatoret ti kthejnë në grupet e fëmijëve dhe të ndërprenë grevën. Askush nuk duhet ta ndërpresë procesin e grevës dhe kemi paralajmëruar kallëzim penal ndaj kujtdo që tenton ta bëjë këtë. Është absolutisht e papranueshme dhe jodemokratike që në shekullin 21 të privosh dikë nga e drejta për të shprehur lirshëm pakënaqësinë e tij. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

    Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se respekton të drejtën sindikale për grevë, por sipas tij, greva e përgjithshme duhej të ishte hapi i fundit për zgjidhjen e çështjes së pagave në arsim dhe kopshte. Shaqiri bëri thirrje që sa më shpejt të arrihet marrëveshje e përbashkët për këtë çështje dhe të vazhdojë mësimi që nxënësit mos të humbin më shumë.

    “Të fundit që duhet të pësojnë nga këto momente janë nxënësit. Kërkoj që në periudhën e ardhshme, sot, nesër, të mërkurën ne do të jemi përsëri në diskutime me SASHK-un për ta arritur një zgjidhje përfundimtare për këtë problematikë e cila është paraqitur. Do të jemi në komunikim, njëherë duhet ta zgjidhim këtë që ta përfundojmë grevën, pastaj drejtorët e shkollës e din se me cilët mësimdhënës nxënësit kanë humbur, e dinë orët se cilat janë humbur dhe do t’i menaxhojnë më së miri”, u shpreh Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

    Ministria e Punës dhe Politikës Sociale bëri të ditur se nga gjithsej 75 institucione publike për përkujdesje dhe edukim të fëmijëve parashkollorë, grevë është realizuar në 54, kurse në 21 institucione publike punëtorët nuk i janë bashkuar fare grevës së organizuar nga SASHK-u.

    Sipas ministrisë, situata e përgjithshme në terren vërteton se institucionet dhe punonjësit e respektojnë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe kryejnë veprimtarinë e përkujdesjes dhe edukimit të fëmijëve parashkollorë dhe sigurojnë mbarëvajtjen e veprimtarisë në ushtrimin e së drejtës në grevë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    A nuk ka gomar në vendin tuaj?

    Lajmi i rradhës

    ShBA i vendos në listën e zezë Gruevskin dhe Mijallkovin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë